Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Kundërshtimi i ixhtihadit
Para se të flasë për temën e kundërshtimit të ixhtihadit, duhet pasur njohuri për mendimet e shumta të muxhtehidit (për një çështje) dhe ndryshimit të ixhtihadit. Me fjalë tjera, a lejohet që muxhtehidi për një çështje t’i jep dy mendime? Pastaj, a lejohet ndryshimi i ixhtihadit?
- Mendimet e ndryshme të muxhtehidit.
Dijetarët kanë marrë vendim se nuk lejohet për një muxhtehidë që për një çështje, në të njëjtën kohë, për të njëjtin person, t’i jep dy mendime të kundërta, sepse kjo shpie në kundërthënie, dhe se, po të presupozonim se argumentet e të dy mendimeve janë të barabarta në forcën e tyre në çdo aspekt dhe këto dy argumente nuk mundemi as t’i bashkojmë dhe as të favorizojmë njërin ndaj tjetrit, atëherë muxhtehidi duhet të ndalet që të jep fetva (për atë çështje) për shkak të kundërshtimeve të argumenteve ndërmjet vete, dhe të baraspeshës së tyre në mes vete. Po të ekzistonte mundësia e bashkimit në mes të asaj çka rezultojnë të dy argumentet, duhet të bëhet bashkimi i tyre. Nëse favorizohet njëra ndaj tjetrës, përcaktohet se cila është favorizuar konkretisht, ashtu që thotë, ky mendim ka prioritet ose që e ndanë atë mendim ndaj tjetrit.
Ky mendim është kundërshtuar me atë e cila është raportuar nga imam Shafiiju se ai shtatëmbëdhjetë çështje i ka gjykuar një herë ndryshe dhe herën tjetër ndryshe.
Replikë ndaj kësaj që u tregua – Ose mund të jetë nëpërmjet të tregimit të thënieve të dijetarëve të cilat ia kanë parashtruar imam Shafiijut, për të treguar se për atë çështje nuk ekziston ixhmai, kështu që nuk llogariten se janë mendimet e tij.
Sipas mendimit tim, kjo mundësi është e largët që të ketë ndodhur.
- Ose kanë qenë dy mendime për të sqaruar mënyrën e zgjedhjes së mendimit prej dy mendimeve (gjykimeve) në disa tema.
- Ose për shkak se mund të ndodh hamendje dhe dyshime në çështje në disa vende tjera, sikurse dyshimi i Shafiijut për çështjen se Bismilahi a është ajet në fillim të çdo sureje, dhe siç thotë Amediju, nuk është e drejtë që t’i vishen dy mendime për një çështje.
Përderisa nuk mund të pranohen dy mundësitë e para, atëherë duhet përmirësuar, dhe të thuhet se Shafiiju për një çështje i ka dhënë dy mendime, pasi që në ato çështje janë gjetur dy argumentime të kundërta dhe nuk ka pasur argumente tjera dhe nuk mund të favorizohet njëra nga tjetra, sikurse f.v., janë dy tekste bazë të ndryshme dhe çështja është përputhëse në secilën bazë në mënyrë të barabartë. Dhe nëse thanësi e thotë secilën prej tyre, nuk gabon, dhe thënia të cilën e përmendëm më parë për Shafiijun, ka mundësi të kenë qenë dy mendime, që do të thotë dy alternativa.
Kjo sa i përket kur muxhtehidi i jep dy apo shumë mendime në të njëjtën kohë, përderisa nëse i thotë dy mendime në kohë të ndryshme, çështja është e lehtë. Nëse dihet kronologjia e tyre, mendimi i dytë është shfuqizues i të parës. Kjo është ajo që duhet mbështetur te muxhtehidi, dhe jo te mendimi i tij i parë, nga natyrshmëria se ka hequr dorë nga ai mendim, sepse lejohet ndryshimi i ixhtihadit (siç do ta sqarojmë) dhe paraqitjes së diçkaje e cila ka përparësi të merret.
