Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Gabimi dhe mosgabimi në ixhtihadë
Për këtë çështje filozofike të vjetër, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme, dhe mendimet përbëhen prej dy anëve:
Ana e parë: Në baza dhe në çështje logjike,
Ana e dytë: Në çështjet sekondare të fikhut.
Do të flas për të dy çështjet në dy aspekte:
- Aspekti i gabimit dhe mosgabimit, në çështjen në të cilën bëhet ixhtihadë.
- Aspekti i dispozitës gabuese për të cilën mëkaton.
E para: Ixhtihadi në çështje logjike dhe në çështje të usulit.
Shumica e dijetarëve të usulit janë pajtuar se hulumtuesi, në çështjet logjike dhe të usulit, është e detyrueshme që të arrij te e sakta dhe e vërteta në to, sepse e vërteta është një dhe nuk ka tjetër, dhe e qëlluara është e vetmja dhe konkrete, nëse nuk ndodh kjo, atëherë janë bashkuar dy të kundërtat. Kush e ka qëlluar të vërtetën, e ka qëlluar, ndërsa kush e ka gabuar të vërtetën, ai ka mëkatuar. Lloji i mëkatit ndryshon. Nëse gabimi ka të bëjë me Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është pabesimtar, nëse jo, atëherë ai është mëkatar i madh dhe shpikës, sepse ai është shmangur nga e vërteta dhe ka humbur, si f.v. temat si, mos shikimi i Allahut të Lartmadhëruar (në Botën tjetër), krijimi i Kur’anit, krijimi i veprave (të njerëzve)…
Çështjet logjike, janë çështjet në të cilat studiuesi e kupton të vërtetën në bazë të logjikës para prezantimit të ligjit, si p.sh.:
- Vërtetimi i çështjes se, e krijuara patjetër se e ka Krijuesin.
- Cilësitë e Tij të domosdoshme të lejuara dhe absurde.
- Dërgimi i pejgamberëve dhe besimi në mrekullitë mbinatyrore të tyre.
- Krijimi i gjithësisë.
- Lejimi i mundësisë së shikimit të Allahut.
- Krijimi i Kur’anit dhe veprave.
- Dalja nga zjarri i atyre që besojnë në një Zot,
- dhe të ngjashme.
Çështjet e usulit. Shembull:
- Natyra e ixhmait,
- Natyra e kijasit,
- Argumentimi i lajmit të vetëm dhe tregueshmëria e saj e prerë, dhe ajo se, kundërshtuesi i saj është mëkatar.
Xhahidhi dhe Abdullah bin el Hasan el Anberiju nga muëtezilët, kanë thënë: Muxhtehidi gabimtar në çështje logjike, nuk bën mëkat, përderisa nuk arrin në nivelin e inatit (mohimit), pra, nëse ai bën ixhtihadë në kundërshtim me fenë islame për (pro) jehuditë, krishterët dhe dehrijinët (ateistët), dhe ixhtihadi i tij e shpie në bindje të tillë, atëherë themi se ai nuk ka bërë mëkat, sepse ai është angazhuar me mundin dhe aftësinë e tij, me forcën dhe mundësinë e tij, prandaj ai arsyetohet.
Anberiu ka shtuar edhe pasusin: “Në çështjet e logjikshme, çdo muxhtehidë ia qëllon:
– Nëse dëshiron ta gjej të vërtetën dhe ia qëllon, ai sjell atë për çka është i ngarkuar dhe atë çka është brenda mundësisë dhe aftësisë në ixhtihadë.”
I këtij mendimi të tij është edhe Xhahidhi:
“Nëse pikësynon bindjen e tij, dhe ajo bindje është në përputhshmëri me besimin e drejtë, atëherë ai do të ishte i palogjikshëm, sepse ai logjikisht nuk mund të besoj se pafillimësia e botës dhe krijimi i saj janë të vërteta, tjetra, nuk mundet në të njëjtën kohë të pohoj ekzistencën e Krijesit dhe mohimin e Krijuesit, dhe çështje tjera të ngjashme të cilat si çështje qëndrojnë vetvetiu, e të cilat nuk janë çështje të besimit.”
Nga ky mendim i Anberijut janë habitur muëtezilët sepse kjo nënkupton nivelizimin e jehudëve, krishterëve dhe të gjithë pabesimtarëve, me ixhtihadin e muslimanëve.
Thënien e tij e interpretojnë kësisoj, ata thonë se, ai ka pasur për qëllim të tregoj kundërshtimin e muslimanëve ndaj tyre në çështjet e besimit (kelamit), si f.v., çështja e shikimit të Allahut, krijimi i veprave, krijimi i Kur’anit dhe të ngjashme, sepse argumentet dhe informatat janë vështirë të kuptueshme, dhe pasi që argumentet e dyshimta sjellin kundërthënie, atëherë muxhtehidi e ka të vështirë të merret me ato çështje. Përderisa, për atë që muslimanët kanë dhënë mendime të ndryshme kundrejt feve tjera siç janë, jehudët dhe të krishterët, këto janë çështje për të cilat konkluzionin përfundimtar e japin pjesëtarët e fesë islame.
Argumentet
Xhahidhi dhe el-Anbeiju janë argumentuar em Kur’an dhe me argument logjik.
Argument nga Kur’ani:
Thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا
“All-llahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta.” (El-Bekare, 286)
Pabesimtarët janë treguar të paaftë në të kuptuarin e të vërtetës dhe i janë përmbajtur besimit të tyre nga frika prej Zotit, e kjo pasi u është mbyllur dera e njohurisë.
