Amër Halid Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Pasojat e mospërfilljes së urdhrave të Allahut
Dëgjoni me vëmendje këtë që po ua përkujtoj, prej pasojave të mospërfilljes së urdhrave të Allahut, që ta kuptoni rrezikun, e menjëherë t’i urreni mëkatet dhe t’i çrrënjosni nga zemrat e juaja.
Prej pasojave dhe të këqijave të mëkateve janë:
- Hidhërimi i Zotit të Lartmadhëruar
Pejgamberi s.a.v.s. thotë: Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:
“Unë jam Allahu, nuk ka zot pos Meje, nëse përfillen urdhrat e Mia, atëherë Unë jam kënaqur, nëse Jam i kënaqur bekoj dhe jap të mira, ndërsa të mirat e Mia nuk kanë fund, ndërsa nëse nuk përfillen urdhrat e Mia hidhërohem, e kur të hidhërohem dënoj”.
- Urrejtja e muslimanëve ndaj tij
Imami shafiu r.a. ka thënë: “Çdonjëri prej jush le të ruhet prej mallkimit të zemrave të muslimanëve, ndërsa ai nuk e di (nuk e heton). Kur e pyetën se, si ndodhë kjo? Është përgjigjur: Nuk i përfillë urdhrat Allahut, e Allahu krijon urrejtje në zemrat e besimtarëve ndaj tij”.
- Pakësimi i rizkut
Transmetohet nga Thubani r.a. se Muhamedi a.s ka thënë:
“Njeriut i pakësohet rizku, për shkak të mëkatimit të tij. Ndërsa nuk i kthehet ajo sasi vetëm se nëpërmjet duasë, po ashtu jetën e zgjat vetëm mirësia”.
(Ahmedi 2135, Ibn Maxhe, 4012)
Transmetohet prej Ibn Abasit r.a.se ka thënë:
“Vërtet e mira …, e shton dhe e zgjeron rizkun,
Vërtet e keqja …, e pakëson rizkun”.
- Pakësimi i diturisë
Imam Shafiu i ka thënë këto vargje:
U ankova te Allahu për vështirësi në të mbajturit përmendësh
Më udhëzoi që të largohem prej mëkateve
Më tha: Dituria është dritë
Ndërsa drita e Allahut nuk i dhurohet mëkatarit.
- Ndjeshmëria e distancës së madhe mes robit dhe Allahut të Lartmadhëruar
Mëkatari e ndien thellë në shpirt se është larguar nga Allahu i Lartmadhëruar dhe kjo largësi nëse vendoset në një peshojë, atëherë tërë kënaqësia e kësaj bote nuk do ta peshonte, apo nuk do ta kompensonte hidhërimin e Allahut të Lartmadhëruar ndaj tij.
- Ndjeshmëria e distancës së madhe mes robit dhe njerëzve
Transmeton Ibn Umeri r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Pasha Atë (Allahun) që shpirti i Muhamedit është në dorën e Tij, çfarëdo ndarje në mes të dy dashamirëve nuk ndodh, pa bërë mëkat ndonjëri prej tyre”.
Transmeton Enesi r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Çfarëdo ngjarje në mes dy dashamirëve që ndodh, ndodh për shkak të mëkateve të ndonjërit prej tyre”.
Disa prej dijetarëve të gjeneratave të para kanë thënë:
“Unë bëj mëkat, ndërsa atë mëkat e kuptoj se e kam bërë nëpërmjet sjelljeve të gruas ndaj meje dhe nëpërmjet kafshës sime ndaj meje”.
- Pafytyrësia, padrejtësia dhe dobësimi i trupit
Ibn Abasi r.a. ka thënë:
“Vërtet mirësia është zbardhje e fytyrës, dritë e zemrës, zgjerim i furnizimit, fuqi në trup dhe dashuri në zemrat e tjerëve. Ndërsa, e keqja është nxirje e fytyrës (pafytyrësia), errësirë e zemrës, pakësim i rizkut dhe urrejtje në zemrat e njerëzve”.
Vëlla!
Vështro të gjitha këto pasoja të mëkateve, pas të gjitha këtyre – a ka vend për ndokënd për të mos i përfillur urdhrat e Allahut të Lartmadhëruar?!
Pa dyshim, çdo e keqe që u ndodh njerëzve, është shkak i mëkateve të tyre.
8. Pengimi i devotshmërisë dhe shpierja në mëkate më të mëdha
Mëkati pengon devotshmërinë, në të njëjtën kohë shpie në mëkat më të madh. Mëkatari pengohet në falje të namazit p.sh: namazit të sabahut, ose namazit të natës, bile e shtinë njeriun ta kalojë natën në lojëra të ndaluara, ta kalojë natën me shejtanët, Zoti na mbrojt prej tyre!
