Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Renditja e objektivave
Kjo përmban dy çështje:
E para: Tri kategoritë e objektivave të sheriatit nuk janë të pavarura nga njëra-tjetra, por janë plotësim i njëra-tjetrës.
Mirëpo domosdoshmëritë janë bazë e të gjitha objektivave të sheriatit. Ato janë bazë edhe e nevojave edhe e zbukurimeve. Kush e paralizon themelin, automatikisht i ka paralizuar edhe tjerat sepse ato (domosdoshmëritë) janë si farzet, ndërsa nevojat janë sikurse nafilet, përderisa zbukurimet janë sikurse çështjet e rëndësishme të cilat nuk janë nafile.
Sa i përket nevojave dhe zbukurimeve, ato janë për të mos lejuar rrënimin e domosdoshmërive. Ato janë si mbrojtës rreth greminës që nuk lejojnë rënien në greminë, kështu që nevojat dhe zbukurimet e luajnë rolin e mbrojtësit të domosdoshmërive, me një fjalë janë lloj prej llojeve të mbrojtësit të domosdoshmërive.
Nga kjo kuptohet se, domosdoshmëritë janë më të rëndësishme se nevojat (nevojshmëritë) sepse mbi to qëndron ekzistenca e jetës dhe me mungesën e tyre paralizohet jeta. Përderisa në mungesë të nevojave rezulton vuajtje, ngushtim dhe vështirësim të jetës por nuk kemi paralizim të sistemit të jetës.
Sa i përket zbukurimeve, me mungesën e tyre nuk rezulton paralizimi i sistemit të jetës dhe as nuk kemi rënie në pozitë të vështirë dhe në vuajtje, por rezulton mosngritja në programin e përsosmërisë jetësore.
Në bazë të kësaj, ligjet e sheriatit për sigurimin e domosdoshmërive janë ligjet më të rëndësishme, pastaj pasojnë ligjet e nevojave, sepse ato i plotësojnë domosdoshmëritë, pastaj ligjet e zbukurimeve sepse ato i plotësojnë nevojat. Baza ka prioritet ndaj plotësueses, nuk kemi për qëllim plotësimin e cila ka përparësi ndaj nevojave dhe zbukurimeve sepse domosdoshmëria mund të asimilohet me asimilimin e plotësimeve të tyre, për këtë arsye kërkohet që të kujdeset dhe të ruhen ato. Nga këtu, kategoria e domosdoshmërive është pjesë e çdo populli, saqë për to nuk kanë mospajtime popujt, ashtu siç kanë mospajtime në çështjet sekondare, siç ka thënë Shatibiu: “Ato (objektivat) janë bazat e fesë, rregullat e sheriatit dhe çështjet e përgjithshme të popujve”.
Nga kjo rezulton se: nuk merret parasysh ligji i zbukurimeve nëse duke u përkujdesur për to vjen deri te dëmtimi i ligjeve të nevojave dhe domosdoshmërive, si p.sh., lejohet zbulimi i organeve në raste nevoje ose domosdoshmërie, në rast operacioni apo kontrollimi mjekësor për sëmundje dhe për shërim të sëmundjeve sepse për të siguruar shëndetin është domosdoshmëri dhe mbulimi i organit intim është prej zbukurimeve dhe as që merret parasysh kur të jetë në pyetje nevoja apo domosdoshmëria, sepse sigurimi i jetës është domosdoshmëri. Mënjanimi i ushqimeve të përbuzura ose ndalimi i mishit të cofëtinës janë prej zbukurimeve.
Është lejuar shitblerja inekzistente në aktin e blerjes së mallit me porosi, ose me huazim dhe paradhënie të prodhimit industrial dhe merret parasysh kontrata në agronomi edhe nëse nuk dihet sasia e cila do të prodhohet. Është lejuar shitblerja e sendit joprezent sepse prezenca e mallit dhe njohuria e sasisë janë prej zbukurimeve. Dhe këto veprimtari janë veprimtari të nevojave, nëse mungojnë vështirësohet gjendja e njerëzve, kështu anashkalohen ligjet e zbukurimeve në barrë të realizimit të nevojave.
Po ashtu, nuk merret parasysh ligji i nevojës nëse e paralizon ligjin e domosdoshmërisë sepse largimi i vështirësisë është nevojë, ndërsa kryerja e farzit është domosdoshmëri. Prej të ngarkuarve kërkohet kryerja e farzeve, edhe pse sjellin një lloj vështirësie ato janë obligime sepse farzi është prej domosdoshmërive. Largimi i vështirësive është prej nevojave. Namazi është domosdoshmëri, të drejtuarit në drejtim të Qabes është nevojë e cila plotëson domosdoshmërinë. Nuk është e drejtë (nuk lejohet) që falësi i cili është i sigurt se në cilin drejtim është Qabeja të falet në drejtimin tjetër, ndërsa nëse nuk është i sigurt se në cilin drejtim është Qabja, mjafton dhe i lejohet.
