Dr. Musli Vërbani
Çka është usuli fikhu?
Islami i ka rrënjët e thella, shtylla të forta dhe ligje gjithëpërfshirëse. Është i përshtatshëm për të gjitha vendet dhe për të gjitha kohërat. Me ligjet islame merret shkenca e Usuli Fikhut. Kështu pra, Usuli Fikhu është shkenca e cila na e mundëson njohjen e ligjeve të Zotit të Lartmadhëruar. E, njohja e ligjeve të Zotit të Lartëmadhëruar sjell lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Usuli Fikhu është prej shkencave më madhështore, e cila ka rëndësi të madhe dhe vlerë të posaçme.
Usuli Fikhu i tregon teoritë ligjore, ndërton strukturë të e fortë ligjore, rregullon lidhje të fortë në mes të pjesëve ligjore gjë që e ndërton kështjellën e fesë me shtyllat më të forta dhe me bazat më të forta të sheriatit.
Usuli Fikhu është edhe pasqyrë e argumenteve të sheriatit prej nga merren ligjet dhe obligimet.
Usuli Fikhu sqaron urtësinë e objektivave të sheriatit dhe rregullave bazë (të përgjithshme), që Ligjvënësi ka pasur për qëllim në ligjësim.
Usuli Fikhu sqaron se:
- si mund të praktikohen dispozitat e fikhut,
- si detajizohen (zbërthehen) çështjet sekondare të shumta të saj dhe
- si kuptohen bazat e përgjithshme,
- ligjet juridike dhe
- shkencore.
Angazhimi në “Usuli Fikh” sjell vështirësi të shumta, lodhje e mundime, për këtë arsye studiuesi i Usuli Fikhut deri sa ta kuptojë çështjen ndjen mundim, lodhje dhe vështirësi.
Usuli Fikhu është shkencë e cila është në harmoni me logjikën sepse i jep përparësi më të rëndësishmes ndaj asaj e cila është më pak e rëndësishme.
Dihet se finalizimi çështjeve arrihet:
- duke çliruar nyejt në mes të pjesëve të temave;
- duke sqaruar mendimin e medhhebeve të ndryshme për secilën çështje;
- duke i mbështetur me argumente;
- duke bërë krahasime;
- duke sqaruar debatin;
- nëpërmjet shprehjeve të qarta duke ndriçuar anën praktike, dhe
- duke i dhënë prioritet prioritares.
Duhet të dimë se për t’i përpiluar ligjet e sheriatit është çështje e patjetërsueshme kuptimi dhe perceptimi i rregullave të Usuli Fikhut.
Usuli fikhu i tregon qëndrimet pro at contra të dijetarëve për një çështje.
Usuli Fikhu është rregullorja kryesore e dispozitave të sheriatit dhe bazë e fetfave.
Usuli Fikhu është epiqendër e zbërthimit të ligjeve dhe kandari i logjikës dhe i prioriteteve.
Usuli Fikhu i vendos rregullat permanente të ligjit të pastër Islam.
Fjalën “urtësi” të ajetit Kur’anor “Dhe kujt i jepet urtësia, atij iu janë dhënë të mira të shumta” Ibn Abasi e ka interpetuar kështu:
“Ai i cili e kupton shfuqizuesin dhe të shfuqizuarën e Kur’anit,
ai i cili e kupton sqarimin e të pasqaruarës,
ai i cili e kupton ajetin e mëhershëm dhe të mëvonshëm,
ai i cili e kupton hallallin dhe haramin.”
Usuli Fikhu është një prej shkencave të domosdoshme për çdo muxhtehidë, për çdo mufti, si dhe për çdo studiues i cili dëshiron të dijë se si janë përpiluar ligjet.
