Keab bin Maliku r.a. dhe pendimi i tij

Amër Halid

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Keab bin Maliku r.a. dhe pendimi i tij

 

Vëlla!!

Çka mendon, cila është dita më e mira e jetës sate: dita e shpëtimit, apo dita e martesës, apo dita e krijimit (lindjes)?

Nëse ke mendje të shëndoshë dhe zemër të pastër do të kishe thënë se dita më e mira e jetës tënde është dita e pendimit te Allahu i Lartmadhëruar, kur e dëgjon Atë dhe largohesh prej mëkateve.

Dita më e lumtur dhe më e mira e Keab bin Malikut ka qenë dita kur është penduar te Zoti i Lartmadhëruar!

Ka bërë gabim të madh, por pa qëllim.

Ai ka ikur prej luftës së Tebukut dhe nuk ka marrë pjesë. Muhamedi a.s. i urdhëron sehabet për ta lëçitur (për ta izoluar) për t’i bërë bllokadë. Atë e lëçitin shokët 50 ditë.

Ai pikëllohet shumë dhe e ndien veten fajtor pa masë, për atë shkak ka përjetuar vuajtje të mëdha shpirtërore, mirëpo ai e pranon fajin dhe pendohet te Zoti i Lartmadhëruar, e Ai ia pranon pendimin.

Keab bin Maliku transmeton se: Deri  në luftën e Tebukut kam marrë pjesë në të gjitha luftërat të cilat i ka zhvilluar Muhamedi a.s. , përpos në Luftën e Bedrit, Muhamedi a.s. nuk e ka qortuar asnjërin, i cili nuk ka marrë pjesë në Luftën e Bedrit. Ai ka kërkuar devenë e ngarkuar me mallra, ndërsa edhe kurejshitët kishin dalë për të kërkuar karvanin e tyre dhe janë takuar befasisht, pa e pritur njëri-tjetrin, ashtu siç e ka treguar Zoti i Madhëruar në Kur’an. Pasha jetën time, fytyra më e ndritur e Muhamedit a.s. ka qenë në Luftë e Bedrit. Atë që dua të them është se, kam qenë pjesëmarrës atë ditë kur është bërë besëlidhja në Akabe, kur e kemi pranuar islamin dhe prej atij momenti nuk jam ndarë prej Muhamedit a.s. deri në Luftën e Tebukut, e cila ka qenë lufta e fundit e tij. Atë ditë Muhamedi a.s. ka bërë thirrje për marshim … dhe e tregon hadithin deri në fund. Pastaj thotë: Kam shkuar te Muhamedi a.s., deri sa ai ishte ulur në xhami, ndërsa shokët e tij  qëndronin për rreth, fytyra i shndriste ashtu si shndritë hëna, ndërsa kur kishte lajme të mira shkëlqente. Jam ulur pranë tij, e ai më tha: “Përgëzim për ty o Keab bin Malik! Kjo është dita më e mira për ty prej asaj dite kur të ka lindur nëna. I kam thënë: O i Dërguar i Allahut, prej Allahut kjo apo prej juve? – Prej Allahut, u përgjigj Pejgamberi a.s., pastaj lexoi ajetet:

“All-llahu ia fali Pejgamberit edhe muhaxhirëve, edhe ensarëve, të cilët në çastin e vështirë shkuan pas tij, kur (nga vështirësitë) zemrat e një grupi nga ata, gati u lëkundën, por Ai ua fali (i stabilizoi zemrat e tyre) atyre. Vërtet Ai është i butë, i mëshirshëm ndaj tyre.

(Ai u fali) edhe atyre të treve, të cilëve iu pat shtyrë aq (pranimi i pendimit) sa që toka u bë e ngushtë për ta, përkundër gjerësisë së saj, kur u ngushtuan edhe shpirtrat e tyre sa që u bindën se nuk ka strehim prej All-llahut (tjetër ku) pos te Ai. Prandaj edhe atyre ua fali ai, në mënyrë që të pendohen. All-llahu pranon pendimin se është mëshirues”.

(Et-Tevbe, 117, 118)

deri tek pjesa përfundimtare e ajetit:

“… Vërtet Allahu pranon pendimin, Ai është i Mëshirshëm”.       (Et-Tevbe, 118)

Ai tregon se për shkak të tij dhe tjerëve ka zbritur ajeti:

“Frikësohuni prej Allahut dhe radhituni me të sinqertit”

(Et-Tevbe, 119)

Vazhdon duke treguar:

I thashë o i Dërguar i Allahut, jam penduar dhe kam thënë se gjithmonë do ta flas të vërtetën, unë tërë pasurinë time e jap sadaka për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Muhamedi a.s. më ka thënë: Vetëm një pjesë mbaje për vete se ke nevojë vet. Unë i thashë: Do ta marr vetëm sasinë e fituar në Hajber. Pastaj tregon Keabi se:

Pas islamit begatia më e madhe për mua ka qenë, begatia kur Muhamedi a.s. ka nxjerrë në dritë të vërtetën për mua dhe shokët e mi. Ne nuk kemi gënjyer, se për ndryshe do të ishim shkatërruar. Shpresoj se askush nuk ka rënë në sprovë me të Dërguarin e Allahut ashtu siç jam sprovuar unë. Prej atij momenti kurrë nuk kam tentuar të gënjej dhe shpresoj se Allahu do të më ruaj edhe në të ardhmen”.

(Buhariu, 4066. Muslimi, 4973. Tirmidhiu, 3027)

Vëlla!!

Bëhu si Keab bin Maliku r.a., që për ty të jetë dita më e lumtur – dita kur sot pendohesh dhe kthehesh te Zoti i Lartmadhëruar, bëhesh i dëgjueshëm ndaj Tij, i nënshtrohesh dhe largohesh prej mëkateve.

Vëllezër!!

Le të pendohet secili anëtar i umetit të Muhamedit a.s. te Allahu i Lartmadhëruar, le t’i çrrënjosin mëkatet, le t’i kthehen devotshmërisë, le ta lusin Allahun që ta ngrit islamin dhe muslimanët dhe mos t’i ulë kurrë.

Që tani të pendohemi te Allahu i Lartmadhëruar.

Aliu r.a. tregon se: Kam dëgjuar një hadith prej Muhamedit a.s., i cili hadith më ka bërë dobi sa ka dashur Allahu. Kur ndonjëri prej sehabeve më ka treguar ndonjë hadith, kam kërkuar prej tij që të përbetohet. Pasi që është përbetuar i kam besuar. Më ka treguar dhe e ka thënë të vërtetën Ebu Bekri, se e ka dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë:

“Çdo musliman i cili gabon, pastaj pastrohet, falet dhe kërkon falje te Allahu, Ai ia pranon. Pastaj e ka lexuar ajetin:

  1. Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetës së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në ata që kanë punuar (në të keqen).
  2. Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj e aty do rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë.

(Ali Imran, 135,136)

 

Sipas rivajetit të Ebu Davudit:

Muhamedi a.s. ka thënë: “Çdo rob i cili bën ndonjë gabim, le të pastrohet mirë, pastaj le të ngritet, le t’i falë dy rekate, pastaj le të kërkojë falje prej Allahut se Allahu ia falë atij”. Pastaj e ka lexuar këtë ajet:

  1. Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetës së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në ata që kanë punuar (në të keqen).
  2. Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj e aty do rrinë përgjithmonë, sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë”.

(Ali Imran, 135, 136)

Lini një koment