E dyta: Në sferën e domosdoshmërive merret parasysh cila është më e rëndësishme se tjetra sepse kjo është në sferën çështjes së plotësimeve.
Nuk sigurohet çështja e cila e shkatërron një çështje më të rëndësishme. Xhihadi, edhe pse shpie në humbjen e jetës e kështu cenohet sigurimi i jetës e cila është çështje domosdoshmërie, prapëseprapë ajo shkrihet në rrugën për të mbrojtur fenë, dhe nëse na sulmojnë armiqtë, dhe në këtë rast është obligim t’i luftojmë ata në mënyrë që të mbrojmë fenë sepse sigurimi i fesë është më i rëndësishëm, dhe kësisoj rrëzojmë ligjin e sigurimit të jetës për të siguruar fenë.
Lejohet pirja e alkoolit në rast dhune apo domosdoshmërie me qëllim që të sigurohet jeta sepse sigurimi i jetës është më i rëndësishëm se sigurimi i mendjes.
Lejohet dëmtimi i mallit të tjetrit nëse njeriu kërcënohet për ta dëmtuar sepse sigurimi i jetës ka përparësi ndaj sigurimit të pasurisë.
Renditja e rëndësisë së domosdoshmërive, apo pesë çështjeve vitale janë si në vijim:
- sigurimi i fesë,
- sigurimi i jetës,
- sigurimi i mendjes,
- sigurimi i pasardhësve,
- sigurimi i pasurisë.
Disa prej dijetarëve të usulit, si Gazaliu, i japin përparësi pasardhësve ndaj pasurisë.
E treta: Llojet e objektivave (interesave) varësisht atij kolektiv apo individual.
Në bazë të këtij kandari, interesat ndahen në:
- të përgjithshme,
- të veçanta.
Interesa të përgjithshme, janë interesat të cilat kanë të bëjnë për të gjithë umetin, apo e mira dhe dobia e pjesës më të madhe të shoqërisë.
Shembull: Mbrojtja e vendeve nga armiku, mbrojtja e përçarjes së umetit, moslejimi i zhdukjes së fesë.
Ruajtja e Kur’anit nga faktorët të cilët dëshirojnë ta dëmtojnë. Mbrojtja e sunetit nga hadithet e shpikura. Ruajtja e dy vendeve të shenjta, Mekes dhe Medines, që të mos bien në duar të armikut.
Interesi i veçantë, është interesi individual ose i një grupi të vogël të individëve, si f.v., ligjësimi i marrëdhënieve reciproke.
E katërta: Llojet e objektivave (interesave) varësisht prej nevojës.
Varësisht prej nevojës së sjelljes së dobisë dhe largimit të dëmit, interesat ndahen në:
- Interes i sigurt,
- Interes jo i sigurt dhe
- Interes iluzionarë.
Interes i sigurt: Është interesi të cilin e tregon teksti në mënyrë të prerë, i cili tekst nuk lejon alternativë tjetër.
Shembull:
فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَّقَامُ إِبْرَاهِيمَ ۖ وَمَن دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا ۗ وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًا ۚ وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنِ الْعَالَمِينَ
“Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai i sigurt. Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.” (Ali Imranë : 97)
Ose që e tregojnë argumentet e shumta në mënyrë të vazhdueshme dhe e mbështesin atë interes, siç janë pesë domosdoshmëritë apo pesë çështjet vitale të përmendura më parë ose ai interes që mendja (logjika) e dëshmon që me të realizohet dobi e madhe, ndërsa e kundërta (mosrealizimi) sjell dëme të mëdha, si f.v., luftimi i penguesve të zekatit, në kohën e Ebu Bekri Siddikit.
Interesat jo të sigurta, janë to për të cilat mendja logjikon se janë interes, si f.v., mbajtja e qenve rojtar para shtëpisë për mbrojtje të shtëpisë, ose ato që vijnë me argument jo të prerë nga Ligjvënësi, shembull, hadithi: Gjykatësi nuk gjykon kur të jetë në gjendje hidhërimi.
Interesat iluzionare, janë ide iluzionare për të cilat mendohet se sjellin të mira dhe dobi, ndërsa në të vërtetë sjellin dëm, si f.v., përdorimi i mjeteve narkotike si afioni, kokaina, heroina dhe kanabisi, dhe pirja e pijeve dehëse, siç janë pijet alkoolike dhe pijet tjera dehëse. Përdoruesi krijon opinion se është në dobi të tij, mirëpo dëmi është faktik dhe shkatërrimi është i sigurt, e dëmtojnë trupin, i plogështojnë eshtrat dhe shpijnë në paaftësi dhe paralizim, dhe veprimtaritë e njeriut në gjëra të tilla umetin e shpijnë në paaftësi, prapambeturi, dobësi, dhe e bëjnë të bie pre e armikut.