Objektivat e sheriatit – Kategorizimi

Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Objektivat e sheriatit – Kategorizimi

Llojet e interesave varësisht prej ndikimit të tyre në shoqëri

 

Na u bë e qartë se objektiv i sheriatit në ligjësim është sigurimi i shoqërisë mbarë botërore dhe kanalizimi i veprimeve të njerëzve në atë mënyrë që të mos lejohen të shkatërrohen. Kjo arrihet ose duke realizuar interesat ose duke e bërë largimin e dëmit. Pra, varësisht prej ndikimit të tyre në shoqëri dhe në individë.

 

Cilat janë llojet e interesave?

Interesat varësisht prej forcës së tyre dhe ndikimit të tyre ndahen në tri lloje:

  1. Domosdoshmëritë.

Interesat e domosdoshme janë interesa prej të cilave varet jeta e njerëzve në këtë botë dhe në botën tjetër, ashtu që nëse mungojnë, paralelizohet jeta në këtë botë dhe fillon shkatërrimi, humb e mira dhe begatia, dhe fitohet ndëshkimi në botën tjetër.

Këto domosdoshmëri janë pesë: sigurimi i fesë, identitetit, mendjes, pasardhësve dhe pasurisë. Këto janë kategoria më e fuqishme e interesave.

Mbi ta bazohet çështja e fesë dhe e kësaj bote, duke i siguruar ato garantohet çështja e shoqërisë dhe individit dhe me sigurimin e këtyre domosdoshmërive garantohet siguria. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا جَاءَكَ الْمُؤْمِنَاتُ يُبَايِعْنَكَ عَلَىٰ أَن لَّا يُشْرِكْنَ بِاللَّهِ شَيْئًا وَلَا يَسْرِقْنَ وَلَا يَزْنِينَ وَلَا يَقْتُلْنَ أَوْلَادَهُنَّ وَلَا يَأْتِينَ بِبُهْتَانٍ يَفْتَرِينَهُ بَيْنَ أَيْدِيهِنَّ وَأَرْجُلِهِنَّ وَلَا يَعْصِينَكَ فِي مَعْرُوفٍ ۙ فَبَايِعْهُنَّ وَاسْتَغْفِرْ لَهُنَّ اللَّهَ ۖ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ

“O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të japin besën se: nuk do t’i shoqërojnë asnjë send All-llahut; se nuk do të vjedhin; se nuk do të bëjnë kurvëri; se nuk do t’i mbysin fëmijët e tyre; se nuk do të gënjejnë me ndonjë shpifje për (fëmijën e huaj që kanë marrë) se është i tyre; dhe se nuk do të të kundërshtojnë në atë që i urdhëron, atëherë, prano zotimin e tyre dhe lute All-llahun t’i falë ato, se All-llahu është mëkatfalës dhe mëshirues.” (El-Mumtehine : 12)

Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm për gratë apo besimtaret siç vërtetohet në Sahihun e Buhariut.

Ligji, këto domosdoshmëri i siguron në dy aspekte:

  • aspekti i parë: ekzistimin dhe realizimin e tyre,
  • aspekti i dytë: vazhdimësia.

Aspekti i parë: Pozitiviteti i cili lidhet me përkujdesjen e tyre (domosdoshmërive), nga fakti se ekzistojnë.

Aspekti i dytë: Negativiteti, e cila ndërlidhet me mospërkujdesjen e tyre, siç ka thënë Shatibiu.

 

Feja dhe ekzistimi i saj: Zoti i Lartmadhëruar ka obliguar zbatimin e pesë shtyllave të islamit (adhurim dhe besim) dhe për të siguruar këtë çështje e ka ligjësuar xhihadin dhe ndëshkimin e atij i cili e paralizon duke tradhtuar. Duke plotësuar këtë domosdoshmëri duhet siguruar parimin e devotshmërisë dhe ruajtjen e çdo muslimani nga vetshkatërrimi.

