Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Ixhtihadi i pjesshëm
Ixhtihadi i pjesshëm nënkupton: Që dijetari të ketë mundësi të përfitoj ligjin për një çështje dhe nuk ka mundësi në një çështje tjetër, ose përfiton ligjin për një lëmi, ndërsa nuk ka mundësi për ndonjë lëmi tjetër.
Muxhtehidi i pjesshëm është njohës i përfitimit të disa ligjeve, e kjo pasi ai t’i ketë plotësuar kushtet e ixhtihadit. Nëse në këtë aspekt është i aftë, atëherë ai muxhtehid a duhet të bëj ixhtihad vetëm për atë çështje, apo patjetër duhet të jetë muxhtehid absolut?
Dijetarët kanë dhënë mendime ndryshme rreth çështjes së ixhtihadit vetëm në disa çështje, si p.sh., ixhtihadi vetëm për çështje të trashëgimisë…
Shumica e dijetarëve mendojnë se: Lejohet ixhtihadi i pjesshëm, pra duke pasur njohuri vetëm rreth një çështjeje dhe çka duhet patjetër në atë çështje edhe pse nuk e di ndërlidhjen në çështjet tjera të fikhut.
Disa kanë thënë: Nuk lejohet, sepse çështjet e një lloji të fikhut ndoshta e kanë bazën nga një lloj tjetër e jo prej saj.
Shumica e dijetarëve argumentohen si në vijim:
- Po të mos ishte ixhtihadi i pjesshëm do të nënkuptohej që muxhtehidi do të duhej t’i dinte të gjitha çështjet, me ligjësim dhe me argumentim, mirëpo kjo nuk nënkuptohet kështu, sepse nuk është shart për mufti që të jetë i ditur për të gjitha ligjet dhe t’i perceptoj të gjitha çështjet. Kjo për njeriun është e pamundur. Imam Maliku është imam me Ixhmaë dhe prapëseprapë kur është pyetur për dyzetë çështje, në tridhjetë e gjashtë prej tyre ka thënë nuk e di. Në sa e sa çështje është ndalur Shafiiju, e po ashtu edhe sehabet.
- Nëse dijetari i zbulon elementet e disa çështjeve, atëherë edhe elementet e çështjeve tjera janë njësoj, mirëpo, natyrshmëri e tij është se nuk i di elementet e shumë çështjeve tjera dhe nuk mund të ketë qasje në ta. Kështu pra, i lejohet ixhtihadi në to, ashtu siç i lejohet tjetrit. Kjo, dhe duhet pasur parasysh se duhet t’i plotësoj të gjitha kushtet që kanë të bëjnë me çështjen në të cilën bën ixhtihadë, siç e kemi sqaruar.
Të tjerët argumentohen me atë se: Është e mundur që ndonjëri të ketë njohuri të cekët (të pamjaftueshme), e atëherë atij i lejohet që të hulumtoj për atë dispozitë me atë dituri që ka (në bazë të kapacitetit të tij). Dijetarët janë pajtuar se, muxhtehidit nuk i lejohet argumenti i dispozitës derisa të peshoj mendimi i tij për të arritur atë që pikësynon pa pasur ndonjë pengesë, ndërsa këtë e arrin vetëm muxhtehidi absolut dhe në këtë rast muxhtehidi nuk ka arritur në fazën në të cilën i peshon mendimi dhe në të cilën nuk ka pengesë.
Replikë: Ne presupozojmë se i ka arritur të gjitha elementet të cilat janë të ndërlidhura me atë çështje.
Disa autorë bashkëkohorë e favorizojnë drejtimin e këtyre sepse ixhtihadi është kompetencë dhe aftësi e caktuar për të kuptuar shpirtin e sheriatit dhe parimet e përgjithshme të saj, e ajo është sikurse në oratori, njeriu nuk mund të jetë orator përderisa nuk i plotëson të gjitha lëmit e të shprehurit, ashtu që secilën fjalë e praktikon dhe e përdor ashtu siç e kërkon rasti dhe nevoja.
Nuk mund të paramendohet që një dijetar të jetë muxhtehid në ligjet e shkurorëzimit dhe të mos jetë muxhtehid në ligjet e shitblerjes, ose muxhtehid në ligjet e dënimeve penale dhe të mos jetë muxhtehid në ligjet e adhurimeve pasi ligjet e sheriatit janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Padijenia në disa prej tyre sjell mëdyshjen se nuk ka aftësi dhe është i mangët edhe në temën e llojit në të cilën ka njohuri.
