Tregimi i hulumtuesit të fesë së vërtetë – Selman Faresijut

Muhamed Eminë Xhundi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Tregimi i hulumtuesit të fesë së vërtetë – Selman Faresijut

 

Selmani ka qenë Persian nga qyteti Esbahan. Baba i tij gjithashtu ishte Persian nga qyteti Esbahan. Babai i tij ka qenë i pari i fshatit dhe Selmanin e ka  dashur me shumë  se  çdo gjë.  Ai ishte një zjarrputist dhe ishte ruajtës i zjarrit. Ai nuk e linte të fikej zjarri, sepse fshati e adhuronte zjarrin. Babai i Selmanit kishte një plantacion dhe një ditë i thotë Selmanit: “Shko dhe shikoje si janë të mbjellat.” Selmani duke shkuar gjatë rrugës e sheh një kishë krishtere, afrohet dhe i dëgjon njerëzit duke u lutur në të. Hyn brenda të shikojë se si falen. Kur i sheh, i pëlqen mënyra e lutjes së tyre, dhe lakmon në krishterizëm, e thotë:  “Për Zotin, kjo është më emirë se feja jonë.” Selmani qëndron me ta derisa perëndon dielli, dhe nuk shkon te plantacioni fare. Por, pasi i pëlqen feja krishtere i pyet ata për vendburimin apo bazën e fesë së tyre. I tregojnë se është në Siri. Kur Selmani kthehet në shtëpinë e vet i thotë të atit: “Unë kam kaluar pran  një grupi njerëzish, të cilët luteshin në kishën e tyre, dhe më pëlqeu lutja e tyre. Dhe e pash se feja e tyre është më e mirë se feja jonë.” I ati i thotë: “O biri im, ajo fe nuk është më e mirë se feja jote (zjarrputiste).” Selmani i thotë: “Fjala e Allahut është më e mire se feja jonë.” I ati i Selmanit as që e dëgjoi këtë arsyetim, por frikësohet se Selmani do të konvertohet në krishterizëm dhe për këtë arsye ia lidh këmbët dhe e mbyll në shtëpi. Selmani e dërgon një letër në krishterizëm dhe u tregon atyre se është konvertuar në krishterizëm. Në të, në mes tjerash, ka shkruar: “Nëse vjen nga Siria ndonjë delegacion, më lajmëroni, se unë dëshiroj të shkoj me ta në Siri.”

Kur ata i lajmërojnë, ai thyen zinxhirët, zgjidhet dhe shkon me atë delegacionin në Siri. Kur shkon në Siri pyet: “Cili është kryetari i kësaj feje?” Ata i thonë se kryesor është kryepeshkopi i kishës. Selmani shkon atje dhe i thotë atij: “Unë  e dua këtë fe dhe dëshiroj   të qëndroj me ju në kishën tuaj, që    të mësoj nga ju dhe të lutem me ty.” Kryepeshkopi i thotë: “Si urdhëro, hyr dhe qëndro me ne.” Selmani hyn dhe vazhdon të qëndrojë me të. Kryepeshkopi ka qenë njeri i keq. Ai urdhëronte tjerët për të paguar tatimin, pastaj ato i ndalte për vete, dhe nuk ua shpërndante të varfërve dhe nevojtarëve, deri sa  i tubon  shtatë duqe me ari dhe argjend. Për këtë Selmani e urrente pa masë.