Replikë – Ne nuk e pranojmë se ata janë të paaftë për të kuptuar të vërtetën sepse Zoti ua ka mundësuar atyre këtë atëherë kur u ka dhënë mendjen dhe u ka ofruar argumente dhe u ka dërguar pejgamber për t’ua tërhequr vëmendjen, ashtu që pas pejgamberëve, prej Allahut nuk ka mbetur argument.
Argumenti logjik
Zoti i Lartmadhëruar është i mëshirshëm me robërit e Tij, është i butë me ta. Nuk i përket Zotit që t’i dënoj për atë që nuk kanë mundësi, për këtë arsye, muxhtehidët nuk kanë mëkat për ligjet dytësore të ixhtihadit pasi ata e kundërshtojnë njëri-tjetrin në ato çështje me bindjet e tyre, bazuar në ixhtihadin e tyre me të cilin kanë arritur deri te ai përfundim.
Replikë – Nuk ka mëkat për ixhtihadin e çështjeve të fikhut, sepse qëllimi me to është se janë argumente të pasigurta, e që në esencë e kundërta është në këtë rast, në besim, e në këtë çështje nuk duhet pasur hamendje apo pasiguri, por duhet pasur dituri bindëse, e kjo nuk është arritur prej tyre.
Pjesa dërmuese e usulistëve janë argumentuar me Kur’an, sunet dhe ixhmaë.
Argument nga Kur’ani:
وَآخَرِينَ مُقَرَّنِينَ فِي الْأَصْفَادِ
“Dhe të tjerët (djaj) që ishin të lidhur në pranga.” (Sad : 38)
وَذَٰلِكُمْ ظَنُّكُمُ الَّذِي ظَنَنتُم بِرَبِّكُمْ أَرْدَاكُمْ
“Mendimi juaj i gabuar, të cilin e patët ndaj Zotit tuaj.” (Fussilet : 23)
وَيَحْسَبُونَ أَنَّهُمْ عَلَىٰ شَيْءٍ ۚ أَلَا إِنَّهُمْ هُمُ الْكَاذِبُونَ
“Ditën kur All-llahu i ringjall të gjithë, e ata i betohen Atij, sikurse u betoheshin juve, dhe mendojnë (me atë betim) të arrijnë diçka. Pra ta dini, se ata janë me të vërtetë rrenacakët.” (Muxhadele : 18)
فِي قُلُوبِهِم مَّرَضٌ
“Në zemrat e tyre ka sëmundje.” (El-Bekare : 10)
وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ
“E për ta ka dënim të madh.” (El-Bekare : 7)
وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ
“…dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Ali Imran : 85)
Këto argumente tregojnë se Zoti i Lartmadhëruar i ka kritikuar për besimin e tyre, dhe u ka premtuar dënim për ato bindje, po të kishin pasur të drejtë arsyetimi, nuk do të ishin kërcënuar me dënim.
Argument nga suneti
Dihet se pejgamberi s.a.v.s. ka kërkuar nga pabesimtarët, jehudët dhe të krishterët, që ta besojnë atë dhe atë çka i ka zbritur atij, dhe dihet se ai s.a.v.s. i ka kritikuar për besimin e tyre.
Argument nga ixhmai
Gjithashtu edhe dijetarët e mëparshëm të fesë sonë janë pajtuar që t’u tregojnë pabesimtarëve se nuk janë në të drejtë, dhe kanë kërkuar që të largohen nga bindjet e tyre dhe ta pranojnë shpalljen e fundit qiellore.
Kritika për bindjen e pabesimtarëve është argument se ata janë gabim në besimin e tyre dhe se kanë bërë mëkat.
E dyta: Ixhtihadi në çështjet dytësore të fikhut
Çështjet dytësore të fikhut janë dy llojesh:
E para: Çështjet e prera të njohura si çështje të domosdoshme të fesë, që do të thotë janë të njohura nga vetë natyrshmëria, si f.v., obligueshmëria e pesë kohëve të namazit, obligueshmëria e zekatit, obligueshmëria e haxhit, agjërimit, pastaj ndalimi i prostitucionit, ndalimi i vrasjes, hajnisë, alkoolit, e të ngjashme, ligjet e të cilave njihen se janë ligje të prera prej Allahut. Këto çështje nuk kanë të bëjnë me atë se a duhet qëlluar apo nuk duhet qëlluar nëpërmjet ixhtihadit.
Gjykimi gabim në to se a mëkaton apo jo, është sikurse gjykimi në ixhtihadin e çështjeve logjike. Çdo muxhtehidë nuk mund t’ia qëlloj, ndërsa e vërteta është një dhe nuk është e shumënumërt, kjo dihet, e ai i cili e arrit të drejtën ia ka qëlluar, ndërsa ai i cili e thotë të kundërtën, ka gabuar dhe ka mëkatuar. Nëse kundërshtohet dhe mohohet ajo çka është e domosdoshme në qëllimin e Ligjvënësit, si f.v., mohimi i ndalimit të alkoolit, hajnisë, mohimi i obligueshmërisë së namazit dhe agjërimit, ai llogaritet pabesimtar.
Mohuesi i këtyre çështjeve është pabesimtar sepse mohimi buron nga përgënjeshtruesi i ligjit, por nëse janë prej çështjeve që dihen kategorikisht nëpërmjet hulumtimit (studimit) dhe nuk janë prej ixhmait, mohuesi nuk është pabesimtar, por ai llogaritet gabimtar dhe mëkatar.
E dyta: Çështjet e pasigurta të fikhut, të cilat nuk janë nga ndonjë argument i prerë. Këtu qëndron fusha e ixhtihadit. Në këto çështje, muxhtehidi nëse ia qëllon nuk mëkaton, por edhe nëse gabon (nuk ia qëllon) nuk mëkaton. Kjo është kështu edhe në bazë të atyre të cilët deklarojnë se ndonjëri ia qëllon dhe tjerët gabojnë, edhe në bazë të atyre të cilët deklarojnë se, e drejta është një e vetme.