 

Sigurimin e jetës: Zoti i Lartmadhëruar ka ligjësuar martesën, për të vazhduar kontinuiteti i llojit njeri me lindje të fëmijëve dhe me mbrojtjen e tyre. Zoti i Lartmadhëruar i ka paraparë domosdoshmëritë e ushqimit, pijes dhe veshmbathjes. Ka paraparë dënimin për vrasësin duke filluar prej hakmarrjes, DIJES dhe kompensimit. Me këtë mbrohet jeta dhe njerëzit.

 

Sigurimi i mendjes: Zoti i Lartmadhëruar ia ka dhuruar mendjen njeriut, Zoti i Lartmadhëruar ka lejuar çdo gjë që i shërben mendjes, si me zhvillimin edukativ ashtu edhe arsimor dhe shkencor, dhe fuqinë e tij, dhe ka ndaluar veprimet si f.v., pirjen e pijeve alkoolike dhe narkotike dhe ka paraparë dënim të caktuar kush i përdor pasi kështu garantohet mendja e cila është kandar i kryerjes së detyrave dhe obligimeve.

 

Sigurimi i  gjenit dhe nderit: Është ligjësuar martesa, ndërsa (Ligjvënësi) ka ndaluar shpifjen dhe prostitucionin, dhe ka paraparë masa ndëshkuese për ta siguruar atë (familjen) dhe kjo garanton mospërzierjen e farës dhe kontinuitetin e llojit njeri.

 

Sigurimi i Pasurisë: Zoti i Lartmadhëruar ka paraparë që të jetë obligim angazhimi për të siguruar furnizimin. I ka ligjësuar veprimtaritë reciproke në mes njerëzve duke filluar nga shitblerja, dhuratat, qiradhëniet, shoqëritë aksionare, huazimet, etj.

Për t’u siguruar pasuria, është ndaluar vjedhja dhe e ka paraparë ndëshkimin me prerje të dorës për vjedhësin dhe vjedhësen.

E ka ndaluar mashtrimin, tradhtinë, kamatën dhe ngrënien e pasurisë së njëri-tjetrit me padrejtësi. I ka paraparë garancionet në rast të prishjes së mallit pasi me këtë e mbron pasurinë e cila është e domosdoshme për njerëzit.

 

  1. Nevojat

 

Janë nevojat për të cilat kanë nevojë njerëzit në mënyrë që të kenë lehtësime dhe për largimin e vështirësisë, por mungesa e tyre nuk shkakton paralizimin e sistemit jetësor sikurse është rasti me domosdoshmëritë, por pasohet vuajtja dhe vështirësia, andaj nevojat vijnë pas domosdoshmërive. Të gjitha ligjësimet e sheriatit përfshihen brenda kornizës së largimit të vështirësisë në mënyrë që njerëzve t’u lehtësohet jetesa.

 

Në adhurime: është ligjësuar lehtësimi me shkurtim të namazit dhe bashkim të tyre për udhëtarët. Lejimi i mosagjërimit të muajit ramazan për të sëmurin dhe udhëtarin. Falja e namazit ulur për atë i cili nuk mund të falet natën (namaz nate). Lirimi total nga namazi për lehonën dhe gruan me menstruacion. Mes’hin mbi meste për rezidentin dhe për udhëtarin, e të ngjashme.

 

Në zakone: e ka lejuar gjuetinë dhe shfrytëzimin e të mirave për furnizim për ngrënie, pirje, veshmbathje dhe vendbanim.

 

Në marrëdhënie reciproke: janë lejuar kontratat të cilat plotësojnë nevojat e njerëzve, duke filluar nga kontratat e shitblerjes, kontratat e qiradhënieve, shoqëritë aksionare, garancionet, donacionet, siç janë lejuar rrugët e kryerjes së obligimeve, po ashtu është bërë lejimi nga detyrimet me prishje të kontratës dhe rastet përjashtuese dhe përfundimin e martesës me shkurorëzim në rast nevoje apo domosdoshmërie, autorizimin e kujdestarit për kurorëzim nga ana e vajzës për shkak se ajo ka nevojë të martohet me bashkëshort të përshtatshëm për të, e të ngjashme.