Mirëpo unë i jap përparësi drejtimit të shumicës së dijetarëve sepse ata e kanë paraparë domosdoshmërinë e plotësimit të kushteve të sheriatit te dijetari, e prej tyre, njohja e objektivave të sheriatit, sikurse kanë kërkuar njohurinë e cila ndërlidhet me temën e ixhtihadit, për këtë arsye nuk duhet të ketë pengesë në pjesshmërinë e ixhtihadit, posaçërisht nëse i shikojmë rrethanat bashkëkohore të cilat na kërkojnë të jemi në përputhje me realitetin.
Siç thotë Gazaliu, me rëndësi është që dijetari të jetë vizionar në atë që jep fetva, dhe që të jep fetva për atë që ka njohuri dhe e di se ka njohuri, dhe të bëj dallimin në mes të asaj që ka njohuri dhe asaj që nuk ka njohuri, dhe të përqendrohet në atë që ka njohuri dhe të mos merret me atë për të cilën nuk ka njohuri. Këtë koncept e kanë ata të cilët e lejojnë ixhtihadin e pjesshëm. Përfundimi i kësaj është se ai dijetar e ka kuptuar dhe e ka perceptuar të vërtetën me argument, dhe e ka shpenzuar energjinë për të kuptuar të drejtën. Në këtë, dispozita e tij është e njëjtë me dispozitën e muxhtehidit absolut.
Sipas perceptimit tim, mendimi për lejimin e ixhtihadit të pjesshëm ka qenë një dritare nga e cila kanë mundur të hyjnë dijetarë dhe kësisoj ta zbusin ekzagjerimin e atyre të cilët e kanë mbyllur derën e ixhtihadit duke zbritur në nivelin e paraqitjes së domosdoshmërisë, ose të nevojës me të cilën janë ballafaquar dijetarët në çdo kohë për të dhënë fetva për dispozitën e ngjarjeve të paraqitura, të cilat deri në atë kohë nuk ka qenë, dhe përderisa në bazë të idesë së mbylljes së ixhtihadit nuk do të pranoheshin ato fetva, siç edhe do t’i sqarojmë. Për këtë arsye, favorizimi i drejtimit të atyre të cilët janë për lejimin e ixhtihadit të pjesshëm është çështje të cilën duhet vulosur në rend të parë.
El-Kjadhimiju thotë: Sa i përket ixhtihadit të pjesshëm, nuk duhet sjellë dyshime se mund të ndodhë, sepse duhet shikuar në vet argumentimin e mendimit të tij, pra se çfarë argumente sjellë.
Përfundim – Papajtueshmëritë rreth çështjes së ixhtihadit nuk janë mendime të largëta ndaj njëra-tjetrës, por janë brenda një rrethi të afërt me njëra-tjetrën sepse te ata të cilët e lejojnë ixhtihadin e pjesshëm patjetër duhet që muxhtehidi t’i plotësoj kushtet e ixhtihadit, mirëpo nuk kërkohet që të plotësohet një kusht në tërësi, mirëpo mjafton që t’i plotësoj kushtet në përgjithësi, kushte të cilat kanë të bëjnë për një temë prej temave të caktuara.
Shkakun e mos pajtimit rreth kësaj çështjeje e ka sqaruar profesori Muhamed Tekijud-dijni ku thotë: Ngatërrimi në mes të posedimit të ixhtihadit dhe të vepruarit me të është shkak se disa prej tyre i ngatërrojnë. Të vepruarit e pjesshëm nga posedimi i ixhtihadit është prej domosdoshmërive, bile posedimi i ixhtihadit është prej domosdoshmërive, bile në këtë aspekt nuk ka ixhtihadë absolut. Pretendimet se nuk mund të ketë ixhtihadë absolut në këtë aspekt pa tjetër se duhet të konceptohen, pasi që është i pamundur posedimi në të gjitha çështjet, deri edhe në ato tema të cilat ende nuk janë paraqitur. Për njeriun normal, përfshirja e të gjitha çështjeve të fikhut është e pamundur. Kjo nënkupton se, te një dijetar nuk është e patjetërsueshme posedimi i tërësishëm në mënyrën që ai t’i dijë praktikisht të gjitha çështjet dhe ta shfrytëzoj atë gjithmonë. Mjeku, pasi që të bëhet mjek, ai është mjek edhe po që se nuk e shëron asnjë të sëmurë.