Mëkatari prodhon mëkatarë, ai i tërheq edhe të tjerët në mëkate, kështu që bëhet varg zinxhiror i mëkateve.
- Sjellja e nënçmimit, poshtërimit dhe e humbjes së vlerës te Allahu i Lartmadhëruar
Mëkati është shkak i nënçmimit dhe poshtërimit, shkak i humbjes së vlerës, andaj devotshmëria sjellë begati dhe lartësi, ndërsa mëkati sjellë nënçmimin dhe Xhehenemin. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Cilin e nënçmon Allahu, ai nuk mund të lartësohet”.
(El-Haxh, 18)
Zoti i Lartmadhëruar po ashtu thotë:
“Ai i cili dëshiron forcë, fuqi e lartësi, le ta dijë se Allahu ka forcë, fuqi e lartësi mbi të gjithë”.
(Fatir, 10)
Transmeton Ibn Umeri r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Jam i dërguar para Ditës të Kijametit me shpatë, deri sa të mos adhurohet vetëm Allahu dhe të mos i bëhet shok Atij. Rizku im është nën hijen e shigjetave të mia, ndërsa nënçmimi dhe poshtërimi është me ata të cilët i kundërshtojnë urdhrat e mia dhe kush dëshiron t’i ngjasojë dhe t’i përngjajë një populli, atëherë ai është prej atij populli”.
Transmeton Temimë Ed-Dariji se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë:
“Do të kumtohet kjo çështje ashtu qartë, siç dallohet nata prej ditës. Allahu nuk do të lejë asnjë shtëpi në të cilën do të depërtojë feja e Tij, e të mos i lartësojë të lartësuarit ose të mos i nënçmojë të nënçmuarit, pra Allahu e ngritë dhe lartëson islamin dhe ata të cilët besojnë”.
Pastaj ka treguar Temimë Ed-Dariu se këtë e kanë përjetuar dhe e kanë kuptuar nëpërmjet familjes dhe farefisit tim. Ata të cilët e kanë pranuar islamin janë ngritur, janë nderuar, janë lartësuar dhe u janë dhënë të gjitha të mirat, ndërsa ata të cilët nuk kanë besuar i ka kapluar nënçmimi, poshtërimi dhe xhizja. (Musnedi i Imam Ahmedit, 16344)
Hasan El-Basriu (në lidhje me këtë) ka thëne: E kanë nënvlerësuar dhe kanë bërë gabime, po ta kishin çmuar, dhe ta kishin ngritur fenë e tyre, ajo do t’i kishte mbrojtur.
Disa prej dijetarëve të gjeneratave të para kanë bërë këtë lutje:
“O Zoti im më ngrit me dëgjueshmërinë ndaj Teje dhe mos më poshtëro me gabimet e mija ndaj Teje”.
Vëlla!
Nëse mëkatari vishet me rrobat më të shtrenjta, nëse banon në pallatet më të mira, nëse posedon veturat më të mira, prapë se prapë nënçmimi i gabimit gjendet në zemrën e tij dhe është i pandashëm. Prandaj, mos u mashtro me formën dhe pamjen e jashtme të tij, ose buzëqeshjet dhe të qeshurit e tij, sepse ai në mbrëmje kur të shkojë në shtëpinë e tij, nënçmimi i mëkatit ia ka mbuluar zemrën e tij.
- Kanosja e shkatërrimeve në tokë
Prej pasojave të mëkateve është edhe kanosja e shkatërrimeve në ujë, në qiell, në perime, në pemë, në banesa etj. etj.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Është paraqitur shkatërrimi në tokë e në det, për shkak të veprimit të njerëzve (gabimeve), për ta shijuar atë çka vetë e kanë vepruar, ndoshta do të kthehen (pendohen)”. (Err-Rrum, 41)
“Nuk ju kemi bërë padrejtësi atyre, por ata iu kanë bërë padrejtësi vetës së tyre”. (En-Nahl, 118)
Vëlla!!
Mëkatet janë si plagët, në shumicën e rasteve ka plagë të vdekjes, falë Zotit ne nuk kemi plagë të vdekjes, mirëpo prapë se prapë plagët tona po rrjedhin, andaj e kemi për detyrë që sa më parë t’i shërojmë me pendim, para se të marrin përmasa të mëdha, të cilat na shpien në shkatërrim. Zoti na mbrojt prej shkatërrimit dhe Xhehenemit!
Vëlla!!
Në disa raste ne shikojmë çka na ka ndodhur, ose çka ju ka ndodhur njerëzve dhe me habi themi: Pse o Zot të na ndodhë kjo!? Ndërsa, ne harrojmë se çka kemi vepruar më herët; ne harrojmë se i kemi bërë padrejtësi vetës sonë; ne harrojmë çka kemi vepruar, ndërsa vetëm pyesim se çka na ka ndodhur!