Kur vdes kryepeshkopi tubohen krishterët për ta varrosur, por Selmani u thotë atyre: “Ky kryepeshkop ka qenë njeri i keq, ju ka urdhëruar të paguani tatimin e pastaj atë e tubonte vetëm për veten e tij dhe nuk ua ka shpërndarë të varfëve. Ejani të ju tregoj se ku e ka fshehur pasurinë e tubuar prej jush.” Kur shkojnë te ai vend, e shohin dhe i marrin të shtatë duqit të mbushura me ar dhe argjend, dhe thonë: “Për Zotin kurrë nuk do ta varrosim, por, përkundrazi, do ta lidhim, do ta kryqëzojmë dhe do ta gjuajmë me gurë.” Në vend të tij e emërojnë kryepeshkop një tjetër. Për dallim nga i pari ky ishte njeri i mirë i devotshëm në fenë e tij dhe e donte botën tjetër, për këtë arsye Selmani e donte shumë. Dhe ky ka qenë shkaku që Selamni të qëndrojë pranë tij një kohë të gjatë. Mirëpo, kryepeshkopi shtrihet në shtrat të vdekjes. E Selmani i thotë: “Kam qenë me ty, të kam dashur për së tepërmi, mirëpo caktimi  i Zotit, po e shoh se je para vdekjes, prandaj çfarë më kishe porositur, kujt t’i besoj?” Kryepeshkopi i thotë: “O biri im, unë nuk e di se ka njeri të mirë dhe besnik sikur unë, pos njeriut i cili banon në Musul.” Kur kryepeshkopi vdes Selmani shkon te ai njeri në Musul, dhe i tregon çka e ka porositur kryepeshkopi. Kështu Selmani qëndron pranë tij një kohë të gjatë deri sa edhe ky njeri vdes.

Para vdekjes Selmani e pyet: “Çka  me porosit dhe kujt  t’i besoj?” Kryepeshkopi i thotë: “O biri im , nuk njoh njeri më  të mirë se një njeri në Nesibejnë.” Kur vdes kryepeshkopi, Selmani shkon në Nesibejnë, e takon atë njeri dhe i tregon çka e ka porositur kryepeshkopi.