Beshrul Mursiji, Ebu Bekril Esami dhe Ibni Ilijeti dhe mohuesit e Kijasit, si f.v., dhahirijtë dhe imamijtë, thonë se, në çështjet sekondare, muxhtehidët nëse gabojnë, mëkatojnë, por ai ka të drejtë të konkretizoj, dhe ai ka të bëjë me argumentim të prerë, dhe ai i cili gabon, ai është mëkatar por nuk është jobesimtar dhe nuk është mëkatar i madh.
Këtë mendim e replikojnë në dy aspekte:
E para: Kjo çështje, është çështje e pasigurt dhe nuk tregon asgjë në vetvete, dhe në të nuk ekziston argumenti i prerë.
E dyta: Janë pajtuar sehabet që ta neglizhojnë mendimin e atyre të cilët kundërshtojnë çështje të fikhut, si f.v., trashëgimia e gjyshit me vëllezërit, çështja e Aulit, dhe çështjet tjera të trashëgimisë, etj., për të cilat çështje janë konsultuar dhe janë ndarë në mendime të ndryshme dhe nuk e kanë kundërshtuar njëri-tjetrin dhe asnjëri nuk e ka penguar tjetrin që të jap fetva publike, nuk i kanë penguar të rëndomtit që të i pasojnë, nuk i kanë ndaluar që të gjykojnë me ixhtihadin e tyre.
Kjo dhe, siç thotë Gazaliu: “Nuk ka dyshim se na është përcjellë në mënyrë të sigurt, edhe pse ata kanë argument të prerë, ekzagjerojnë me cilësimin për mëkatim dhe tregohen shumë rigoroz, siç janë treguar rigoroz havarixhët me mëkatbërësin dhe siç janë treguar rigoroz sehabet me penguesit e zekatit.”
Sa i përket gabimit dhe mosgabimit në ixhtihadë për çështjet dytësore, dijetarët kanë polemizuar gjatë dhe neve na janë raportuar mendimet e shumta kundërthënëse, por mjafton që t’i sqaroj dy mendime të njohura.
Mendimi i drejtë dhe mendimi i padrejtë
Mendimi i drejtë – Janë ata të cilët thonë se secili muxhtehidë ka gjykuar drejtë me ixhtihadin e tij.
Mendimi i padrejtë – Janë ata të cilët thonë: Njëri nga muxhtehidët gjykon drejtë, ndërsa të tjerët gabojnë, sepse e drejta është një nuk mund të jetë e shumëfishtë (shumënumërt).
Imam Ahmedi thotë: Tek Allahu, e drejta është një, dhe nuk mund t’ia qëllojnë të gjithë muxhtehidët, mirëpo ai i cili ia qëllon ka dy shpërblime, e ai i cili nuk ia qëllon ka vetëm një shpërblim, kjo nga shkaku se e ka kërkuar të drejtën por nuk e ka arritur.
Gjeneza e këtij mospajtimi është në atë se, a ka paraparë Allahu i Lartmadhëruar ligj konkret para ixhtihadit të muxhtehidit apo nuk ka paraparë ligj konkret, por ligji për atë çështje caktohet kur muxhtehidi e finalizon çështjen me ixhtihadin e tij.
Disa thonë: Në atë çështje Zoti i Lartmadhëruar ka paraparë ligj konkret në lejim apo në moslejim, hallall apo haram, por te Allahu ai ligj përcillet në mendjen e muxhtehidit, ata janë të cilët thonë se çdo muxhtehidë ia qëllon, këta janë esharijtë, muëtezilët, Kadiu el-Bakilaniu, dy studentët e Ebu Hanifes dhe Ibni Serijxhi.
Të tjerët thonë: Para ixhtihadit, Zoti i Lartmadhëruar ka paraparë ligj konkret për secilën ngjarje, ai i cili me ixhtihadin e tij ia qëllon, ai ia ka qëlluar, ai i cili nuk ia qëllon ai ka gabuar. Njëri ia ka qëlluar, të tjerët kanë gabuar, vetëm se këta nuk kanë rënë dakord se ai ligj a ka ndonjë shenjë që dihet (kuptohet) se është e drejtë apo jo. Për këtë çështje ekzistojnë këto mendime:
- Një grup i fukahave dhe mutekeliminëve thonë: Ky ligj as nuk ka argument dhe as shenja, por është çështje me dy anë, të cilat studiuesi i ka gjetur dhe dëshiron t’i niveloj, andaj kush e gjen ai ka dy shpërblime, kurse kush i gabon ai ka një shpërblim. Për mendimin tim kjo është e pakuptimtë.
- Disa thonë: I paraprijnë këtij ligji shenjat hamendësuese, muxhtehidi nuk është i ngarkuar për t’ia qëlluar argumentimit për shkak të përgjithshmërisë dhe fshehtësisë, dhe ai i cili nuk ia qëllon arsyetohet dhe shpërblehet. Ky është mendim i fukahave, e për mendimin tim, ky është mendim i drejtë sepse është e pasinqertë që i logjikshmi të ngarkohet me ligj i cili nuk ka as argument dhe as shenja, posaçërisht kur ixhtihadi është të shpenzuarit e energjisë, e duke e kërkuar ligjin me argument, ai detyrohet që të kërkoj argumentin me të cilin argumenton, kërkimi i një çështjeje është më e vonshme se vet çështje.
- Të tjerët thonë: Këtij ligji i paraprijnë shenja të prera (të sigurta) dhe muxhtehidi është i urdhëruar ta hulumtoj këtë argument, por ai i cili nuk ia qëllon, ai nuk bën mëkat dhe nuk kritikohet gjykimi i tij, për shkak të fshehjes dhe turbullirës së argumentit.
