Dr. Musli Vërbani
Kohët e namazit
Namazi patjetër duhet të falet në kohën e vet të caktuar, pra, nuk pranohet jashtë kohe, p.sh. namazi i drekës nëse falet para se të fillojë koha e namazit të drekës.
Zoti i Madhëruar thotë:
“Vërtetë namazi për besimtarët është obligim në kohën e (vet) të caktuar”. (Suretu Nisaë, 103)
Namazi është bërë obligim në natën e madhe të Israsë dhe Miraxhit. Namazin e parë të cilin e ka falur Muhammedi a.s. është namazi i drekës.
Kohët e namazit janë: sabahu, dreka, ikindia, akshami dhe jacia.
– Namazi i sabahut fillon me agimin e ditës apo me të zbardhurit e ditës nga nata. Muhammedi a.s. thotë:
Koha e namazit të sabahut fillon me zbardhjen në agim e deri me lindjen e diellit”.
– Namazi i drekës fillon pas kalimit të diellit nga zeniti (zevalli) në drejtim të perëndimit.
– Namazi i ikindisë fillon pas zgjatjes së hijes së çdo trupi sa vetë gjatësia e tij duke mos llogaritur hijen e tij të mesditës dhe mbaron para perëndimit të diellit.
– Namazi i akshamit fillon me perëndimin e diellit plotësisht dhe mbaron me errësimin e plotë të qiellit.
– Namazi i jacisë fillon prej momentit kur të errësohet plotësisht qielli dhe mbaron deri në agim.