Amër Halid Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Vlera e kohës
Vëlla i nderuar! A e di se cila është begatia më e madhe që ta ka dhuruar ty Allahu pas fesë islame?!
– A mos është pasuria, apo fëmijët, pozita, apo pushteti, bukuria, apo dituria, apo ndoshta shëndeti?!
Vëlla i nderuar! Të gjitha këto janë begati të mëdha për të cilat duhet falënderuar pandërprerë Allahun dhe prapë nuk mjafton ai falënderim. Ka edhe begati tjera të shumta të cilat as që mund t’i numërojmë, mirëpo të gjitha ato begati të sipërpërmendura nuk janë begatitë më të mëdha të njeriut.
Begatia më e madhe të cilën ia ka dhuruar Allahu robit të tij pas Islamit është begatia e kohës, sepse koha është hapësira (vendi) ku bëhet adhurimi (ibadeti), sikurse kemi shumë, e shumë adhurime (ibadete) të cilat janë paraparë vetëm në kohë të caktuara.
Vërtet koha nëse shfrytëzohet për atë që është e paraparë, atëherë e ngritë njeriun në shkallë të larta dhe në vendet e çmueshme, dhe të lavdëruara të xheneteve të larta.
Vërtet koha është begatia më e madhe, mirëpo shumica e njerëzve këtë nuk e dinë.
Vërtet koha është begatia më e madhe, mirëpo shumica e njerëzve nuk janë falënderues.
Vërtet koha është begatia më e madhe, mirëpo shumica e njerëzve nuk e çmojnë dhe e humbin veten e tyre.
Vërtet koha është begatia më e madhe, mirëpo për çudi shumica prej neve, që të mos them të gjithë ne nuk e ndiejmë këtë begati të madhe dhe nuk e llogaritë si begati prej begative më të çmuara. Vërtet Umeti nuk e llogaritë se koha është më e çmuarja dhe më e vlefshmja për të qenë Umeti më i çmuari, dhe më i vlefshmi në tërësi.
Vëre këto çka po ju them:
Për betimet më të shpeshta të Zotit të Lartëmadhëruar në Librin Fisnik (Kur’an) janë përbetimet në kohën dhe çka kanë të bëjnë me kohën. Allahu i Lartëmadhëruar nuk përbetohet në diçka çka nuk ka vlerë të madhe, por vetëm në atë çka ka vlerë të posaçme. Vërtet Allahu është përbetuar në kohëra të shumta dhe Zoti i Lartëmadhëruar thotë:
“Pasha natën kur errësohet në tërësi”.(El-Lejl, 1)
“Pasha ditën kur shpaloset në tërësi”. (El-Lejl, 2)
“Pasha paraditen! Pasha natën kur shtrinë
errësirën!” (Ed-Duha, 1-2)
“Pasha diellin dhe ndriçimin e tij kur bën dritë! Pasha hënën kur pason pas tij (për të ndriçuar
prej tij)”. (Esh-Shems, 1-2)
“Pasha kohën! Vërtet njeriu është në (një) humbje të sigurt”. (El-Asr, 1-2)
“Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit të diellit, betohem në natën dhe çka ajo tubon”.
(El-Inshikak, 16,17)
Vështro dhe analizo këto çështje!
Të gjitha obligimet në islam janë të ndërlidhura me kohën, pra koha është vendi apo hapësira e ibadetit (adhurimit).
Shembull: Namazi.
Zoti i Lartëmadhëruar thotë:
“… Vërtet namazi është obligimi në kohë të caktuar për besimtarët”. (En-Nisa,103)
“Transmeton Abdullah bin Mes’udi se e ka pyetur Muhamedin a.s. se cilat vepra janë më të dashura tek Allahu? Muhamedi a.s. është përgjigjur:
– Namazi në kohën e vet.
Pastaj cilat?
– Për t’u sjellë mirë dhe nderimi i prindërve.
Pastaj cilat?
– Lufta në rrugën e Allahut.
Ibni Mes’udi tregon se po ta kisha pyetur më shumë do të më tregonte më shumë për to”.
Një shembull tjetër: Zekati.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Hani nga frytet kur të piqen dhe bëhen fryte të shëndosha dhe jepne atë çka e keni për obligim me dhënë (zekatin) ditën e të korrurave (të mbledhurave) dhe mos e teproni, vërtet Allahu nuk i do teprimtarët”. (El-En’amë, 141)
Shembull: Agjërimi.
Zoti i Lartëmadhëruar thotë:
“O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.
(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po që se dini, agjërimi është më i mirë për ju.
(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni”. (El-Bekare, 183,184,185)
Çdo analitik dhe çdo studiues kur ta lexojë pjesën e ajetit fisnik “… ditë të caktuara (të kufizuara) …”, do ta kuptojë dhe do ta përjetojë në vetvete se vërtet Allahu i Lartëmadhëruar na porositë për t’i shfrytëzuar dhe për të përfituar nga këto kohëra të bekuara, sepse këto kohë janë të pakta dhe nuk vijnë gjatë vitit, përpos një herë.
Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Agjëroni me të parët e saj (Hënën e Re) dhe ndërpritni agjërimin me të parët e saj (Hënë e Re tjetër), vetëm nëse ndodhë që të jetë mjegull dhe errësirë e madhe, atëherë muajin paraprak (para Ramazanit) Shaban plotësojeni në tridhjetë ditë”.
Pra, “Agjëroni kur ta shihni Hënën e Re dhe ndërpritni agjërimin kur ta shihni prapë Hënën e Re” e cila është shenjë dhe përkufizim i kohës.
Shembull: Haxhi.
Zoti i Lartëmadhëruar thotë:
“Haxhi (është obligim) në muaj të caktuar”. (El-Bekare, 197)
Muhamedi a.s. ka thënë: “Qëndrimi në Arafatë është Haxhi”. (Sahih El-Xhamie, Albani, 3172)
Pra kush nuk qëndron në Arafatë, nuk e ka haxhin.
Vëlla i nderuar!
E sheh se të gjitha obligimet të cilat janë shtyllat e islamit, të gjitha janë të ndërlidhura me kohën që Umeti ta di dhe ta kuptojë rëndësinë dhe vlerën e kohës!
Vëllezër! Vërtet zbulimi i orës është zbulimi për të cilin më së shumti është interesuar umeti islam, me qëllim që prej saj (orës) të përfitojë, të përparojë dhe të zhvillohet, sepse ata e kanë kuptuar seriozisht vlerën dhe rëndësinë e kohës.
Shiko çka më ka ndodhur një herë:
“Pasi që e kisha caktuar një takim me një të huaj, u vonova 25 minuta (një çerek ore).
Ai më pyeti:
– A falesh?
– Iu përgjigja, Po.
– A e ke kryer Haxhin?
– Iu përgjigja Po.
– A e agjëron Ramazanin?
– Iu përgjigja Po.
– A e falë namazin e Xhumasë?
– Iu përgjigja Po.
Ai tha: Çudi me çështjen e muslimanëve. Feja e tyre i nxitë në një çështje vazhdimisht, ndërsa ata qëndrojnë indiferent ndaj asaj çështje”.
Koha është dëshmi për njeriun në Ditën e Kijametit.
Zoti i Lartëmadhëruar thotë:
“Po për ata që nuk besuan është zjarri i Xhehennemit. Ata as nuk gjykohen që të vdesin (të rehatohen) e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë secilin që është shumë i pabesim.
Dhe ata do të klithin aty: “O Zoti ynë, nxirrna e të bëjmë vepra të mira, e jo si ato që i bënim!” Po a nuk u dhamë juve jetë aq sa që ai ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe, madje juve u ka ardhur edhe pejgamberi, pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar”. (Fatir, 36,37)
Vëlla i nderuar!
Pabesimtarët do të dëshirojnë të kthehen edhe një herë në këtë botë, ta shfrytëzojnë begatinë e kohës me të cilën Zoti i Madhëruar i ka nderuar robërit e tij, që begatinë e kohës ta shfrytëzojnë në adhurim ndaj Allahut, në vepra të mira, me qëllim që të shpëtojnë prej Xhehenemit dhe të fitojnë Xhenetin.
Transmeton Ibn Mes’udi r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Në Ditën e Kijametit asnjë këmbë e birit të Ademit nuk do të lëvizë para Zotit të Lartëmadhëruar pa dhënë përgjegjësi (pa u pyetur) për pesë çështje):
- për jetën (kohën) e tij si e ka kaluar,
- për rininë e tij si e ka shfrytëzuar,
- për pasurinë e tij si dhe ku e ka fituar dhe si e ka shpenzuar, dhe
- për çka ka punuar, dhe çka ka mësuar”.
Vëlla!
Edhe pse mosha rinore është pjesë e veçantë e jetës së njeriut, vetëm se ai posaçërisht për atë pjesë të kohës së rinisë do të jep llogari dhe do të përgjigjet në Ditën e Kijametit, sepse ajo është koha e strukturimit të shtatit të tij, siç thuhet: Koha e punës dhe e angazhimit, koha e suksesit dhe përparimit, koha e aktivitetit dhe e kuriozitetit.
Mirëpo, përkundër kësaj, shumica prej nesh e harxhon kohën në vepra të padobishme, bile edhe në atë çka na dëmton shumë.
Prej formave të humbjes së kohës janë:
– Ulja dhe shtrirja pranë televizorit dhe përcjellja e programeve të ndaluara.
– Shëtitja me automjete pa nevojë ose endja nëpër rrugë pa nevojë.
– Leximi i revistave të kota dhe të padobishme duke përcjellë lajmet e artistëve, këngëtarëve dhe të humburve.
– Duke ndenjur shtrirë dhe duke fjetur 12 orë e më shumë.
– Qëndrimi i femrave para pasqyrave kohë të gjata duke u stolisur dhe duke u zbukuruar.
– Duke kaluar orë të tëra në rrugë dhe restorante e kafiteri.
– Duke kaluar orë të tëra në biseda telefonike, biseda të padobishme deri në orët e vona të mbrëmjes.