- Beshrul Murijsi thotë: Ai i cili nuk ia qëllon, bën mëkat dhe nuk arsyetohet, çështja është e njëjtë sikurse me ligjet e prera.
- El-Esemi ka thënë: Gjykimi i tij kritikohet.
Pa marrë parasysh këto mospajtime të pjesshme, do ta sqaroj mendimin për ata që mendojnë se duhet arritur gjykimin e drejtë, dhe mos arritjes së gjykimit të drejtë. Duhet ta kuptojmë se, mospajtimi ka të bëjë në shikimin e ixhtihadit dhe finalizimin e ligjit prej argumentit, përderisa, nëse shikojmë në veprën në të cilën ka rezultuar ixhtihadi i muxhtehidit, nuk ka dyshim se ai është ligj i Allahut me të cilën ka rezultuar ixhtihadi i muxhtehidit, nuk ka dyshim se ai ligj është ligj i Allahut, e me të janë të ngarkuar të gjithë.
Sa i përket në veprën e qëlluar, çështja është e qartë.
Sa i përket në veprën e paqëlluar, secili muxhtehidë mendon se, kundërshtari ia ka qëlluar me veprën në bazë të mendimit të vet edhe pse nga ana e kundërshtimit shihet si gabim, dhe secili muxhtehidë është i urdhëruar me atë që e ka rezultuar ixhtihadi i tij. Njësoj edhe pasuesi i tij. Papajtueshmëria është vetëm papajtueshmëri e pastër teorike. E vërteta në çështjet e ixhtihadit është e përhapur në mes të muxhtehidëve.
Mirëpo, sa i përket të vepruarit me atë mendim, ekziston papajtueshmëri në mes të hanefijëve për rastin kur qëllohet e drejta, dhe te shafiijët kur nuk qëllohet e drejta, rastet si, kur dyshohet kibla dhe falësi bën ixhtihadë dhe falet në drejtimin në të cilin anon mendja e tij se në atë drejtim është kibla, pastaj sqarohet definitivisht se e ka gabuar drejtimin. Te Shafiiju r.a., duhet ta përsërisë (ta falë kada) sepse e ka gabuar të vërtetën konkrete dhe të përcaktuar. Nëse nuk e përsëritë (nuk e falë kaza) gabueshmëria nuk amnistohet nga mëkati, sikurse nuk amnistohet mëkati pa e paguar dëmin në çështjet e dëmshpërblimeve.
Te hanefijtë, nuk duhet ta përsërisë namazit (ta falë kada) për shkak se gjykohet se ia ka qëlluar në të kaluarën edhe pse vërtetohet se ka gabuar në të kaluarën.
Mendimi se ia ka qëlluar
Pagabueshmëria: Esharijtë dhe muëtezilët, e raportohet edhe nga hanefijtë se, secili muxhtehidë ia qëllon (siç e sqaruam), mirëpo këta kanë dhënë mendime të ndryshme (janë ndarë në dy nëndrejtime):
- Disa kanë thënë: Në ngjarjen për të cilën nuk ka ligj konkret me tekst, kërkohet peshimi i mendimit, sepse ligji e pason mendimin dhe ligji i Zotit është te secili muxhtehidë te i cili ka peshuar mendimi i tij për atë çështje. I këtij nëndrejtimi është el Kadiju Bakilaniu dhe Gazaliu dhe njihet si qëllimi i së drejtës esharite.
Kjo është ajo e cila është thënë për hanefijtë se ata janë deklarues për mendimin e qëlluar, por e vërteta e tregon të kundërtën sepse ata janë deklarues të mendimit jo të qëlluar. Sepse transmeton Tahavijunë Imlaë nga Muhammed bin Hasani se ky ka thënë: Ka gabuar ai i cili ka thënë për to (hanefijtë) atë çka vet e ka menduar, sepse ata (hanefijtë) mendojnë se: E drejta është tek Allahu i Lartmadhëruar, dhe se të gjitha çështjet janë NJË.
Të tjerët prej tyre thonë: Te Allahu, çdo ngjarje e ka dispozitën (ligjin) te e cila drejtohet kërkesa, pasi që patjetër se e kërkuara e ka Krijuesin, por muxhtehidi nuk është i ngarkuar për t’ia qëlluar. Të këtij mendimi janë muëtezilët dhe njihet si e qëlluara muëteziliste.
Sa i përket mosqëlluarjes – janë pajtuar se çdo ngjarje e ka dispozitën e përcaktuar prej Allahut të Lartmadhëruar, siç e kam sqaruar edhe më herët.
Argumentet
Argumentet se çdonjëri ka mendim të drejtë
Ata të cilët thonë se secili muxhtehidë e ka mendimin e drejtë, argumentohen si në vijim:
- Argument nga Kur’ani – Me veprimin e Davudit dhe Sulejmanit a.s. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
وَكُلًّا آتَيْنَا حُكْمًا وَعِلْمًا
“Dhe secilit prej tyre i kemi dhënë dituri dhe aftësi gjykimi. (El-Enbija,79)
Po të mos ia kishte qëlluar njëri, atëherë nuk do të ishte në ajet paralelisht dituria e Allahut dhe gjykimi i tyre.
- Argumentet nga suneti
Siç thuhet në gjurmim të hadithit se Muhamedi a.s. ka thënë: “Es’habet e mi janë si yjet, në çdonjërin prej tyre që mbështeteni do të jeni të udhëzuar.” Pejgamberi s.a.v.s. ka paraparë udhëzim në mbështetje të secilit prej sehabeve edhe pse ata japin mendime të ndryshme dhe gjykojnë në kundërshtim me njëri-tjetrin, si në aprovim apo mohim. Nëse ndonjëri prej tyre nuk ia qëllon, mbështetja në ta nuk do të ishte udhëzim i drejtë, por humbje.