Por, nëse nuk dihet kronologjia e dy mendimeve, duhet të thuhet njëri mendim prej dy mendimeve të muxhtehidit, dhe duke e llogaritur se në tjetrën është hequr dorë, mirëpo në këtë rast nuk është e drejtë të veprohet me të dy mendimet deri sa të sqarohet çështja, nga ekzistimi i mundësisë se në atë që veprohet muxhtehidi ka hequr dorë.
- Ndryshimi i ixhtihadit
Lejohet që muxhtehidi ta ndryshoj ixhtihadi dhe të heq dorë nga mendimi që ka thënë më parë, sepse peshojë e ixhtihadit është argumenti, dhe kur muxhtehidi e prodhon atë argument duhet të veprojë me atë që e ka prodhuar, pasi që i është paraqitur diçka që është më prioritare të pranohet se sa atë që e ka pranuar më herët dhe se është më afër të vërtetës dhe të drejtës.
Me rastin e gjykimit të Kufes, kishte ardhur një letër nga Umeri r.a. për Ebi Musa el-Esharijun: “Çka të pengon sot të kthehesh nga gjykimi i mëparshëm, dhe pasi që e ke kuptuar të drejtën të gjykosh për të, e drejta është e para. Më mirë është që të kthehesh në të drejtën se sa të mbetesh në të padrejtën.”
- Mendimi kundërthënës në ixhtihadë
Në parim, dispozita e ixhtihadit mund të ndryshoj. Përderisa në jetën praktike, në fetva, në gjykimin e konflikteve, në hasmëri në mes njerëzve, dispozita e cila është vendosur ndonjëherë ndryshon, atëherë edhe kjo është e lejuar.
Kur një muxhtehidë jep fetva për një çështje ose gjykatësi gjykon për një problem të dy palëve në konflikt, pastaj ndryshon ixhtihadi në secilën prej tyre dhe muxhtehidi ose gjykatësi e sheh të kundërtën e asaj që ka gjykuar, respektivisht të kundërtën e fetvasë së mëparshme, me cilin prej dy ixhtihadeve duhet të veprojë, me të parin, apo me të dytin? Dhe a mund të kundërshtohet ixhtihadi i parë?
Dijetarët kanë bërë dallimin në mes të muxhtehidit dhe gjykatësit.
Nëse muxhtehidi e parasheh për veten e tij një ligj të caktuar, pastaj me mendimin e vet e ndryshon, duhet ta kundërshtoj ixhtihadin e tij (të mëparshëm) dhe atë çka rezulton prej tij, shembull:
Nëse njëri prej muxhtehidëve mendon se shkurorëzimi “HULË” është prishje shkurorëzimi (“FES-H”) dhe e marton gruan e cila ka pasur treshkurorëzimin e HUL-it. Pas kësaj e sheh se HUL-i është shkurorëzim, duhet që ta shkurorëzoj atë grua dhe nuk lejohet që ta mbajë, si veprim në bazë të ixhtihadit të dytë sepse e ka kuptuar se ixhtihadi i parë ka qenë gabim, ndërsa i dyti i drejtë, dhe të vepruarit me mëdyshje është gabim.
Shembull tjetër, nëse muxhtehidi e parasheh se, sa i përket gruas së pjekur, kujdestaria nuk është kusht i vlefshmërisë së aktit të kurorëzimit dhe martohet me grua pa pasur kujdestar, pastaj e sheh (kupton) se kujdestaria është kusht për vlefshmërinë e kurorëzimit, duhet ta shkurorëzoj atë grua, nuk duhet ta vazhdojë martesën me atë grua.
Kjo… përderisa gjykatësi nuk gjykon për vlefshmërinë e kurorëzimit në të dy rastet sepse gjykimi i gjykatësit është i plotfuqishëm dhe nuk ndërron – siç do ta sqarojmë – dhe se gjykimi në çështjet kundërthënëse të ixhtihadit merr fund me gjykimin e plotfuqishëm, dhe kundërshtuesi, nga mendimi i tij duhet të kthehet në vendimin e gjykatësit.
