Llojet e lehtësimeve në islam për shkak të domosdoshmërive

Dr. Musli Vërbani

Llojet e lehtësimeve në islam për shkak të domosdoshmërive

 

Lehtësim, gjuhësisht do të thotë, zbutje dhe lirim. Lehtësimi është e kundërta e shtrëngimit. Thuhet, kanë zbritur çmime, me fjalë tjera, janë liruar çmimet në treg.

Në islam, lehtësime janë ligjet të cilat Allahu i Madhërishëm i ka ligjësuar në rastet kur ka arsye për robërit e tij, si, për të ruajtur ekzistencën dhe jetën e tyre, me kusht që shkaku obligues të mbetet tek ligji bazë. Me fjalë tjera, lehtësimi, është ligji i cili ligjësohet në rast vështirësie, si përjashtim nga ligji i përgjithshëm, por që e lejon pjesërisht në vendet apo rastet kur është e domosdoshme.

Lehtësimi ndahet në dy lloje:

  1. Lehtësimi i lejuar (mubah), dhe
  2. Lehtësimi obligativ (vaxhib).

 

Lloji i parë: Të e lejuarit e të ndaluarës në rast domosdoshmërie

Domosdoshmëria e parë – domosdoshmëria në mes të jetës dhe fesë, dhe ndalesa e parë është pabesimi, me fjalë tjera, deklarimi i ateizmit, pra, deklarimi i mosbesimit në Zot.

Parashtrohet pyetja, nëse një njeri kërcënohet me vdekje për të shprehur pabesimin, cila zgjidhet?

Zgjidhet jeta apo feja (besimi)?

Themi, në këtë rast njeriu ka të drejtë të zgjedh:

  • Nëse zgjedh jetën, nuk është gabim;
  • Nëse zgjedh fejën, prapë nuk është gabim.

Sqarim: Ky lehtësim është lehtësim i lejuar dhe nuk është lehtësim obligativ (vaxhib).

Pasi që është lehtësim i lejuar dhe nuk është lehtësim obligativ (vaxhib), atëherë parashtrohet pyetja se cila ka përparësi?

Themi, përparësi ka mosrespektimi i lehtësimit, nëse është në pyetje detyrimi për mosbesim, me fjalë tjera, ka përparësi feja.

Parashtrohet pyetja pse?

Themi, nëse i përmbahet lehtësimit dhe e thotë shprehjen e pabesimit, nuk dënohet, por

nëse nuk i përmbahet lehtësimit dhe vritet, shpërblehet.

 

Argument:

 

Musejleme bin Kedhabi i kishte zënë rob dy shokë të Muhamedit s.a.v.s., e të parit i thotë:

-Çka thua për Muhamedin?

Ai i përgjigjet: -Është i dërguar i Allahut.

Pastaj i thotë: -Po për mua çfarë thua?

Ai i thotë: -Edhe ti gjithashtu (je pejgamber).

Pastaj e liron.

Atëherë i thotë tjetrit: Çka thua ti për Muhamedin a.s.

Ai i përgjigjet:-Është i dërguar i Allahut.

Po për mua çfarë thua?

Ai i thotë:-Jam i shurdhër, nuk po dëgjoj.

Tri herë e pyet dhe ai tri herë përgjigjet njësoj.

Atëherë Musejleme bin Kedhabi e mbyt.

Kur ia tregojnë këtë ngjarje Pejgamberit s.a.v.s., ai s.a.v.s. thotë: “Sa i përket të parit, ai e ka shfrytëzuar të drejtën e lehtësimit, e Allahu ia ka lehtësuar. Sa i përket të dytit, ai e ka mbrojtur të vërtetën, lum për të, ai ka shpërblim.”

Për rastin e deklarimit të pabesimit, e kemi edhe rastin e Jasirit. Ai edhe pse e ka zgjedhur shprehjen e pabesimit, zemra e tij ka qenë e mbushur me besim (iman) dhe ka pasur bindje të thellë në besim. Këtë e tregon Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an:

“(do të dënohet), përveç në është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim.” (En-Nahl : 106)

 

Lloji i dytë: Lehtësimi obligativ (vaxhib)

 

Lehtësimi i dytë është të lejuarit e moskryerjes së obligimit (vaxhibit).

