Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Pasimi i një medhhebi tjetër përpos njërit prej katër medhhebeve
Pasi që kam favorizuar mendimin për të mos iu përmbajtur vetëm një medhhebi të caktuar, atëherë çështja a ka të bëjë për përmbajtjen e vetëm njërit prej katër medhhebeve apo lejohet që të pasohen edhe medhhebe tjera si f.v. medhhebi i quajtur medhhebi i sehabeve, ose medhhebi dhahirijë, ose medhhebi i Lejthit, ose medhhebi i Evzaijut, ose medhhebi i Ibni Xherir et-Taberiut, ose i ndonjë tjetri.
Për këtë, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme:
- Disa prej dijetarëve të mëvonshëm kanë thënë: “Nuk lejohet pasimi përpos njërit prej muxhtehidëve të katër medhhebeve sepse medhhebet tjera nuk janë themeluar dhe nuk janë saktësuar si medhhebe, gjë që e bën që pasuesi t’i nënshtrohet gabimit dhe interpretimit të gabuar, e që e kundërta është me katër medhhebet, ato janë themeluar, janë saktësuar dhe janë bërë të njohura për shkak të themelimit të tyre dhe të përkujdesjes nga ana e studentëve të tyre për t’i sqaruar imtësitë e tyre, për të bërë specifikimin e të përgjithshmes së tyre dhe përcaktimin e të papërcaktuarës së tyre, e kjo bën që në ta njeriu të ndjej siguri, për shkak se janë më afër të së vërtetës dhe më larg nga e pavërteta.
Imam i dy Haremeve thotë: “Analistët janë pajtuar se njerëzit e rëndomtë nuk duhet që të ndërlidhen me medhheb të sehabeve r.a., por duhet t’i përmbahen medhhebeve të umetit, të cilat kanë hulumtuar, kanë hapur dyert, janë themeluar dhe e kanë treguar vendin e çështjeve, sepse kanë sqaruar rrugët e të hulumtuarit, i kanë përgatitur çështjet, i kanë analizuar dhe i kanë koleksionuar.”
Ibn Salahi ka thënë: “Përcaktohet pasimi i katër medhhebeve dhe jo i tjerëve sepse ato janë përhapur dhe janë precizuar të paprecizuarat e tyre, janë specifikuar të përgjithshmet prej tyre, janë shpërndarë çështjet dytësore prej tyre, e që e kundërta është te medhhebet tjera.”
- Disa dijetarë e kanë lejuar që të pasohet ndonjë tjetër pos katër medhhebeve në çështje që nuk kanë të bëjnë me fetvanë dhe thonë: “Është i lejuar pasimi i tjerëve përpos katër medhhebeve në çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me fetvanë, e kjo vetëm si lehtësim.”
Profesori Sulejman el Buxhejriju Shafiijë, ka thënë: “Në fetva dhe në gjykime, nuk lejohet pasimi në ndokënd tjetër përpos në katër medhhebet.”
- El Iz bin Abdus-Selame ka thënë: “Çështja e përqendrimit të medhhebit kur të pasohet dhe kur të peshon saktësia në atë medhheb dhe përderisa ai është përcaktuar në një medhheb, i lejohet ta pasoj edhe nëse autor i atij medhhebi nuk është njëri prej katër medhhebeve.”
Në fakt, nëse shikohet se ku bazohet mendimi i parë, shihet se mbështetet në refuzimin e lejimit të pasimit të atij i cili konfirmohet dhe jep mendim, atëherë e drejtë është pasimi i ndonjërit përpos katër medhhebeve nëse vërtetohet autorësia. Për këtë arsye, mendimi më i drejtë është mendimi i El Iz Abdus-Selamit, sepse nuk ka argument se duhet përmbajtur vetëm në njërin prej dijetarëve të katër medhhebeve r.a. siç edhe e sqaruam, ata dhe të tjerët janë të njëjtë.
Irakiju ka thënë: “A është aprovuar ixhmai se ai i cili e pranon fenë islame ai mund ta pasojë cilin do prej dijetarëve pa përkufizim?! Janë pajtuar sehabet r.a. se kush kërkon përgjigje prej Ebu Bekrit dhe Umerit, dhe i pason ata, ai mund të kërkoj përgjigje prej Ebu Hurejres, prej Muadh Ibni Xhebelit dhe të tjerëve, dhe vepron me mendimet e tyre pa përjashtim. Kush pretendon të mos i pranoj këto dy aprovime të ixhmait, ai duhet të sjell argument.”
- Ka edhe një mendim të njohur prej disa dijetarëve bashkëkohorë, e ajo me pak fjalë është: “Njeriu i rëndomtë nuk ka të bëjë me çështjen e pasimit të njërit prej katër medhhebeve sepse medhhebi i tij është medhhebi i muftiut të tij, por kjo ka të bëjë me atë i cili është kompetent të bëj krahasimin e mendimeve. Këta, kur të arrijnë përfitimin e njërit mendim prej katër imamëve të medhhebeve, e paraqesin te argumentet e sheriatit, dhe kur të hasin një argument prej Kur’anit dhe suneteve të sakta më të fuqishme se argumentet e të tjerëve, atëherë orientohen në atë drejtim dhe favorizojnë në bazë të gjykimit të rregullave përpiluese, mjeteve dhe çështjeve favorizuese të parapara me shkencën e usuli fikhut.”