Pasimi në çështje të besimit ose në bazat kryesore

Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Pasimi në çështje të besimit ose në bazat kryesore

 

 

Çështjet e bazave të besimit dhe bazave kryesore, si f.v., njohja e Allahut të Lartmadhëruar, cilësitë e Tij, argumentet e pejgamberisë, çështjet e moralit dhe çdo gjë që në fe njihet si domosdoshmëri e obligimeve të sheriatit si, në adhurime, marrëdhënie reciproke ose në vepra penale, ose në ndalesa, ose në pesë shtyllat e islamit, ndalesa e alkoolit, ndalesa e prostitucionit, lejimi i shitblerjes, lejimi i kurorëzimit, e të ngjashme,

– në këto duhet pasur mbështetje në logjikë dhe në studim dhe jo vetëm pasim dhe përngjasim ndaj tjerëve.

– Abdullah bin el Hasan el Uvejriju, hashevijtë dhe tealimijtë deklarojnë se lejohet pasimi në to.

– disa deklarojnë se për njeriun pasimi është obligim, ndërsa studimi dhe ixhtihadi në to është haram.

 

Shumica absolute e dijetarëve argumentohen si në vijim:

 

E para: Studimi është vaxhib, ndërsa në pasim është anashkalimi i vaxhibit andaj kjo nuk lejohet. Argumenti i obligueshmërisë së vështrimit është thënia e Zotit të Lartmadhëruar:

إِنَّ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ

“Pa dyshim se në krijimin e qiejve dhe tokës…” (El Bekare : 164)

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Mjerë për atë i cili e lexon këtë ajet dhe nuk analizon.” Pejgamberi s.a.v.s., pra ka kërcënuar që të mos anashkalohet vrojtimi (studimi), analiza dhe hulumtimi në ajetet e Allahut. Kjo dëshmon se hulumtimi është vaxhib.

 

E dyta: Dijetarët janë pajtuar për atë se njohja e Allahut është vaxhib, çka lejohet dhe çka nuk lejohet në të (fe), dhe kjo nuk realizohet vetëm me pasim, sepse pasuesi pranon vetëm atë çka i thuhet prej të pasuarit dhe kësisoj pasuesi nuk e di a është çështja e drejtë apo jo. Ekziston mundësia që i pasuari të gënjejë dhe kësisoj humb edhe pasuesi.

 

 

Ata të cilët e lejojnë pasimin argumentohen si në vijim:

 

E para: Po të ishte vështrimi vaxhib, këtë do ta vepronin sehabet dhe do të urdhëronin për të, mirëpo ata nuk e kanë bërë këtë, po ta kishin vepruar, atëherë do të na ishte raportuar ashtu siç është raportuar për çështjet sekondare të fikhut.

Replikë ndaj asaj se ata nuk kanë analizuar është se njohja e tyre në çështjen e besimit është e ndërtuar mbi bazën e argumentimit. E vërteta e çështjes është se nuk kanë pasur nevojë që të hulumtojnë për shkak se atyre u ka mjaftuar mendimi i tyre i pastër dhe mbështetja e tyre në perceptimin e shëndoshë dhe në dëshminë e shpalljes.

Po ashtu, ne nuk e pranojmë faktin se ata nuk kanë qenë të urdhëruar për vështrim dhe hulumtim sepse me fjalën hulumtim nuk është qëllimi vetëm shpjegimi i çështjeve të rregullave logjike në krahasimin e çështjeve dhe formave të njohura, por mjafton ajo çka të krijon përshtypjen dhe bindjen. Ai i cili shikon njerëzit e rëndomtë do të hasë argumente të mjaftueshme prej tyre për besimin e vërtetë të tyre, të cilën e tregojnë ngjarjet dhe dëshmitë në vazhdimësi, saqë nuk e gjen asnjë se është pasues në besim (iman) sepse sendet lëndore të gjithësisë dhe lëvizjet në natyrë, në shpejtësi të japin argument se ekziston një Krijues i gjithësisë, e kjo shprehet deri në atë shkallë sa te shumica e njerëzve të rëndomtë besimi është i ngulitur në gjokset e tyre si shkëmb i pashembur.

 

E dyta: Po të ishte vështrimi i njohjes së Allahut vaxhib, do të na shpinte në rotacion, sepse obligushmëria e vështrimit i urdhëruar prej Allahut, ka të bëjë me njohjen e Allahut, ndërsa njohja e Allahut ka të bëjë me vështrimin për njohjen e Allahut.