- Argument i ixhmait
Janë pajtuar sehabet se, mund të realizohet kundërshtimi i njëri-tjetrit dhe asnjëri nuk e ka mohuar këtë realitet, dhe prejudikojmë gabim nëse mendojmë se në ixhtihadë të tyre nuk do të merrej parasysh mendimi ndryshe, pasi ata e kanë lënë të lirë mendimin e mohimit të zekatit dhe mohimet tjera të ngjashme. Dhe kur ndonjëri prej tyre pyetej për ndonjë çështje, e dërgonte pyetësin te tjetri dhe e orientonte te tjetri. Kjo tregon se, ata janë pajtuar se secili muxhtehidë është mendimdrejt.
- Argumenti logjik
Ka shumë argumente të kësaj natyre, më e rëndësishmja është: Po të ishte e drejta e përcaktuar (konkretizuar) në çështjet e ixhtihadit dhe në secilën çështje, Allahu do të na tregonte për secilën çështje me argument të prerë për t’i larguar mëdyshjet, ashtu siç janë përpiluar kërkesat prej Ligjvënësit, siç thotë Zoti i Lartmadhëruar:
رُّسُلًا مُّبَشِّرِينَ وَمُنذِرِينَ لِئَلَّا يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَى اللَّهِ حُجَّةٌ بَعْدَ الرُّسُلِ
“Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të kenë fakt (arsyetim) para All-llahut.” (En-Nisa,165)
Po të kishte qenë ligji i përcaktuar (konkretizuar) për një çështje, do ta siguronte që ligji i kundërt për atë çështje të jetë mëkat, sikurse është rasti te kundërshtimi i çështjeve logjike sepse ai është ligj në atë që nuk ka zbritur Allahu si ligj. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
وَمَن لَّمْ يَحْكُم بِمَا أَنزَلَ اللَّهُ فَأُولَٰئِكَ هُمُ الْفَاسِقُونَ
“E kush nuk gjykon sipas asaj që All-llahu e zbriti, të tillët janë mëkatarë të dalë jashtë rrugës së Zotit.” (El-Maide, 47)
Unë mendoj se këto janë argumente të dobëta sepse tregimi i ngjarjes së Davudit dhe Sulejmanit është kundërargument për ta dhe jo argument i tyre sepse Zoti i Lartmadhëruar e ka konsideruar se Sulejmani ka gjykuar drejtë:
فَفَهَّمْنَاهَا سُلَيْمَانَ
“Dhe Ne ia bëmë që ta kuptojë atë Sulejmani.” (El-Enbija, 79)
Po të kishte qenë e drejta në secilin prej tyre Sulejmani nuk do të specifikohej në kuptim.
Sa i përket hadithit, siç kam treguar më herët, nuk është i saktë, po edhe nëse është i saktë, prapëseprapë ka kuptim të papërcaktuar sepse përgjithësimi i personave nuk nënkupton përgjithësimin e ngjarjeve. Mbështetja në të ka të bëjë me mbështetjen e transmetimeve të tyre nga pejgamberi s.a.v.s. dhe nuk ka të bëjë me mendimin dhe ixhtihadin e tyre. Hadithi nuk ka të bëjë me rastin në fjalë.
Po ashtu replikohet edhe argumenti logjik.
E para: Nuk është e patjetërsueshme që Ligjvënësi të rregulloj vetëm urtësinë dhe interesin në ligjësime, ndonjëherë urtësia është specifikuar vetëm për diturinë e Allahut.
E dyta: Nuk është e patjetërsueshme që me urtësinë e një çështjeje të jetë vetëm një urtësi dhe kundërshtuesi të llogaritet mëkatar sepse muxhtehidi është i ngarkuar të veproj me atë që përfiton prej ixhtihadit dhe nuk është i ngarkuar të qëlloj të drejtën.
Po ashtu, replikohet mendimi i drejtë i thënë prej esharijve dhe mendimi i drejtë prej muëtezilëve i thënë në mënyrë tjetër, posaçërisht i pari prej tyre. Nuk mund të pranohet pretendimi se ligji i Allahut pasohet në mendimin e muxhtehidit sepse në një pikë do të bashkoheshin dy të kundërtat – siç do ta sqaroj te argumenti i shumicës absolute të dijetarëve më vonë dhe mbi këtë rezulton se, secili prej muxhtehidëve i cili është në kundërshtim me të tjerët në ligjësim ligji, ajo i përket edhe Allahut të Lartmadhëruar.
Shevkaniju thotë: Nuk ka gjë më të rrezikshme se këta injorant çka kanë thënë se shumënumërsia e ligjit të Allahut është me shumënumërsinë e muxhtehidëve si pasim i cili prodhohet prej tyre me ixhtihadet e tyre. Thëniet dhe mendimet e tilla janë joetike ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe sheriatit të Tij të pastër. Po ashtu, është vetëm mendim iluzionar i paargumentuar dhe nuk ka as bazë në të cilën pushon mendja, po ashtu është në kundërshtim me ixhmain e dijetarëve të hershëm e të mëvonshëm sepse sehabet dhe të tjerët pas tyre gjeneratë pas gjeneratë gabojnë në ixhtihadin e tyre, gjë që është mirë të mbështeturit në ta.
