Dr. Musli Vërbani
Këshilla fisnike
Sureja Fatiha dhe këndimi sa më i mirë i saj
Këshilla e dhjetë
Për shkak se këndimi i sures Fatiha në namaz është vaxhib dhe është sure e cila përsëritet në çdo rekat dhe është sure e cila këndohet edhe jashtë namazit dhe është bazë e çdo çështjeje dhe për shkak se këtë sure e këndojnë edhe fillestarët, e edhe ata të cilët kanë përvojë, të rinjtë, pleqtë dhe të natyrave të ndryshme, e shoh të arsyeshme të shkruaj për gabimet eventuale të cilat mund të ndodhin gjatë këndimit të kësaj sureje, dhe posaçërisht për ata të cilët këtë sure e kanë mësuar me të dëgjuar apo edhe me anë të shkronjave të gjuhës shqipe (transliterim), do t’i qasem vetëm disa fjalëve, në të cilat fjalë mund të gabohet ose që është gabuar në të kaluarën dhe duhet përmirësuar. Që në fillim, e theksoj se gabimet janë dy llojesh:
- Gabime të rënda: Gabime të cilat janë të patolerueshme (lehnul xhelij), që do të thotë, gabim i qartë dhe i madh; dhe
- Gabime të lehta: Mund të jenë gabime të tolerueshme (lehnul hafij).
Gabimet e lehta janë gabime të tolerueshme dhe janë gabime që shumë pak hetohen dhe nuk e prishin kuptimin e leximit, por ndryshojnë vetëm konstruktin e leximit.
Në gabimet e e tolerueshme bëjnë pjesë gabimet në përsosmërinë e rregullave, të cilin e kuptojnë vetëm të specializuarit. P.sh: Moszgjatja plotësisht e zanoreve të gjata, apo mospraktikimi plotësisht i cilësive të shkronjave, por praktikim i pjesshëm i cilësive të shkronjave.
Nuk lejohet leximi me gabim të qartë. Ndërsa sa i përket gabimit të tolerueshëm (Lehnul Hafij), namazi është i pranueshëm.
Do t’i përmendi disa prej gabimeve e ata janë:
- Fjala “ELHAMDU LIL-LAAH”
Gabimi i parë i patolerueshëm (lehnul xhelij) është thënia “elhamdu-rilah” në vend të “elhamdu-lilah”.
Shumë prej xhematit kanë treguar se një kohë të gjatë nuk e kanë kënduar në namaz “ELHAMDU LIL-LAHI”, por “ELHAMDU RIL-LAHI”, pra në vend të “L” është kënduar me “R”.
Fjalën ”Elhamdu lil-Lah”, për shkak se është mësuar prej të dëgjuarit, ka shumë të cilët nuk e thonë “Elhamdu-Lil-laah” por “Elhamdu-Rilaah”.
Ky togfjalësh përbëhet prej dy fjalëve:
Fjalës “hamede” që do të thotë “ falenderim, dhe
fjalës “Allah” e cila për shkak të lidhjes shndërrohet në fjalën: “Lil-laah”.
- Fjala “ERR-RRAHMANË”
Fjala “rrahman” buron prej fjalës “rrahime”.
Në gjuhën arabe kemi tri shkronja h.
Shkronja h e lehtë.
Shkronja h e rëndë.
Dhe shkronja h shumë e rëndë.
Te fjala “rrahime” kemi të bëjmë me shkronjën “h” të rëndë, për ketë arsye, kjo shkronjë duhet të theksohet rëndë në këtë fjalë, pra Rrahman, e jo me shkronjën h të lehtë, pra Rrahman, e as me shkronjën h shumë të rëndë “Rakhman”, e mos të flasim që të humbet në të tërësi shkronja “h” siç ndonjëherë ndodhë të thuhet prej ndokujt, bie fjala të lexohet “Rraman”.
- Fjala “Aalemiinë”
Fjala “Aaleminë”, për shkak se është mësuar prej të dëgjuarit ka shumë të cilët e thonë “aleminë” me shkronjën “a” të “elifit” dhe nuk e thonë “aaleminë” me shkronjën “a” rënd të shkronjës “ajn”.
Në gjuhën arabe kemi:
Shkronjën “a” e cila buron prej shkronjës “ajn”, dhe
Shkronjën “a” e cila buron prej shkronjës “elif”.
Shkronja “a” te fjala “aalem” buron prej shkronjës “ajn”, që do të thotë se është shkronjë e rëndë, pra kemi të bëjmë me “a” të rëndë dhe jo me “a” të leht.
- Fjala “neabudu”
Fjala neabudu pa e zgjatur shkronjën “u” është në rregull, por fatkeqësisht ne shpesh dëgjojmë se te fjala neabud shkronja “u” zgjatet dhe bëhet “neabuduu” e që është gabim.
Fjala abede do të thotë: adhurim.
Fjala eabudu do të thotë: adhuroj.
Fjala eabuduu do të thotë: I adhuroj ato (shumës)
Thënia e shkronjës “u” e shkurt tregon adhurimin në njëjës dhe jo në shumës, ndërsa nëse bëhet zgjatja e shkronjës “uu” (neabuduu) atëherë kalohet në adhurim në shumës, pra i adhurojmë ata. Për këtë arsye lexuesi në namaz por edhe jashtë namazit duhet pasur kujdes që të mos e zgjat shkronjë “u”(neabuduu), por duhet të ketë kujdes dhe ta këndoj shumë shkurt shkronjën “u”, pra “neabudu”.
- Fjala “mustekiim”
Fjala mustekiim ka kuptimin e rrugës së qëndrueshme, të drejtë dhe stabile, ndërsa fjala “mustekin” do t’i jepte krejtësisht kuptim tjetër dhe do ta humbte këtë kuptim.
Edhe këtë fjalë, sikurse te rastet e mësipërme, për shkak të mësimit gojarisht apo prej të dëgjuarit dhe për shkak se shkronja “m” dhe shkronja “n” janë të përafërta, shumë prej xhematit nuk e kanë kënduar “MUSTEKIM”, por “MUSTEKIN”, pra në vend të shkronjës “M” është kënduar me “N”.
Përfundim : nuk thuhet: Ihdines- siraatal mustekinë
Por thuhet: ihdines siraatal mustekimë
Kjo është LAHN XHELIJ (gabim i patolerueshëm), dhe nëse është bërë me qëllim, namazi prishet.
- Fjala “En’amte”
Fala en’amte përbëhet prej dy fjalëve
- fjala “niëme”, dhe
- fjala “te”.
Fjala “niëme” ka kuptimin: begati, të mira, bekim.
Ndërsa fjala “te” ka kuptimin e përemrit “TI”.
Shumësi i fjalës “niëme” është “en’am” dhe duhet të bëhet një shkëputje e domosdoshme, pra shkronja n këndohet qartazi me sukun, dhe kur të kalohet prej shkronjës “n” deri te shkronja “ajn” nuk duhet të dridhet shkronja “n” dhe nuk lejohet që shkronja “n” të bëhet sikurse të jetë me zanore ashru që të këndohet “anamte”, por duhet të këndohet “en’amte”.
Përfundim: Këndohet “siraatal ledhiine en’amte alejhim” dhe
nuk këndohët “siraatal ledhiine enamte alejhim”.
Këto janë vetëm disa prej këshillave dhe disa përmirësime të gabimeve të cilat mund të ndodhin gjatë këndimit të sures fatiha, edhe pse mund të shkaktohen edhe gabime tjera të natyrave të ndryshme.