Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Pasimi në çështjet dytësore
Ligjet për çështjet praktike, të cilat vërtetohen në mënyrë të sigurt, janë sferë për të cilën është e drejtë të bëhet ixhtihadë, dhe të pasohen. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për dispozitën e pasimit në çështjet dytësore, e unë i kam zgjedhur disa prej tyre, e ato janë:
E para: Mendimi i dhahirijëve, muëtezilëve të Bagdadit dhe një pjese të imamijëve, është se ixhtihadi është i domosdoshëm, ndërsa pasimi nuk lejohet. Secili njeri (i ngarkuar) duhet që për çështjet e fesë së tij të bëj ixhtihadë vet dhe të veproj ashtu siç rezulton prej ixhtihadit të tij.
Në librin “En-Nebdhul Kafijeti fi ilmil usul”, Ibn Hazmi thotë se, pasimi është haram. Asnjëri nga askush nuk duhet të marrë mendimin pa argument, përpos prej të dërguarit të Allahut sepse Zoti i Lartmadhëruar thotë:
اتَّبِعُوا مَا أُنزِلَ إِلَيْكُم مِّن رَّبِّكُمْ وَلَا تَتَّبِعُوا مِن دُونِهِ أَوْلِيَاءَ
“Pasoni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj, e mos merrni miq pos Tij…” (El Earaf : 3)
Në librin “El Ihkamë” thotë: “Pasimi, në tërësi në të gjitha ligjet është haram, nga e para deri te e fundit, duke filluar nga tevhidi, pejgamberia, çështja e imamit, vlefshmërisë dhe në të gjitha adhurimet dhe ligjet, etj.”
Ibn Arabiu thotë: “Te ne, pasimi në fenë e Allahut nuk është i lejuar, as prej të gjallit dhe as prej të vdekurit. Pyetësi, kur ta pyes dijetarin duhet ta përcaktoj duke e pyetur: Për këtë çështje dëshiroj ta di se çka gjykon Allahu ose si gjykon i dërguari i Tij, etj.”
E dyta: Mendimi i hashuvijëve dhe tealimijëve, siç e treguam edhe më herët është se, hulumtimi dhe ixhtihadi nuk lejohen dhe pos imamëve muxhtehidë, për të tjerët pasimi është vaxhib.
E treta: Medhhebi i cili bën dallimin. Të këtij mendimi janë shumica e pasuesve të katër medhhebeve. E që është, ixhtihadi nuk është i ndaluar dhe pasimi është haram për muxhtehidin, kurse vaxhib për muslimanin e rëndomtë, pra është vaxhib për atë i cili nuk e ka arritur nivelin që të jetë kompetent për ixhtihadë edhe nëse është dijetar.
Këtë mendim e përkrahin shumica e analistëve, të cilët argumentohen si në vijim:
- Argument nga Kur’ani: Thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ
“Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini.” (En Nahl : 43)
Ky tekst është i përgjithshëm për secilin dhe për çdo çështje e cila nuk dihet sepse urdhërori është i përcaktuar për shkak të mosdijes, i cili përsëritet me përsëritjen e saj dhe në çdo rast të mosdijes personi urdhërohet të pyes, dhe siç thotë Amediu, minimumi i shkallës së thënies së Zotit të Lartmadhëruar “dhe pyetni” është lejimi.
- Ixhmai i sehabeve dhe tabiinëve. Ata jepnin fetva para masës së njerëzve të cilët pyesnin për ndonjë rast apo ngjarje, dhe asnjëri prej tyre nuk refuzonte dhe nuk i ndalonte njerëzit që të pyesin, dhe ata nuk i urdhëronin njerëzit që të arrijnë nivelin e muxhtehidit. Kjo është çështje e cila njihet si domosdoshmëri dhe plotësim i dijetarëve me të rëndomtit.