Argumentet për gabimtarët
Shumica absolute e dijetarëve, e prej tyre shafiijët, dhe sipas mendimit më të drejtë hanefijtë, shiitët, argumentohen për gabimin në ixhtihadë, si në vijim:
- Argument nga Kur’ani
Thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
وَدَاوُودَ وَسُلَيْمَانَ إِذْ يَحْكُمَانِ فِي الْحَرْثِ إِذْ نَفَشَتْ فِيهِ غَنَمُ الْقَوْمِ وَكُنَّا لِحُكْمِهِمْ شَاهِدِينَ ﴿٧٨﴾ فَفَهَّمْنَاهَا سُلَيْمَانَ
“(Përkujto) Davudin e Sulejmanin kur pleqëronin për çështjen e bimës (mbjelljes) të cilën delet e atij populli e kishin kullotur natën, e Ne ishim përcjellës të gjykimit të tyre. E (përgjigjen e saktë) Ne ia mësuam Sulejmanit.” (El-Enbija : 78-79)
Ky ajet tregon se Zoti i Lartmadhëruar e ka specifikuar Sulejmanin si kuptues të së vërtetës së ngjarjes, gjë që tregon të kundërtën për Davudin. Po të ishte ndryshe, nuk do të ishte përcaktuar Sulejmani. Kuptimdrejtë i kësaj ngjarjeje është vetëm njëri.
Replikë – Tregueshmëria e moskuptimit të Davudit a.s. është nëpërmjet rrugës së të kuptuarit të kundërt në ajet. Dhe kjo nuk është argument.
- Argument nga suneti
Thënia e pejgamberit s.a.v.s.: “Kur gjykatësi gjykon me ixhtihadin e tij dhe ia qëllon, ai ka dy shpërblime, e nëse nuk ia qëllon ai ka vetëm një shpërblim.”
Hadithi është i qartë në ndarjen e ixhtihadit, i cili e ndan në ixhtihadë kuptimdrejtë dhe në ixhtihadë kuptimgabim. Po të ishte e drejta e shumënumërt, secili muxhtehidë do t’ia qëllonte, por kjo do të ishte në kundërshtim me hadithin.
Replikë – Kjo nuk është bosht i temës, nuk është ajo çka kërkohet prej pretenduesit sepse rezultatin të cilin e tregon hadithi është se disa muxhtehidë mund të gabojnë. Ata të cilët deklarojnë për kuptimdrejtët, kanë për qëllim për çështjen e cila është me tekst, kijasë ose kijasë të qartë dhe kjo në këtë rast nuk është bosht i temës.
Ngjashëm me këtë është hadithi: “Gjykatësit janë tri llojesh, dy prej tyre janë në xhehenem, ndërsa një prej tyre në xhenet.” Po të mos kishte qenë e drejta e vetme, ky klasifikim nuk do të kishte kuptim.
Më e qartë se kjo, është thënia e pejgamberit s.a.v.s. drejtuar udhëheqësit të rojeve të sigurimit: “Nëse banorët e fortifikatës të thonë që të anashkalosh ligjin e Allahut, mos e anashkalo ligjin e Allahut, sepse ti nuk e di se a janë ata në të drejtën e gjykimit me ligj të Allahut apo jo.” Sipas mendimit tim ky hadithë është tekst i boshtit të temës
- Argument nga ixhmai
Sehabet janë pajtuar për përdorimin e fjalës “gabim” në ixhtihadë, si p.sh. thënia e Ebu Bekrit rreth çështjes ës KELALES (trashëgiminë e bijve të axhallarëve): “Këtë e them në bazë të mendimit tim. Nëse ia qëlloj, atëherë është prej Allahut, por nëse nuk ia qëlloj, atëherë është nga unë dhe nga shejtani. Allahu dhe i dërguari janë të pastër për këtë çështje.”
Umeri i ka thënë administratorit të tij: “Shkruaj: Ky është mendimi i Umerit, nëse është gabim është prej tij, nëse nuk është gabim është prej Allahut.”
Kur është paraqitur çështja e ngritjes së mehrit për mendimin e gruas ka thënë: “Gruaja ia qëlloi (e dha mendimin e drejtë) ndërsa Umeri gaboi.”
Një grua e cila i vjen Umerit dhe i tregon se çka kishte në barkun e saj duke iu përgjigjur Uthmanit dhe Abdurrahman bin Aufit të cilët i kishin thënë Umerit: Ti je i edukuar, nuk shohim asgjë në këtë rast, e Umeri u ka thënë atyre: Nëse kanë bërë ixhtihadë kanë gabuar, nëse nuk ka bërë ixhtihadë, atëherë ju ka mashtruar. Mendoj se duhet ta paguash DIJEN (oj grua!).
Për çështjen e “El-Mufevidatu” Ibn Mes’udi ka thënë: “Ky është mendimi im. Nëse është i drejtë është prej Allahut dhe të dërguarit të Tij. Nëse është gabim është nga unë dhe nga shejtani.”
Kur në çështje të trashëgimisë, repektivisht për çështjen e AULIT nuk ia pranojnë Ibn Abasit, ai ka thënë: “Kush dëshiron të më mallkoj, le të më mallkoj. Nëse dikush duhet të bëjë barazim të rezultatit, sepse 1/2, dhe 1/2 dhe 1/3. nuk del rezultati i pasurisë së njërit. Me këto dy herë nga 1/2 e harxhohet pasuria, e atëherë ku po mbetet vendi i 1/3?!
(MUBAHELETU – është mallkim i cili është praktikuar në kohën e injorancës).”
Me këtë erdhëm deri këtu, te këto informata të cilat tregojnë se sehabet kanë paraparë mendimin e gabuar dhe mendimin e drejtë në ixhtihadë, dhe se e drejta është një dhe nuk ka tjetër.