Replikë – Këtu nuk kemi të bëjmë me rotacion sepse obligimi i vështrimit ligjor qëndron në njohjen e Allahut nga një këndvështrim, ndërsa njohja e Allahut ka të bëjë me vështrimin e përsosmërisë (që nënkupton atë çka i përket dhe çka nuk i përket Atij). Kështu që ajo çka është vaxhib vështrimi në njohjen e Allahut është ndryshe nga njohja e cila rezulton prej vështrimit.

Përfundim – Pasimi në çështjet e besimit nuk është rrugë për dituri, pa dyshim, sepse me fjalën dituri qëllimi është për bindjet, përderisa bindja duhet të përputhet me realitetin e argumentuar me argument, ndërsa pasimi nuk ka të bëjë me këtë sepse nënkupton pranimin e mendimit të tjetrit pa e argumentuar, siç e thotë Gazaliu.

 

Sa i përket atyre të cilët thonë se pasimi është vaxhib dhe e anashkalojnë vështrimin, ata argumentohen me dy argumente:

 

Argumenti i parë:

Vështrimi është çështje e të dyshimtës e cila të shpie në dyshime dhe në hamendësi për anomali dhe mendime që sjellin në besëtytni, e që e kundërta është te pasimi, e cila është rrugë e sigurimit nga iluzionet dhe besëtytnitë, e për këtë arsye duhet të merret ajo çka është më e sigurt se tjetra, e cila është e pasigurt, për këtë arsye duhet marrë parimin e pasimit.

Replikë – Nëse është i patjetërsueshëm ndalimi për vështrim (studim), atëherë është e patjetërsueshme edhe ndalimi në pasim. Kështu që ky argument është vetë kundërargument. Argument për këtë është se Zoti i Lartmadhëruar ua ka tërhequr vërejtjen një populli që të mos pasojnë paraardhërist e tyre, saqë edhe i ka kritikuar, kur ka thënë:

إِنَّا وَجَدْنَا آبَاءَنَا عَلَىٰ أُمَّةٍ وَإِنَّا عَلَىٰ آثَارِهِم مُّقْتَدُونَ

 “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fe dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre.” (Ez-Zuhruf : 23)

Po ashtu, studimi për çështje të cilat sjellin dyshim dhe pasiguri janë dyshime të pavlefshme, ndërsa në këtë rast kemi të bëjmë me studimin e vlefshëm, ndërsa studimi i drejtë (i vlefshëm) përfundimin e ka të sigurt.

 

Argumenti i dytë:

Vështrimi është i ndaluar edhe me Kur’an edhe me sunet. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

مَا يُجَادِلُ فِي آيَاتِ اللَّهِ إِلَّا الَّذِينَ كَفَرُوا

“Rreth argumenteve të All-llahut nuk kundërshton kush, pos atyre që nuk besuan.” (Gafir : 4)

Studimi shpie deri te hapja e derës së polemikave, për këtë arsye është i ndaluar. Pejgamberi s.a.v.s. i ka ndaluar sehabet atëherë kur i ka dëgjuar se bisedonin për çështjen e kaderit, duke u thënë: “Gjeneratat para jush janë shkatërruar sepse janë zhytur në këtë çështje.”

Replikë – Sa i përket asaj se ajeti ndalon për polemikat për çështje të pavlefshme, argument për këtë është thënia e Zotit të Lartmadhëruar:

وَجَادَلُوا بِالْبَاطِلِ لِيُدْحِضُوا بِهِ الْحَقَّ

 “…ashtu me ato deshi ta likuidojë të vërtetën.” (Gafir : 5)

Ndërsa polemika për çështje të vlefshme është e lejuar. Këtë e thotë Zoti i Lartmadhëruar:

وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

“…polemizo me ata (kundërshtarët) në atë mënyrë që është më e mira…” (En Nahl : 125)

Po të ishte polemika e drejtë e ndaluar, nuk do të kishte qenë e urdhëruar. Zoti i ka lavdëruar ata të cilët vështrojnë, kur thotë:

“Dhe analizojnë dhe studiojnë krijimin e qiejve dhe tokës. (Ali Imranë : 191)

 

Përderisa, ndalesa e pejgamberit s.a.v.s. për zhytjen në çështjen e kaderit është e vlefshme nga shkaku se atyre u ka treguar me tekst dhe i ka ndaluar që të merren më tutje me të, sepse polemika për kaderin nuk ka qenë polemikë e drejtë.

Lini një koment