Domosdoshmëria e dytë është moskryerja e një obligimi për shkak të jetës (shëndetit).

Ky lloj lehtësimi është obligativ (vaxhib).

 

Cila zgjidhet?

Kryerja e obligimit apo jeta (shëndetit)?

Në këtë rast, i ngarkuari nuk ka të drejtë zgjedhjeje në mes të dy çështjeve, por patjetër e zgjedh moskryerjen e obligimit. Shembull, nëse agjëruesi detyrohet që të prish agjërimin, ose nëse kryerja e obligimit të agjërimit është e vështirë dhe e mundimshme për shkak të udhëtimit. Në këtë rast lejimi i mosagjërimit është vaxhib (obligativ). Ky lehtësim është vaxhib dhe nuk është e lejuar të zgjidhet agjërimi, por e ka obligim të zgjedh mosagjërimin, dhe në këtë rast nuk është sikurse te lloji i parë, ku kishte të drejtë zgjedhjeje.

 

Argument:

 

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Dhe kush prej jush është i sëmurë, ose në udhëtim, le të agjërojë po aq ditë të tjera (pas muajit ramazan).”

Ky tekst tregon se udhëtari dhe i sëmuri nuk e kanë vaxhib agjërimin gjatë sëmundjes dhe udhëtimit. Nga kjo kuptojmë se nëse njeriu frikësohet se do të humbë jetën ose ndonjë pjesë trupore, atëherë ligji i lehtësimi është vaxhib dhe nëse nuk e vepron të ndaluarën dhe për këtë shkak vdes, atëherë bëhet mëkatar. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe mos e shpini veten me duart tuaja në shkatërrim.” Në një ajet tjetër: “Dhe mos e mbytni veten tuaj.”

Rast të këtij lloji e kemi ngrënien e cofëtinës për shkak të kanosjes së rrezikut të vdekjes nga uria. Kjo ngrënie është vaxhib, sepse ruajtja e jetës është vaxhib. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe mos e shpini veten e juaj në shkatërrim me duart tuaja.”

 

Përpos lehtësimeve në çështje të besimit dhe adhurimit, kemi lehtësime edhe në veprimtaritë reciproke ndërnjerëzore, për të cilat veprimtari njerëzit kanë nevojë, edhe pse ato kontrata dhe akte janë në kundërshtim me ligjet dhe rregullat bazë, siç janë: paradhënia, huazimi, qiradhënia dhe aktet e ngjashme. Sepse këto janë akte për të paekzistuarën dhe të padefinuarën. Në këtë rast lehtësimi plotëson nevojat e njerëzve sepse nuk ka as rrugë e as mënyrë tjetër për t’i plotësuar ato nevoja.

Në fenë islame kemi edhe shfuqizimin e ligjeve të mundimshme, të cilat ligje kanë qenë tek popujt e mëparshëm, mirëpo janë lehtësuar për umetin islam (umetin e Muhamedit s.a.v.s.). Ky lloj lehtësimi është lehtësim në aspekt alegorik, sepse konsiderohet lehtësim për umetin tonë në krahasim me popujt e mëhershëm, bie fjala, siç ka qenë ligji i kushtëzimit të mbytjes së vetvetes si pendim nga kryeneçësia, siç tregon Zoti i Lartmadhëruar: “Dhe mbyteni vetveten tuaj.” Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe largon prej tyre barrën dhe hallkat, të cilat kanë qenë mbi ta.”

Në Kur’an, Zoti i Lartmadhëruar nga ka mësuar të bëjmë këtë dua’ të cilën është mirë që ta bëjmë në vazhdimësi:

“O Zoti ynë, mos na ngarko neve me barrë të rëndë, ashtu siç i ke ngarkuar të tjerët para nesh.”

 

Lini një koment