– Nëpunësit duke kaluar orët e punës së tyre në çështje të panevojshme dhe të padobishme.
– Pjesa më e madhe e rinisë sonë e kalon kohën pa pasur ndonjë punë dhe pa pasur ndonjë qëllim të caktuar.
Vëllezër!
Pas gjithë kësaj, a meritojmë dhe a mund të shpresojmë që Allahu të na ngritë mbi popujt tjerë?!
Çdo njeri i cili e humb kohën e jetës së tij ai e ka humbur kohën e umetit (popullit) të tij.
Nëse shikojmë sa kohë është humbur, pse ajo kohë të mos ishte shfrytëzuar duke u sjellë mirë me prindërit, ndërsa, ata tani veç kanë vdekur, koha e përkushtimit ndaj tyre ka shkuar dhe ka humbur rasti i bamirësisë gjatë jetës së tyre, humbje e madhe nga ajo kohë e humbur!
Sa e sa vite kanë shkuar pa falë namaz, ndërsa jeta ka ecur, sa humbje e madhe nga ajo kohë e humbur?!
Sa e sa vajza e kanë vendosur mbulesën mbi trupin e tyre, më vonë janë penduar për të kaluarën e tyre.
Sa e sa njerëz kanë mund të shpëtojnë nga mëkatimi dhe pabesimi, mirëpo nuk kanë kërkuar këshilla nga njerëzit e mirë dhe thirrësit e fesë, ndërsa jeta (koha) e tyre ka ecur, sa humbje e madhe për kohën e humbur?!
Një plak hyn në xhami dhe i sheh se si të rinjtë hynë në xhami dhe fillon të qajë për rininë e tij se si e ka kaluar, dhe nuk është falë, por ka filluar të falet në pleqëri.
Vëllezër!
Çdo gjë që na ndodhë është rezultat i mospërfilljes së urdhrave të Zotit tonë, rezultat i humbjes së kohës sonë në epshe, e jo në adhurim.
Vet koha është jeta. Vrasja e kohës (humbja e kohës) bëhet duke e harxhuar në çështje të panevojshme dhe të padobishme, duke e harxhuar në lojë e hajgare dhe duke i plotësuar epshet me gjëra të ndaluara, duke kaluar kohën në moskryerjen e obligimeve dhe duke e kaluar kohën në vepra të këqija. Kjo është edhe vrasje e vet jetës. Ky është krim prej krimeve më të mëdha dhe shkatërrim prej shkatërrimeve.
Vëllezër!
Nuk mundet që ky Umet të ketë udhëheqjen dhe krenarinë derisa jetën e tij e kalon në epshe, duke mos i kryer urdhrat e Zotit dhe duke vepruar llojet e ndryshme të gabimeve dhe harameve.
Ne meritojmë dhe shpresojmë prej Zotit të Lartëmadhëruar që Umetin tonë ta ngritë mbi të gjithë popujt, atëherë kur ne i kthehemi Atij me sinqeritet, që ta dëgjojmë Atë dhe ta sundojmë epshin, e mos t’i bëhemi shërbëtor shejtanit, në atë mënyrë ne e ndryshojmë gjendjen në të mirë dhe në atë çka e kënaq Allahun e Lartëmadhëruar. E atëherë kur Allahu i Lartmadhëruar kënaqet me ne, Ai na ngritë neve mbi armiqtë tanë, na çmon neve dhe i nënçmon ata të cilët na nënçmojnë, sepse Zoti i Lartëmadhëruar “Nuk ndryshon gjendjen e një populli derisa ai popull nuk e ndryshon gjendjen e tij”. (Err-Rra’d, 11)
Vëlla i nderuar!
Ta dish se ke për të dhënë përgjegjësi para Allahut për çdo sekondë, për çdo çast, bile edhe për çdo frymëmarrje.
Vëllezër!
A e dini se çka është jeta?
Jeta përbëhet prej viteve, pastaj vitet përbëhen prej muajve, pastaj muajt prej ditëve, ditët prej orëve, ndërsa orët prej frymëmarrjeve.
Shiko!
Kush i humb frymëmarrjet i ka humbur orët; kush i humbë orët, i humb ditët; kush i humbë ditët, i humb javët; kush i humb javët, i humb muajt; e kush i humbë muajt, i humb vitet; e kush i humb vitet, e ka humbur jetën e tij; e kush e humbë jetën e tij, ai është prej të humburve, ndërsa e kundërta është kështu:
Kush i ruan dhe kujdeset për çastet dhe frymëmarrjet, ai është kujdesur për orët e tij; kush kujdeset për orët e tij, është kujdesur për ditët e tij; kush kujdeset për ditët e tij, është kujdesur për muajt e tij; kush kujdeset për muajt e tij, është kujdesur për vitet e tij; kush kujdeset për vitet e tij, është kujdesur për jetën e tij; e kush kujdeset për jetën e tij është prej fitimtarëve. Vetë koha është jeta.
Thuhet se koha është ari, ndërsa unë them se koha është më e çmuar se ari, sepse ari humbet e gjetet, ndërsa koha nëse humbet kurrë nuk mund të rikthehet.