 

Në vepra penale: ka ligjësuar kujdestarin të falë në vend se të hakmerret, që familjarët të kenë të drejtë të marrin DIJEN dhe mosekzistimin e dënimeve të rënda nëse ekziston dyshimi, e të ngjashme.

 

  1. Plotësimet apo komoditetet.

 

Janë interesa që sjellin harmoni dhe me to pikësynohet që të veprohet me metodat zakonore dhe veprimet fisnikëruese, por nëse mungojnë nuk kanoset rreziku sikurse te domosdoshmëritë dhe nuk kanë të bëjnë me lehtësimin sikurse me rastin e nevojave, mirëpo nga këndvështrimi i të logjikshmëve jeta nuk është komode por është e vështirë.

Këto bëjnë pjesë në kategorinë e tretë dhe përfshihen në adhurime, zakone, në marrëdhënie reciproke dhe në vepra penale.

 

Në adhurime: janë ligjësuar pastrimet dhe mbulimi i trupit në namaz. Veshja e mirë dhe qëndrimi i mirë, dhe zbukurimi para çdo shkuarje në xhami apo në ndonjë vendtubim. Po ashtu edhe afrimi tek Allahu me llojet e adhurimeve si me namaze, agjërim dhe sadaka.

 

Në marrëdhëniet reciproke: ka ligjësuar ndalimin e blerjeve të sendeve të dëmshme dhe jo të pastra, ka ndaluar pengimin e ujit tepricë dhe kullosën tepricë. Po ashtu ka ndaluar blerjen e sendit të cilin është duke e blerë vëllai, ka ndaluar fejesën me të fejuarën e vëllait. Në jetën bashkëshortore, ka urdhëruar jetesën me butësi dhe bamirësi. Dhe që aktin (e kurorëzimit) e femrës mund ta kryej kujdestari – përpos te fukahatë hanefijë – për shkak të turpërimit, pasi gruaja zakonisht turpërohet që ta kryej aktin e kurorëzimit, ashtu siç ka urdhëruar të dëshmojnë dëshmitarët në kurorëzim që të ngrihet vlera e kurorëzimit, e raste tjera të ngjashme.

 

Në veprat penale: në luftë, ka ndaluar masakrimin, vrasjen e grave, fëmijëve dhe priftërinjve. Ka obliguar kryerjen e premtimeve. Ka ndaluar mashtrimin. Prej çështjeve të pëlqyera është edhe moslejimi i i paraqitjes së ngatërresave dhe mospjesmarrja në ngatërresa. Kjo është më e mirë se sa të jesh pjesë e ngatërresave dhe shkatërrimit.

 

  1. Plotësimi i interesave të mëparshme.

 

Zoti i Lartmadhëruar ka ligjësuar ligje tjera që t’i plotësoj llojet e objektivave të mëparshme të domosdoshmërive, nevojave dhe zbukurimeve, si plotësim të tyre dhe të cilat në esencë po që se mungojnë nuk lënë mangët ndonjë send.

 

Plotësimi i domosdoshmërive: e ka paraparë barazinë në realizimin e hakmarrjes e kjo është paraparë që të jetë ndëshkim dhe shërim, e dihet që kjo nuk arrihet përpos me barazi të plotë.Ky është plotësim për sigurinë e jetëve.

Po ashtu ndalimi i pirjes së paktë të alkoolit sepse shpie në pirje të shumtë, pastaj edhe analogohet me çdo pije dehëse, e kjo për të plotësuar sigurinë e mendjes.

Pastaj, ndalimi i shikimit të gruas së huaj (përpos me ato me të cilat të ndalohet martesa) dhe vetmimi me to, si masë parandaluese e cila ndalon prostitucionin. Kjo është plotësim i domosdoshmërisë për të siguruar pasardhësit duke e ndaluar prostitucionin.