Për Zotin, çdo pasojë (shkatërrim) që ta shohësh është për shkak të mëkatit. Mos thuaj: pse këtij i ndodhi kjo?! Mos thuaj: përse më ndodhi mua kjo?! Por, duhet ai dhe ti, të mendoni për mëkatet e juaja, e pastaj ta akuzoni veten për mëkate dhe neglizhencë.
Transmeton Ebi Musa se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Çka e kaplon robin, prej tragjedive dhe fatkeqësive, është vetëm shkak i mëkateve, ndërsa çka falë Zoti është falje më e madhe”.
Aliu r.a. ka thënë:
“Çdo bela apo sprovë ndodh për shkak të mëkateve dhe çdo bela apo sprovë tejkalohet vetëm me pendim”.
- Përfundimi i keq
Njëra prej pasojave më të rrezikshme të mëkateve është përfundimi i keq, pra përfundimi i mëkatarëve është përfundim i keq. Atëherë të tradhton gjuha, kur ke nevojë më së shumti për të, prandaj nuk ke mundësi të shqiptosh Shahadetin (La ilahe il-lallah Muhamedun resulullah) pranë vdekjes, e kjo është shkak i mëkateve! I thuhet mëkatarit: Thuaj La ilahe il-lallah, e ai nuk mundet, sepse gjuha nuk ia thotë, pse gjuha i është shtangur dhe përgjigjen e vërtet s’ka mundësi ta thotë, thua se në gjuhën e tij është ngarkuar një kodër.
A e dini pse?!
Kjo është pasojë e mëkateve të cilat e kanë shpjerë në greminë të thellë të shkatërrimit. Zoti na mbrojt nga mëkatet dhe shkatërrimi!
Vështro dhe analizo!
Një njeri të cilin e kam njohur më ka thënë:
“Isha në aeroplan me disa shokë të pasur dhe biznesmenë dhe derisa qëndroja, kur në karrigen pranë, njërit i erdhi shtangimi i vdekjes, kur njëri prej shokëve e hetoi dëshiroi t’ia përkujtojë fjalën “La ilahe il-lallah”.
Ai thoshte: – Më jep çantën.
– Thuaj: “La ilahe il-lallah”.
Ai thoshte: – Ma jep çantën.
– Thuaj: “La ilahe il-lallah”.
Çdoherë kur i shtanguari për vdekje dëshironte ta thoshte Shahadetin, nuk mundej dot, kështu që ishte e pamundur të thoshte “La ilahe il-lallah”!
Vëlla!
Mos u bën prej atyre që kur është diku që nuk ka prani të njerëzve bën mëkate, e kur të jetë në prani të njerëzve, atëherë ndalet. Këtë kategori të njerëzve Allahu e urren shumë.
Transmeton Thubani se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Do t’i kuptoni disa grupe njerëzish prej umetit tim të cilët në Ditën e Kijametit do të vijnë me punë të mira aq shumë, sa kodra, ndërsa Allahu do t’i bën pluhur e hi, të pavlefshme”.
Thubani e ka pyetur: – O i dërguar i Allahut, na cilëso ata, na sqaro kush janë ata, që të mos jemi ne prej tyre, duke mos ditur.
U përgjigj i Dërguari: “Ata janë vëllezërit e juaj dhe prej juve, qëndrojnë me ju natën, ashtu siç mendoni ju, por ata janë popull që kur të jenë të vetmuar i thyejnë ligjet e Allahut dhe bëjnë harame”.
Vëllezër!
Ruajuni nga mospërfillja e ligjeve të Allahut haptazi dhe fshehtazi, ruani dhe mos i veproni të ndaluarat atëherë kur jeni të vetmuar e nuk e di askush!
A nuk i patë pasojat dhe rreziqet e mëkateve?!
A nuk na paralajmërojnë këto pasoja të mëkateve dhe gabime që sa ma shpejt të angazhohemi e t’i lëmë ato?
A nuk na bëjnë me dije këto pasoja që t’iu tregojmë të gjithë njerëzve, t’ua tërheqim vërejtjen, t’i qortojmë, t’i thërrasim dhe t’u përkujtojmë?!
Shiko!
Ndonjëherë nuk përfillë urdhëratë e Allahut, ndërsa Allahu është i butë, të bën mirë, pastaj prapë mëkaton, ndërsa Allahu është i butë të bën mirë, të len hapësirë dhe të jep shansin të pendohesh, Allahu nuk të dënon menjëherë, e prapë ti mendon keq dhe e keqkupton Allahun. Allahu nuk është i kënaqur kurrë me të keqen dhe imoralitetin. Allahu kurrë nuk dëshiron t’i thyejë dikush ligjet dhe urdhrat e Tij.
Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se e ka dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë:
“Zoti urren, e urrejtja e Zotit është mbi ata të cilët veprojnë harame dhe nuk përfillin urdhrat e Tij”.
(Sahih Buhari, 4822)
E vërteta të cilën duhet ta dish o mëkatar është se Allahu është i butë, i urtë dhe dëshiron që të të bëjë mirë. Ti je në njërën prej fazave të cilat i ka parapa Allahu deri në vdekje, e pranë vdekjes nuk mund t’i shpëtosh dënimit të Allahut, pranë vdekjes nuk të bën asgjë dobi.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“E ti kurrsesi mos mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët. Ai është vetëm duke i lënë ashtu (e vonon afatin) deri në (do tu vijë) ditën kur sytë e tyre do të jenë të shtangur. ( Atë ditë) ata të ngutur e duke i ngritur kokat e tyre lartë, nuk mund të lëvizin sytë e tyre, e zemrat e tyre janë të zbrazëta ( nga frika e trishtimi)”.
(Ibrahim, 42, 43)
“Ndërsa ata që i konsiderojnë gënjeshtra ajetet dhe argumentet tona, Ne do t’i shpijmë në humbje, gradualisht (hap pas hapi) kah nuk e kuptojnë ata”.
(El-E’araf, 182, 183)
“Dhe kur definitivisht harruan atë me çka u këshilluan (ti drejtohen Zotit), Ne ua hapëm të gjitha dyert e të gjitha çështjeve (begative), e ata u gëzuan e u dëfryen për së tepërmi, e ne befasisht i dënuam e ata mbetën të zhgënjyer”.
(El-En’amë, 44)
Vëllezër!
A po e kuptoni se në sprovën të cilën jemi ne, është mëshirë e Zotit ndaj nesh.
A e dini se Allahu i Lartëmadhëruar sikur të hidhërohej me këtë umet do t’i jepte të mirat e dynjasë, ashtu siç u ka dhënë popujve tjerë.
Mirëpo, Allahu i Lartmadhëruar i kupton, kështu që i dëmton vetëm pjesërisht, për shkak të disa mëkateve të tyre, vetëm e vetëm t’ua përkujtojë atyre dhe t’ia tërheqë vërejtjen që të kthehen dhe orientohen sinqerisht në rrugën e vërtet, dhe të pendohen.
Allahu i Lartëmadhëruar ka thënë:
“Është paraqitur shkatërrimi në tokë e në det për shkak të veprimit (të këqijave) të njerëzve, për ta shijuar atë çka vetë e kanë vepruar, ndoshta do të kthehen (pendohen)”. (Err-Rrum, 41)
Po sikur Allahu të na jepte të gjitha të mirat e botës, pasi që ne mëkatojmë, do të na jepte një afat, e pastaj do të na kishte dënuar befasisht, do ta kishte fundosur tokën në tërësi dhe do të kishim qenë popull i harruar njëherë e përgjithmonë. Zoti na mbrojt nga hidhërimi i Tij dhe dënimi për shkak te këqijave të robërve të Tij.
Mirëpo, Allahu i Lartmadhëruar e do këtë popull, këtë mund ta marrim si forcë e shpresës të cilën ia ka dhuruar Allahu këtij umeti, ashtu që zbret dënimi mbi ju o muslimanë, mëshirë për ju, këshillim për ju.
Vëllezër!
Shpresoj që secili prej jush, i cili vazhdimisht ka bërë mëkat që prej sot të pendohet dhe të vendosë që kurrë mos të kthehet në ato mëkate, pra të pendohet sinqerisht dhe të takohet i pastër me Allahun e Lartmadhëruar.
Vëllezër!
Umeti ynë nuk mund të qëndrojë në këmbë (nuk mund të jetë i fortë) deri sa ne vazhdimisht bëjmë mëkate.
Kjo nuk do të thotë se kurrë nuk do të bëjmë mëkate, ose nuk do të bëjmë tjetër herë gabim. Jo, deri sa jemi krijuar njerëz, nuk jemi të siguruar dhe të mbrojtur që kurrë të mos gabojmë, por qëllimi është – që të angazhohemi shpirtërisht për të mos bërë mëkate, e nëse mëkatojmë, atëherë menjëherë të pendohemi, që të mos lejojmë që mëkatet t’i udhëheqin zemrat tona dhe t’i largojnë nga rruga e Allahut të Lartmadhëruar. Transmeton Enesi r.a se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Do të gabojë çdo bir i Ademit, por gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen”.
(“Suneni i ibni Maxhes”, 4241)
(“Sahih El-Xhamie lil alamete Albani”, 4515)
…