Pas një kohe edhe ky bie në shtrat të vdekjes, e Selmani i thotë: “Çka më këshillon, kujt t’i besoj?” Kryepeshkopi i thotë të shkojë te një njeri në Umerie të Bazantit. Selmani shkon te ai, qëndron me të dhe e sheh se ky ka qenë më i miri nga të gjithë të parët. Pastaj Selmani merret me tregti të bagëtisë, deri sa përfitoi shumë lopë e dele. Pastaj kryepeshkopi ra në shtrat të vdekjes, e Selmani i thotë: “Çka më kishe porositur, kujt ti besoj?” Ai i thotë: “O biri im nuk njoh ndonjë njeri të mirë që me të të kalosh mirë ashtu siq kemi kaluar ne të dy së bashku. Mirëpo, ka ardhur koha të vijë një pejgamber prej fesë së pastër të Ibrahimit, i cili do të vijë në vendet arabe, i cili do të emigrojë në një vend  ku  do të ketë hurma (Medinë). Ai do të ketë argumente të qarta. Ai nuk e pranon Sadakanë, por dhuratën po, në krah e ka vulën e pejgamberllëkut”. Pastaj kryepeshkopi vdes. Selmani hyp në një kafshë dhe pyet për gadishullin arabik se ku gjendet. Ai u thotë disa njerëzve: “Nëse më dërgoni deri në atë vend do t’u jap të gjithë lopët dhe delet e mia.” Ata pranuan. Tregon Selmani: “Ata më morën me vete deri në një kodrinë, atje më tradhtuan; më morën gjithçka kisha dhe më shitën si rob te një Jehudi. Kur më mori Jehudiu në kopshtin e tij, pashë shumë hurma, mendova se mos vallë është vendi të cilën ma ka përshkruar kryepeshkopi dhe se në këtë vend do të emigrojë Pejgamberi i pritur, mirëpo nuk kishte qenë ashtu.” Selmani nuk kishte ç’të bënte, dhe deri  sa ai ishte aty, vjen një Jehudi tjetër prej fisit Beni Kurejdha, dhe e blen Selmanin nga pronari i tij, dhe e dërgon e në Medinë ku banonte. Kur e sheh Selmani vendin e Medinës, bindet se ai  është vendi të cilin ia kishte përshkruar kryepeshkopi, dhe mu ai ishte vendi i kërkuar. Pejgamberi s.a.v.s. zbret pejgamber në Meke, e pastaj emigron në Medinë. Dhe një ditë, deri sa Selmani qëndronte në maje të hurmës, ndërsa nën hurme pronari i tij ishte ulur, vjen djali i axhës së zotërisë dhe i thotë: “Zoti i vraftë bijtë e Kijles (Evsi dha Hazrexhi). Për Zotin, ata janë mbledhur në Kuba për të pritur njeriun, i cili sot do të vijë prej Meke, dhe thonë se ai është Pejgamber.” Kur e dëgjon Selmani atë bisedë mes tyre fillon të rrëqethet e të dridhet, sa që për pak bie nga hurma. Pastaj Selmani zbret me të shpejt dhe i thotë zotërisë së tij: “Çka po thua, çka ka të re?” Zotëria e ngrit dorën lart, por Selmani insiston me këmbëngulësi, deri sa zotëria i thotë  prapë: “Ç’të intereson ty kjo, kthehu në punën tënde.” Kur bëhet natë, Selmani merr ushqim me vete dhe shkon në Kuba te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., hyn aty ku qëndronte Pejgamberi me shokët e vet dhe u thotë: “Ju jeni gurbetçar dhe nevojtar, kisha ushqim dhe vendosa të jap sadaka dhe ju keni prioritet më shumë se të tjerët”,  dhe Selmani  e  vendosi  para tyre.  I  Dërguari  i  Allahu s.a.v.s. u thotë sehabeve: “Hani”, dhe fillon me Bismilah, por vet i Dërguari i Allahut nuk hëngri. Selmani tha me vetvete: “Ky është argumenti i parë se ai nuk e pranon sadakanë.” Pastaj të nesërmen në mesditë selmani shkoi prapë te i Dërguari i  Allahut s.a.v.s. dhe me vete kishte marrë ushqim dhe i thotë: Pejgamberit s.a.v.s.: “E kam parë se ti dje nuk ke ngrënë, se ka qenë sadaka. Kjo tani është dhuratë që e kam sjellë posaçërisht për ty.” Pejgamberi s.a.v.s. u thotë Sahabëve: “Hani me Bismilah” dhe hëngri së bashku me ta. Selmani tha me vetvete: Ky është argumenti i dytë se ai ka ngrënë nga dhurata. Pastaj Selmani kthehet. Dhe deri sa një ditë në Bekie Pejgamberi s.a.v.s. përcillte një kufomë dhe përreth i kishte sahabët, shkon, i përshëndet, pastaj Selmani i sillet rreth e rrotull Pejgamberit a.s. për të parë vulën, të cilën ia kishte përshkruar kryepeshkopi. Mirëpo, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kupton se çka hulumtonte Selmani, atëherë e heq këmishën (rrobën) prej kraharorit dhe Selmani e sheh vulën, ashtu siç i ishte përshkruar. I afrohet e ia puth duke qajtur, pastaj ia tregon ngjarjen e tij dhe e pranon islamin. Mirëpo, pasi që ishte rob ai nuk mundi të merrte pjesë në luftën e Bedrit dhe të Uhadit. Një dit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i thotë Selmanit: “Thuaj pronarit që, nëse dëshiron të të shes, ne do të të blejmë dhe do të të lirojmë nga robëria.” Pronari i tij pranon. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u thotë sahabëve për t’i ndihmuar Selmanit, që ta blejnë dhe ta lirojnë, kështu ai bëhet njeri i lirë. Pastaj ka marrë pjesë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. ne luftën e Hendekut, dhe si ide e tij ka qenë hapja e hendekut rreth Medines. E pastaj ka marrë pjesë në të gjitha luftërat tjera me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. për të ka thënë: “Selmani është i yni (prej familjes time)”.

Lini një koment