Po ashtu, ligjësimi i ezanit dhe falja e namazit me xhematë, që të jetë si bazë e forcimit të fesë, që të plotësohet duke treguar simbolet dhe bashkimin.

Dhe për të pasur kujdes në dënime që të mos dëmtohet tepër pasuria e tjetrit, por kthimi i investimit të jetë në të njëjtën masë, siç është paraparë me rastin e prishjes së kontratës. Këto tre shembuj janë si plotësim i domosdoshmërisë së pasurisë së dy palëve. Po ashtu është ndaluar kamata si plotësim për sigurimin e pasurisë sepse pjesa shtesë e cila paguhet nga borxhmarrësi është shkapërderdhje pa nevojë, e cila është në kundërshtim me atë të cilin e parasheh ligji.

 

Plotësimi i nevojave: shembull, kushtëzimi që bashkëshortët të jenë të përshtatshëm për njëri-tjetrin, që të realizohet harmonia në mes tyre vajza e re martohet vetëm me të përshtatshëm dhe me mehrin e ngjashëm (të moshatareve të saja) sepse kjo është baza kryesore e cila pikësynohet me kurorëzim, edhe pse mund të ndodhë pa to, mirëpo ato e realizojnë kontinuitetin e martesës sepse nuk mund të vazhdoj jeta konstante pa plotësimin e nevojave te martesa e vajzës së re.

Kur Zoti i Lartmadhëruar i ka ligjësuar llojet e veprimeve të marrëdhënieve njerëzore mes vete si shitblerjen, qiradhënien, shoqëritë aksionare, etj., ka ligjësuar ligjet plotësuese për të ndaluar mashtrimet, ka ndaluar shitblerjen inekzistente, ka ndaluar shitblerjen e mallit pa i ditur karakteristikat e saj, prej atyre plotësimeve janë e drejta e zgjedhjes pasi që blerësi ta teston mallin, e drejta e zgjedhjes së kushtit për dy kontraktuesit, e kushtëzimi i kushteve në kontrata është bërë për t’i plotësuar nevojat e njerëzve për të mos lejuar krijimin e urrejtjeve dhe armiqësive.

Kur Ligjvënësi e ka lejuar shkurtimin e namazit gjatë udhëtimit, e ka plotësuar duke lejuar bashkimin e namazit përpos namazit të sabahut (nuk lejohet të bashkohet).

Kur Ligjvënësi ka ligjësuar tregtinë, e ka plotësuar duke e ndaluar lajkatimin, mashtrimin dhe tradhtinë, e të ngjashme.

Kur Ligjvënësi e ka lejuar shitblerjen, e ka plotësuar që të bëhet me dëshmitarë (kur jepet borxhi) me lënie peng dhe me autorizim.

Po të mos ishin ligjësuar këto ligje, në esencë nuk do të lejoheshin, por janë ligjësuar për lehtësim dhe tolerancë.

 

Plotësimi i zbukurimeve: si, rregullat e kryerjes së nevojës dhe çështjet e pëlqyera në pastërti dhe mosprishja e adhurimeve të cilat kanë filluar me ta. Pastaj, shpenzimi nga të mirat dhe fitimet në aktivitetet vullnetare dhe të lëmoshave. Përzgjedhja e kurbaneve sa më të mirë dhe “akikit” sa më të mirë. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

وَلَا تَيَمَّمُوا الْخَبِيثَ مِنْهُ تُنفِقُونَ وَلَسْتُم بِآخِذِيهِ إِلَّا أَن تُغْمِضُوا فِيهِ ۚ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ حَمِيدٌ

“E mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete pos symbyllas. Dhe dijeni se All-llahu nuk ka nevojë për ju, ngase është i Madhëruar.” (El-Bekare : 267)

 

Nevojat janë plotësim i domosdoshmërive. Zbukurimet janë plotësim i nevojave. Pa kurrfarë dyshimi se domosdoshmëritë janë baza e interesave.

Lini një koment