Nëse muxhtehidi është gjykatës dhe për një ngjarje gjykon në bazë të ixhtihadit të tij pastaj për të njëjtën ngjarje e ndryshon mendimin në bazë të ixhtihadit të tij. Nëse gjykimi i tij është në kundërshtim të argumentit të prerë, siç janë teksti ose ixhmai ose kijasi i qartë (arsye e të cilit është prej tekstit ose që e ndërprenë ndikimin i cili e shkëputë lidhjen në mes të bazës dhe të degës), atëherë e ndryshon mendimin, për këtë janë pajtuar dijetarët pa marrë parasysh prej gjykatësit apo të ndonjë muxhtehidi tjetër, për shkak se ka ndryshuar argumenti (më i fortë).
Përderisa, sa i përket gjykimit të tij në fushën e ixhtihadit, ose të argumenteve të pasigurta, nuk mund të ndryshohet gjykimi i mëparshëm, sepse ndryshimi i tij sjell tronditjen e ligjeve të sheriatit dhe jostabilitetin e tij dhe vjen deri në mosbesimin e gjykimit të gjykatësit dhe nuk do të kishte rregull për t’i stabilizuar ligjet, konfliktet do të vazhdonin të mbeteshin po në atë gjendje pas gjykimit, pastaj do të vazhdonte mospajtimi, ngatërresat, kokëfortësitë dhe do të përhapej shkatërrimi, e cila është në kundërshtim me urtësinë për të cilën është paraparë gjykim, siç këtë e thotë el-Karafiju.
Ajo çka e forcon mendimin se vendimi i gjykimit nuk ndryshohet është transmetimi nga i nderuari ynë Umeri r.a. i cili ka gjykuar në çështjen “Haxherije”, duke e ndaluar trashëgiminë e vëllezërve të vërtetë sepse pjesët e përcaktuara e kanë përfshirë të gjithë pasurinë e të vdekurit, si, nëse vdes një person dhe lë pas vetes gruan, nënën, vëllezërit prej nëne dhe vëllezërit e vërtetë. Pastaj ka gjykuar që ta ndaj një të tretën vëllezërit prej nëne me vëllezërit e vërtetë. Kur e kanë pyetur për shkakun e ndryshimit të gjykimit, është përgjigjur, ajo është siç kemi gjykuar, kjo është siç gjykojmë ne. Ai nuk e ka kundërshtuar ixhtihadin e mëparshëm, por e ka konfirmuar në kohën e vet.
Ngjashëm është edhe rasti kur Umeri r.a. i ka shkruar Ebi Musaut: “Çka të pengon që të gjykosh për çështjen sot, je kthyer në veten tënde…” deri në fund, siç e kemi treguar. Duhet t’i kuptojmë këto dy ngjarje në këtë mënyrë, që nuk lejohet ndryshimi i mendimit në ligjet e ixhtihadit, sepse shprehja e letrës për Ebi Musaun nuk është tekst në ndryshimin e gjykimit për të kaluarën, por për rastet që do të ndodhin në të ardhmen
- Ndryshimi i dispozitave në bazë të ndryshimit të kohëve dhe ndryshimi i fetvave në bazë të ndryshimit të kohëve
E gjithë ajo çka kemi treguar më parë ndërlidhet me ndryshimin e ixhtihadit për vet muxhtehidin, përderisa sa i përket ndryshimit të kohës, kjo është një çështje tjetër sepse ligjet ndonjëherë mund të ndryshojnë me ndryshimin e traditës ose me ndryshimin e dobive njerëzore, ose për shkak të krijimit të rrethanave të domosdoshme, ose të prishjes së moralit dhe dobësimi i fesë, ose për shkak të zhvillimit kohor dhe sistemeve botërore, duhet që të ndryshoj dispozita ligjore për t’u realizuar interesi dhe për t’u larguar dëmi dhe për fitimin e të mirës dhe të drejtës. Kjo e formon rregullin, ndryshimi i dispozitave është më prioritare se sa teoria e parimit të interesit apo teoria e traditës.