- Argumenti logjik. Ixhtihadi është një çështje të cilën mund ta arrijnë vetëm një numër i vogël i njerëzve, dhe nëse obligohen të gjithë njerëzit, atëherë do të ishte obligim i papërballueshëm dhe kjo ligjërisht është e ndaluar në bazë të thënies së Zotit të Lartmadhëruar:
لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا
“All-llahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta.” (El Bekare : 286)
Nga ana tjetër është ajo se, njerëzit e rëndomtë janë të obliguar me ligjet e sheriatit, ndërsa ngarkesa e tij që të arrij nivelin e ixhtihadit është lodhje, mundim dhe vështirësi, sepse ai është i angazhuar për jetën e kësaj bote dhe po të angazhohej për ixhtihadë do të neglizhoheshin profesionet tjera dhe veprimtaritë tjera dhe interesat e ndryshme të domosdoshme të cilat do të duhej t’i kryenin dhe sistemi jetësor do të ndryshonte. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ
“(Allahu) nuk ka bërë në fe asgjë të vështirë për juve.” (El Haxh : 78)
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Në islam, as mos dëmtoni dhe as mos u dëmtoni.”
Këto argumente janë kundërshtuar me argumente tjera prej Kur’anit dhe prej sunetit dhe me argument logjik, të cilat janë të vlefshme si argument i medhhebit të parë të cilët e ndalojnë pasimin.
Sa i përket Kur’anit, thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
وَأَن تَقُولُوا عَلَى اللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ
“…dhe ju shtyn të thoni për All-llahun atë që nuk e dini.” (El Bekare : 169)
Mendimi pro pasimit është thënie që qon në pasim të asaj që nuk dihet dhe kjo është e ndaluar. Po ashtu Zoti i Lartmadhëruar e ka kritikuar pasimin kur ka treguar për një popull:
إِنَّا وَجَدْنَا آبَاءَنَا عَلَىٰ أُمَّةٍ وَإِنَّا عَلَىٰ آثَارِهِم مُّقْتَدُونَ
“Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fe dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre.” (Ez Zuhruf : 23)
E, e kritikuara nuk mund të jetë e lejuar.
Replikë ndaj ajetit të parë – Ai ajet përmban gjithashtu edhe hulumtimin edhe ixhtihadin në çështje të ixhtihadit dhe dihet se ixhtihadi është veprim me të pasigurtën, ndërsa ajeti tregon që të veprohet me atë çka është e sigurt dhe bindëse, dhe përfshinë ndalesën e ixhtihadit në mënyrë absolute.
Replikë ndaj ajetit të dytë – Ajeti i kritikës ndaj pasimit (taklidit) ka të bëjë për ato çështje që kërkohet njohuri, e prej atyre çështjeve janë çështjet e besimit, kësisoj bëhet pikëbashkimi me argumentet e mëparshme të cilat i përmendëm.
Argument nga suneti
Thënia e pejgamberit s.a.v.s.: “Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman.”
Dhe thënia e pejgamberit s.a.v.s.: “Bëni ixhtihadë sepse çdo lehtësim është bërë për ndonjë njeri i cili mund të ketë qasje në atë lehtësim.”
Këto dy tekste janë tekste të përgjithshme për personat dhe për çdo dituri. Këto tekste tregojnë për obligueshmërinë e hulumtimit.
Replikë ndaj hadithit të parë – Të gjithë janë të pajtimit se kjo nuk është bosht i debatit sepse fjala dituri (d.m.th. bindja) nuk është e kërkuar as në ixhtihadë dhe as në pasim, dhe për këtë ekziston edhe ixhmai.
Sa i përket hadithit të dytë, ka të bëjë me atë i cili nuk e ka arritur nivelin e ixhtihadit, kjo kur të bëhet bashkimi në mes të këtyre haditheve dhe argumenteve tjera, të cilat i përmenda më herët.
Argumenti logjik
Po që se njerëzit e rëndomtë do të urdhëroheshin për të qenë pasues, ata nuk do të kishin besim në veten e tyre pasi ata nuk e dinë se ai të cilin e pasojnë a ka gabuar apo jo në ixhtihadin e vet, ose a është gënjeshtar për lajmin të cilin e pranon, e atëherë njerëzit e rëndomtë do të urdhëroheshin të pasojnë gabimin dhe gënjeshtrën, dhe kjo është e papranuar t’i përshkruhet Ligjvënësit.
Replikë – Kur njeriu i rëndomtë të bëj ixhtihadë edhe ne nuk do të ishim të sigurt në veten tonë se a ka gabuar ai apo jo, bile ai është edhe më afër gabimit, për shkak se nuk ka kompetencë, e atëherë ndalesa është e njëjtë për të dy rastet.