Usuli Fikhu nuk është i domosdoshëm vetëm për njerëzit e rëndomtë, të cilëve u mjafton vetëm t’i pranojnë mendimet e të tjerëve dhe nuk kërkojnë fakte e argumente. Kurse dijetarit nuk i mjafton vetëm t’i lexojë ligjet nga dijetarët dhe ta konsiderojë si çështje të kryer, por duhet të hulumtojë për argumentimin e secilit ligj, e pastaj, nga hulumtimi i tij, të nxjerrë në shesh frytet e ixhtihadit të tij, gjë që ndihmon në njohjen e ngjarjeve, ndodhive dhe çështjeve të reja.
Dijetari i Usuli Fikhut i paraqet ligjet e sheriatit me ekspertizë dhe në mënyrë profesionale, me argument të përgjithshëm, ku konkludimi arrihet duke shikuar faktet, rrethanat, dhe atë në bazë të mundësive për t’i miratuar ligjet për veprimet e njerëzve.
Usuli Fikhu është rruga e pikësimit të bazave të ligjeve të sheriatit dhe argumentet e saj dhe zgjimin e të ngarkuarit për t’i kryer detyrat fetare.
Me studimin e Usuli Fikhut arrihet deri te njohja e përpiktë e ligjeve të sheriatit, të cilat e qetësojnë zemrën dhe mendjen, si dhe duke e ndërlidhur të kaluarën na mëson për të ardhmen, ashtu që të bëhet planifikimi më i mirë i së ardhmes.
Nëpërmjet shkencës së Usuli Fikhut dijetari profesionalizohet për të përpiluar ligjet me argumente. Studimi i shkencës së Usuli fikhut i përgatitë studiuesit për të arritur deri te suksesi, aftësia e dhënies të prioriteteve dhe analizave të mendimeve të fukahave të mëhershëm, ose në miratimin e ligjeve të sheriatit.
Studimi i shkencës së Usuli fikhut i përgatitë studiuesit për të përmbush nevojat individuale dhe shoqërore.
Njerëzit e rëndomtë (pasuesit) ndalen deri te pika ku i kanë kuptuar çështjet ekspertët dhe në çka janë bazuar ekspertët e usulit në përpilimin e ligjeve, ashtu siç i pranon shpirti dhe qetësohet zemra, duke i pranuar mendimet e tyre. E qetësimi i shpirtit të detyron për ta praktikuar dhe për t’i zbatuar ligjet e sheriatit, e cila është rrugë e lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër.
Tekstet e Kur’anit dhe të sunetit janë tekste të përkufizuara dhe definitive, ndërsa ndodhitë dhe çështjet tjera që i paraqiten njerëzve janë të pakufizuara, për këtë arsye duhet të studiohet shkenca e Usuli Fikhut.
Ajo çka është përfundimtare nuk mund të përfshijë atë që është jopërfundimtare, përpos nëpërmjet rrugës së ixhtihadit.
Pa njohjen e rregullave të Usuli Fikhut dhe Ixhtihadit as që mund të paramendohet njohja e ligjeve të sheriatit.
Me shkencën e Usuli Fikhut perceptohen urtësitë e ligjeve të sheriatit.
Nuk mund të bëhet krahasimi i suksesshëm pa u mbështetur në argumentet tekstuale a logjike, ose të Usulit.
Krahasimi i medhhebeve ka rëndësi të veçantë, ndërsa krahasimi i medhhebeve bëhet nëpërmjet rregullave të Usuli Fikhut sepse kjo shkencë na udhëzon te argumentet e ligjeve dhe na shpie deri te kandari i përpiktë në mes të mendimeve të ndryshme dhe dhënies prioritet argumentit më të fuqishëm prej tyre.
Nëse dëshirojmë të bëjmë krahasimin ndërmjet medhhebeve dhe kushtetutave njerëzore, kjo bëhet në bazë të rregullave të Usuli Fikhut sepse kjo shkencë na udhëzon te argumentet e ligjeve dhe na shpie deri te kandari i përpiktë në mes të mendimeve të ndryshme dhe dhënies prioritet argumentit më të fuqishëm prej tyre.