Replikë ndaj këtij argumentimi nga ixhmai – Në të qëlluar, nuk mohohet se mund të ndodhë gabimi në ixhtihadë, por atëherë kur muxhtehidi nuk është kompetent në ixhtihadë, ose është kompetent në ixhtihadë por nuk e ka dhënë maksimumin e tij, ose e ka dhënë maksimumin mirëpo e ka kundërshtuar tekstin, ose ixhmain, ose analogjinë e qartë. Përderisa sa i përket kompletimit të ixhtihadit prej atij i cili është kompetent dhe nuk ka kundërshtim, ajo çka u përmend prej çështjeve të sehabeve nuk është diçka që tregon se është bërë gabim.
- Argumenti logjik
Ka shumë mënyra, por më e rëndësishmja është: Mendimi se muxhtehidët janë kuptimdrejtë shpie deri te mendimet e kundërta të muxhtehidëve në mohim dhe vërtetim, ose të hallallit dhe haramit, ose të vlefshmërisë dhe të pavlefshmërisë së një çështjeje, në të njëjtën kohë edhe të bashkimit të dy të kundërtave në një vend dhe absurditet është që dy të kundërtat të kenë një ligj sepse kjo shpie në absurditet.
Replikë – Kontrastja realizohet nëse dy të kundërtat bashkohen në të drejtën e një personi, përderisa sa i përket për dy persona nuk ka të bëjë me kontrasten. Për këtë arsye, ngrënia e cofëtinës lejohet për të detyruarin, ndërsa ndalohet për tjetrin. Ndërsa sa na përket neve, kur flasim për ixhtihadin, kemi të bëjmë me ligjin për lejimin i cili është bërë (në bazë të ixhtihadit) për një person, ndryshon ligji i cili është haram për personin tjetër, sepse ixhtihadi e ka rezultuar atë ligj të haramit.
Mendimi prioritar
E përkrahi mendimin e mundësisë së gabimit, në atë se Allahu ka paraparë ligj konkret në çdo çështje para ixhtihadit, dhe se ligji i posedon shenjat dhe se muxhtehidi është i ngarkuar që t’ia qëlloj ligjit, dhe nëse ia qëllon, ai ka qëndrim të drejtë për të cilin shpërblehet dyfish, dhe nëse pas ixhtihadit nuk ia qëllon dhe gabon, ai është gabimtar për të cilin gabim nuk ka mëkat, por e meriton një shpërblim për shkak të angazhimit dhe shpenzimit të energjisë. Në sheriatë, e drejta është një e vetme. Muxhtehidi ia qëllon dhe gabon, e vërteta te Allahu është një sepse argumentet e sheriatit janë ose tekstuale ose analogji me ato tekste.
Papajtueshmëria në tekste: Kjo ndodh ose për shkak të interpretimit ose për shkak harmonizimit të saj nëse është sunet me hadithë të vetëm.
Sa i përket interpretimit: Në të, bazë është mendimi ndryshe i muxhtehidëve, sepse nga natyrshmëria ne e dimë se Ligjvënësi dëshiron kuptim konkret (të përcaktuar) nga teksti. Këtë kuptim e përfitojnë disa prej muxhtehidëve, ndërsa të tjerët mund të gabojë, kush ia qëllon ai ka gjykuar drejtë dhe kush nuk ia qëllon ai ka gabuar.
Sa i përket mendimit ndryshe në lajme, varet prej kushteve të lajmit se si është lajmëruar, dhe në atë se si e përcjell muxhtehidi. Sa i përket të vërtetës në lajmin, ajo është e vetme, nuk është e shumënumërt. Lajmi, ose vërtetohet ose nuk vërtetohet. Të dyjat nuk mund të bashkohen në të njëjtën kohë për të njëjtën ngjarje. Kush e zbulon të vërtetën, ai ia ka qëlluar, të tjerët nuk ia kanë qëlluar.
Sa i përket analogjive, bazë e tyre është arsyeshmëria, që do të thotë, dobitë për të cilat ka dashur Allahu të realizohen prej ligjeve dhe nuk ka dyshim se Ligjvënësi ka përcaktuar dobi konkrete dhe ai i cili e harmonizon ligjin e Allahut me arsyeshmërinë për të realizuar atë dobi konkrete, ai ia ka qëlluar dhe ka vepruar drejtë, ndërsa të tjerët kanë gabuar.
Çështja e autorizimit të muxhtehidit
Kjo çështje ka të bëjë me atë i cili ia qëllon dhe atë i cili nuk ia qëllon me ixhtihadë, dhe a lejohet që Zoti i Lartmadhëruar t’i thotë pejgamberit apo muxhtehidit, gjyko si të duash sepse sido që të gjykosh, ti je në të drejtë?
Nuk ka kundërshtime në lejimin e autorizimit të pejgamberit s.a.v.s. ose të muxhtehidit që të gjykoj në bazë të hulumtimit dhe ixhtihadit, por mospajtimi qëndron që në autorizimin e ligjësimit, pra në atë se a kanë të drejtë dijetarët të gjykojnë si dëshirojnë dhe si është e mundur të përputhet ligji i tij pa hulumtim dhe pa ixhtihadë?.
- Musa bin Imrani, dijetarë muëtezil thotë: Logjikisht kjo lejohet dhe absolutisht veçse ka ndodhur.
- Shumica absolute e dijetarëve hanefijë thonë se nuk lejohet dhe se nuk ka ndodhur.
- El-Amediu thotë: Është e lejuar, por nuk ka ndodhur.
- Imam Shafiiju merr qëndrim neutral, për shkak të kundërshtimeve të argumenteve mes vete dhe mendon se asnjëri argument nuk është më prioritar se tjetri.
