Dr. Musli Vërbani
Shartet e ezanit
Ezani i ka shartet, nëse një shart i mungon ai ezan është i pavlefshëm.
Shartet e ezanit janë:
1. Që teksti i ezanit të jetë i renditur, do të thotë mos me i thënë dy rreshta, me pushu një kohë e pastaj me vazhdua.
2. Që të thirret ezani pasi të fillojë koha, nuk pranohet që të thirret para se të fillojë koha.
3. Që të këndohet fillim e mbarim prej një personi do të thotë mos me i këndua pjesët e para një muezin, e pastaj me i vazhdua muezini tjetër.
4. Që të jetë në gjuhën arabe. Nëse prej xhematit asnjë person nuk e di ezanin në gjuhën arabe lejohet me e thirr në gjuhën e tyre të cilën e kuptojnë.
Vërejtje: Nëse teksti i ezanit ndryshon në rreshtimin e thënieve p.sh. “Haje alel felah” këndohet para “Haje ales-salah” është mekruh që do të thotë muezini e rifillon thirrjen e ezanit, por nëse nuk e rifillon ai ezan pranohet.
Sunnetet e ezanit janë:
1. Që muezini të jetë me abdest
2. Që muezini të ketë zë të bukur. Muhamedi a.s. e ka pëlqyer zërin e Mahdhurit dhe ia ka mësuar ezanin për me thirr.
3. Që muezini të hipë në ndonjë vend të lartë (nëse ezani thirret pa ndonjë zëzmadhues).
4. Që ezani të këndohet në këmbë e jo ulur (nëse s’ka mundësi në këmbë lejohet ulur).
5. Me u kthye ka kibla gjatë këndimit të ezanit (kur të këndohet “Hajje ales-salah” kthehet muezini pak në të djathtë. Kur të këndohet “Hajje alel felah” muezini kthehet pak në të majtë).
6. Në ezanin e sabahut sunet është që të shtohen fjalët “Essalatu hajrun minen-nevm. Essalatu hajrun minen-nevm” që do të thotë “namazi është më i vlefshëm se gjumi”.
7. Me i fut gishtat në vesh gjatë këndimit të ezanit.