Mbyllja e derës së ixhtihadit, pse?

Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Mbyllja e derës së ixhtihadit, pse?

 

Që nga vdekja e Muhamedit a.s. deri në mes të shek. të IV hixhrij, ixhtihadi ka qenë çështje e natyrshme, ka pasur shtrirje,  ka pasur faktorët e lulëzimit dhe zhvillimit të ligjësimit islam,  u është përgjigjur nevojave të njerëzve dhe zhvillimit shoqëror, ka prodhuar revolucion të madh të fikhut, revolucion çfarë nuk njeh historia.

Pastaj, pas shek. të IV hixhrij, ixhtihadi është bërë çështje shumë e vështirë, vështirësi të cilën e shkaktuan dijetarët e mëvonshëm, si rezultat i ndarjes së vendeve islame dhe shkëputjes së lidhjeve ndërmjet umetit dhe dobësimit të lidhjeve të tyre. Kjo është bërë që të vendoset pengesa para atyre të cilët nuk ishin kompetent për ixhtihadë dhe për hulumtim, dhe të ndërpriteshin rrugët e sekteve dhe medhhebeve, të cilat veçse u shumëfishuan, dhe kësisoj dëshirohej që të mbrohej umeti nga ndarja në fe, andaj e mbyllën derën e ixhtihadit. Muxhtehidët u ndanë në kategori:

  • Kategoria e ixhtihadit absolut;
  • Kategoria e muxhtehidëve të medhhebit;
  • Kategoria e muxhtehidëve të çështjeve;
  • Pas tyre në radhë vijnë muxhtehidët pasues.

Prej faktorëve të mbylljes së ixhtihadit është heshtja e lëvizjeve të fikhut dhe ngurtësimit të dijetarëve dhe dobësimit të lirisë ideore, si dhe paraqitja e idesë së pasimit. Në mendjet e njerëzve dominoi ideja se për të arritur nivelin e ixhtihadit është bërë e vështirë dhe e pamundur. Kështu, ata menduan se dhuntitë dhe aftësitë e tyre nuk mund të arrijnë në nivelin të cilin janë ngritur imamët e katër medhhebeve, pra, të Imam Ebu Hanifes, Malikut, Shafiijut dhe Ahmedit, dhe imamët e ngjashëm me to prej medhhebeve më pak të njohura si, dhahirijët, ibadijet, shiitët imamij dhe shiitët zejdij, andaj pasoi përmbajtja e çdonjërit në ndonjë medhheb të caktuar, ose për ta kënaqur veten e tyre, ose për shkak të kushteve jetësore, ose për shkak të situatave të caktuara politike.

Mirëpo, pas errësirës së natës, patjetër se do të vjen edhe drita e ditës. Pas mbulimit të qiellit me mjegullat e dendura, patjetër se mjegullat një ditë do të shpërndahen dhe do të shkëlqej qielli dhe atëherë do të ndryshojnë mendimet, do të zgjohet liria e mendimit në thellësinë e atyre të cilët merren me fikh sepse ani pse ka qenë mirë që të mbyllet dera e ixhtihadit për t’u ruajtur uniteti fetar i umetit islam dhe që të sigurohet thesari fikhorë i vjetër, por përveç kësaj kanë rezultuar edhe të këqija të tjera të shumta, e më të rëndësishmet prej tyre janë:

  • Mbetja e fikhut islam në kohën e kaluar;
  • Zmbrapsja e njerëzve nga ligjet e sheriatit;
  • Mbështetja e njerëzve për çështjet praktike në kushtetutat e perëndimit, si në aspektet politike, ekonomike, në çështjet shoqërore dhe të marrëdhënieve reciproke, gjë që qoi deri te mosgjetja e një forme të sistemit shoqëror dhe civil, ndryshoi opinioni ynë dhe teoritë tona të kushtetutave dhe filluan idetë dhe pretendimet e reformimit në vetvete, filloi shfuqizimi i vet sunetit sipas mendjes dhe e interpretuan Kur’anin në bazë të epshit dhe në bazë të kandarit të mendjes së tyre, duke shikuar interesin e njerëzve vetëm sipas ideve të tyre dhe dominimit të rrethanave shoqërore.

 

  • Kush e ka mbyllur derën e ixhtihadit?
  • A mundet ndonjëri të thotë se ka dhunti prej Zotit dhe aftësi të kufizuara të një gjenerate kundrejt gjeneratës tjetër, ose të një njeriu kundrejt një njeriu tjetër.

Për këtë arsye, pretendimet e mbylljes së derës së ixhtihadit janë të pabaza, sepse prej domosdoshmërive të përfundimit të ligjeve qiellore me sheriatin islam është hapja e derës së ixhtihadit për të vepruar çka të dëshirohet. Kanë pasur të drejtë shiitët dhe lëvizjet e selefijëve bashkëkohor kur kanë thënë se dera e ixhtihadit është e hapur, ashtu siç kanë të drejtë të tjerët prej dijetarëve të sunetit, si f.v., Es-Sujutiu, i cili e ka shkruar librin të cilin e ka titulluar “Përgjigje për atë i cili është i përgjithmonshëm në tokë dhe e injoron faktin se ixhtihadi është farz për çdo gjeneratë.” dhe e ka ndarë në katër kapituj.

Në kapitullin e parë i ka përmendur mendimet e dijetarëve se ixhtihadi është farz për çdo gjeneratë prej farzeve kolektive dhe nuk lejohet që një gjeneratë të mos ketë ixhtihadë. Në temën e shtatë do t’i përmendi disa prej atyre mendimeve, dhe do të shpejtoj që tani, që të tregoj se çka ka shkruar Sujutiu në këtë libër, citoj:

“Njerëzit i ka kapluar injoranca, dhe i ka verbëruar. Duke qenë kokëfortë janë verbëruar, saqë e kanë ekzagjeruar pretendimin e ixhtihadit, duke e llogaritur si çështje e mohuar prej njerëzve dhe këta injorantë nuk e ndjejnë se ixhtihadi është farz prej farzeve kolektive të çdo epoke dhe është obligim për banorët e çdo kohe që të ngrihet një grup nga çdo pjesë e tokës (për të bërë ixhtihad).”

Shevkaniju thotë:

“Dhe kush e përkufizon dhuntinë e Allahut në vetëm te disa njerëz (gjeneratë) dhe përcakton se, sheriatin mund ta kuptojnë vetëm gjenerata e kaluar, ai është larguar nga Allahu i Lartmadhëruar. Pastaj, sheriati është për të gjithë robërit, pastaj robërit e Tij janë ata të cilët e adhurojnë Allahun me librin e tij dhe me sunetin e të dërguarit të Tij.”

Lini një koment