Kjo ka të bëjë me dispozitat e çështjeve të ixhtihadit – analoguese – dhe të interesit ose që kanë të bëjnë me raportet ndërnjerëzore ose të kodit civil, në çdo çështje e cila ndërlidhet me çështjet e jetës, dhe nevojave tregtare dhe ekonomike. Ndryshimi i dispozitave e ka kufirin e parimit të sheriatit, e ai është përfitimi i së drejtës, sjellja e dobisë dhe largimi i dëmit. Përderisa, sa i përket dispozitave të adhurimit dhe çështjet e përcaktuara ligjore, dhe bazat e përgjithmonshme të sheriatit, absolutisht nuk pranohet që të ndryshohen, sado që ndryshojnë vendet apo ndryshojnë kohët, si ndalesa e të ndaluarave, obligueshmëria e pëlqimit të palëve në akte, kompensimi i dëmit i cili i shkaktohet njeriut nga tjetri, vetëdeklarimet, mosdënimi i të pafajshmit për shkak të fajit të tjetrit.
Prej shembujve të kësaj natyre janë:
- Fetvaja e lejimit të pranimit të shpërblimit (pagës) për mësim të Kur’anit, ose të shërbimeve fetare si, shërbim të imamit, pagesa për ligjëruesit të ditës së xhuma, e të ngjashme. Kjo duke pasur parasysh ndryshimin e traditës për shkak të ndërprerjes së përfitimeve nga ata të cilët i kryejnë këto veprimtari.
- Dispozita për dënimin e prodhuesit të pasurisë së njerëzve e cila prishet në dorën e rojtarit i cili e ruan pasurinë e të tjerëve që të mos humbet dhe për të siguruar interesin shoqëror. Ngjashëm me këtë është edhe lejimi i përcaktimit të çmimeve të mallrave për të larguar dëmin e përgjithshëm duke u bazuar në thënien e pejgamberit s.a.v.s.: “Mos dëmtoni dhe mos u dëmtoni.”
- Dispozita për pastërtinë e lëpirjes së shpendëve të egër, si f.v., i petritit, hutit, si domosdoshmëri, pasi për banorët në male dhe shkretëtira është i pamundur sigurimi i plotë prej tyre.
- Fetvaja e dy studentëve të Ebu Hanifes për domosdoshmërinë e inspektimit të sinqeritetit të dëshmitarëve, kur analizohet ndryshimi i karakterit të njerëzve, atëherë kur përhapen gënjeshtrat humb ndjenja dhe dobësohet karakteri njerëzor, edhe pse Ebu Hanife e parasheh që te dëshmitari mjafton vetëm drejtësia e jashtme përpos në dënimet strikte dhe në hakmarrje.
Ngjashëm me këtë kanë dhënë fetva fukahatë e mëvonshëm të drejtimit hanefijë në moslejimin e gjykimit të gjykatësit me diturinë e posaçme të tij të ndodhive.
- Fetvaja për vlefshmërinë e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme vetëm nëpërmjet numrit kadastral edhe pse në bazë të rregullave të fukahave të mëhershëm, patjetër duhet të jenë në vendngjarje dhe të masin kufijtë, e kjo duke e pasur parasysh teknologjinë moderne e cila ua lehtëson njerëzve dhe u mjafton vetëm duke i përmendur pikat e kufijve kadastral.
Shembull i ngjashëm: Realizohet pranim-dorëzimi i pasurisë së paluajtshme vetëm nëpërmjet bartjes pronësore në regjistrin kadastral, edhe pse për të qenë shitberja e vlefshme patjetër duhet që palët kontraktuese të shkojnë në vendin e ngjarjes.