Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu. Dr. Musli Vërbani
Zoti im, Ti je i Urtë dhe ke mundësi për çdo gjë
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَنفِقُواْ مِمَّا رَزَقۡنَٰكُم مِّن قَبۡلِ أَن يَأۡتِيَ يَوۡمٞ لَّا بَيۡعٞ فِيهِ وَلَا خُلَّةٞ وَلَا شَفَٰعَةٞۗ وَٱلۡكَٰفِرُونَ هُمُ ٱلظَّٰلِمُونَ ٢٥٤
“O ju të cilët keni besuar! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim! Pabesimtarët me të vërtetë janë keqbërësit e vërtetë.” (El Bekare : 254)
Ne e dimë se çdo formë thirrore prej Zotit të Lartmadhëruar e cila fillon me: “O ju besimtarë” tregon se pas kësaj vjen urdhri për t’u obliguar ai i cili beson në Zotin. Nuk është obligueshmëri për gjithë njerëzimin sepse Zoti i Lartmadhëruar nuk obligon ata të cilët nuk e besojnë, por i obligon ata të cilët e besojnë. Kush e zgjedh besimin dhe i bindet plotësisht Allahut, ai ka imunitet që Allahu ta urdhëroj, për këtë arsye lexojmë fjalën e Zotit:
O ti i cili më ke besuar Mua si Zot të Urtë, të Plotfuqishëm, Ligjvënës, Unë dëshiroj nga ti që ta kryesh këtë urdhër.
Të besuarit në Zot është mënyra e të kryerit të çdo obligimi prej Allahut. Askush të mos thotë: Pa dyshim se Zoti më ka urdhëruar me këtë detyrë për këtë urtësi apo për atë urtësi. Jo!
Besimtari thotë: Allahu, të cilit i kam besuar më ka urdhëruar me këtë ligj. Ai është Zot i Urtë, i Plotfuqishëm dhe më urdhëron vetëm për të mirën time, pa marrë parasysh a e kuptoj apo nuk e kuptoj. Ndonjëherë besimtari e zbaton urdhrin me të cilin është urdhëruar edhe pse nuk e ka kuptuar urtësinë më shumë se ai i cili është urdhëruar, ka besuar dhe e ka kuptuar urtësinë e atij urdhri. Shembull: Çështja e largimit të njeriut nga alkooli, a bëhet pse mjeku i thotë se alkooli ta prishë mëlçinë?
A mund të barazohet ky largim i këtij njeriu nga alkooli me besimtarin i cili është larguar nga alkooli, sepse urdhri për t’u larguar nga alkooli është prej Krijuesit të tij? Jo!
Largimi i personit të parë (pabesimtarit) nga alkooli, edhe pse është dëgjueshmëri ndaj Allahut, është bërë sepse njeriu i njëjtë me të i ka thënë të largohet. Për këtë arsye, të besuarit e tij në këshillën e mjekut është më i lartë se të besuarit në Zotin e tij dhe në Zotin e mjekut të tij.