Argumentet
Musa Ibn Imrani argumentohet me atë se, po të mos ishte e lejuar nuk do të kishte ndodhur, por pasi që veç ka ndodhur, atëherë është e lejuar. Argumentet se ka ndodhur janë si në vijim:
- Argument nga Kur’ani
– Zoti i Lartmadhëruar thotë:
كُلُّ الطَّعَامِ كَانَ حِلًّا لِّبَنِي إِسْرَائِيلَ إِلَّا مَا حَرَّمَ إِسْرَائِيلُ عَلَىٰ نَفْسِهِ
“I tërë ushqimi ishte i lejuar për bijtë e israilit, përveç atij që Israili (Jakubi) para se të zbriste Tevrati ia ndaloi vetvetes.?” (Ali Imran, 93)
Është bërë ndalimi prej vetes së tij, kjo tregon se ka qenë i autorizuar.
Replikë – Ajeti nuk është bosht i temës, sepse ky autorizim është për pejgamberin i cili është i siguruar nga gabimi dhe nëse gabon pejgamberi shpallja nuk do ta miratonte gabimin e tij.
- Argumentet nga suneti
Ekzistojnë shumë fetva të cilat tregojnë se ka ndodhur autorizimi i tij për lejim dhe ndalim. Prej tyre, për çështjen e Mekës ka thënë: “Mos i shkulni bimët mos i preni pemët.”
Pastaj Ibn Abasi i thotë: “Përpos lloji trungut të IDHRIT.”
Pastaj pejgamberi s.av.s. për të mënjanuar vështirësinë nga banorët e Mekës thotë: “Përpos IDHRIT (lloj trungu).”
Kjo thënie nuk buron nga shpallja, sepse kohë kaq të shkurtë dhe të kufizuar nuk ka mundur të zbres shpallja.
Pastaj thënia e pejgamberit s.a.v.s.: “Po mos të frikësohesha se do ta ngarkoj umetin tim tejmase, do t’i urdhëroja përdorimin e misvakut para çdo namazi.” Po të kishte qenë i paautorizuar, do t’i urdhëronte për përdorim të misvakut.
Rast tjetër – Kur Efrea bin Habisi e ka pyetur pejgamberin s.a.v.s. për haxhin: “A vetëm për këtë vit e kemi obligim haxhin, apo përgjithmonë? Muhamedi a.s. i thotë: Po të them po, do të obligohej dhe ju nuk do të kishit mundësi (ta kryeni haxhin për çdo vit).” Ligjit ia ka shtuar në mes obligueshmërinë, lirimin, po mos të kishte qenë ligji i autorizuar për të pasur të drejtë zgjedhjeje, nuk do të kishte pasur vlerë fjala “po” për obligueshmëri.
Rast tjetër: Ajo çka transmetohet nga pejgamberi s.a.v.s. kur është vrarë en-Nadr bin Harithi prej robërve të Bedrit, dhe motra e tij Kutejlete bin Harithi, e thuri një poemë të gjatë si në vijim:
A Muhamedi është më i miri dhe më fisniku i popullit të tij?
Çka do të dëmtonte po ta amnistoshe,
se ndoshta amnistimi i djaloshit do të ishte zbutje e hidhërimit?
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Zoti e di më së miri. Po ta kisha ditur para ekzekutimit të tij, do të kisha bërë diçka. Po të kishte qenë ekzekutimi i tij me urdhrin e Allahut, nuk do ta kisha kundërshtuar atë veprim.” Gjë që tregon se ka qenë i autorizuar në çështjen e vrasjes.
Replikë ndaj argumentimeve të këtyre ngjarjeve të cilat u përmendën:
Çështja e tregimit të Israilit: Nuk është bosht i temës sepse ai rast është autorizim për pejgamberin, i cili është i mbrojtur nga mëkati me anë të shpalljes.
- Përjashtimi i “DHIHRIT” (lloj trungu) është prej shpalljes së mëhershme ose prej ixhtihadit të pejgamberit s.a.v.s.
- Dispozita e përdorimit të misvakut është prej çështjeve për të cilat ka pasur të drejtë zgjedhjeje për të urdhëruar apo për të mos urdhëruar.
- Dispozita për robërit e Bedrit – Ka pasur të drejtë të zgjedhë në mes të ekzekutimit të robërve ose lirimit të tyre.
- Thënia “Po” për haxhin, kur e pyet Ekrea bin Habisi, është çështje e urdhëruar (mësuar) prej Zotit të Lartmadhëruar.
Argumentimi i muëtezilëve
Ligjet e Allahut janë për dobi të robërve, po të bartej autorizimi i ligjit te përzgjedhja e robit, ligji do të ishte në kundërshtim me dobinë sepse njeriu nuk e di cila është dobia prej ligjeve të Allahut, sepse mund të zgjedh çka nuk është e dobishme dhe kjo nuk lejohet, sepse është në kundërshtim me qëllimin e vendosjes së ligjit.
Amediju, për lejim, argumentohet me atë se nuk paraqitet absurditet, por po të presupozonim se mund të ndodhë vetvetiu, ose te tjetri. Kjo është e lejuar. Logjikisht lejohet. Argumentohet se nuk mund të ndodhë sepse duke përcjell ligjet vazhdimisht dhe në mënyrë permanente, shohim se nuk është hasur në diçka që tregon se ka ndodhur ligji prej autorizimit të pejgamberit apo muxhtehidit.
Rastet të cilat i tregon Musa bin Imrani, e kemi dëshmuar se, ose kanë ndodhur nga shpallja, ose nga ixhtihadi.
I jap përparësi mendimit se nuk është e drejtë që muslimani të thotë se lejohet që të autorizohet robi (njeriu) të gjykoj siç dëshiron dhe çka dëshiron, pa hulumtim dhe pa ixhtihadë. Njeriu nuk mund të dijë se çka dëshiron Zoti i Lartmadhëruar dhe nuk di për dobitë të cilat vijnë nga ligjet e Zotit të Lartmadhëruar.