Pranimi i lutjes së atij i cili gjendet në vështirësi

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu. Dr. Musli Vërbani

Pranimi i lutjes së atij i cili gjendet në vështirësi

 

Kur për shkak të gjendjes së vështirë njeriu i lutet Allahut, Allahu i përgjigjet lutjes së tij.

Shumica e njerëzve mendojnë se Zoti nuk iu është përgjigjur lutjeve të tyre. Atyre ua përsërisim këtë thënie: Zoti Lartmadhëruar i përgjigjet lutjes së atij i cili gjendet në gjendje të vështirë dhe që i janë harxhuar të gjitha shkaqet të cilat Zoti ia ka lënë në dispozicion, mirëpo disa njerëz e lusin Krijuesin për komoditet dhe jo për nevojë.

Zoti i Lartmadhëruar i përgjigjet personit i cili gjendet në vështirësi, ashtu që ia tejkalon vështirësinë dhe pavarësohet me atë që i ka dhënë Allahu.

Besimtari, pasi që Allahu ia tejkalon atë vështirësi, është ai i cili nuk e tepron me padrejtësi. Zoti tregon për padrejtësinë e njeriut i cili nuk ka besim (iman) në zemrën e tij, kur thotë:

كَلَّآ إِنَّ ٱلۡإِنسَٰنَ لَيَطۡغَىٰٓ ٦ أَن رَّءَاهُ ٱسۡتَغۡنَىٰٓ ٧

“Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, për shkak se e ndjen veten të pavarur. Po kthimi është vetëm te Zoti yt.” (El Alek : 6, 7)

Njeriun pa besim, padrejtësia e tërheq zvarrë ashtu që ai e imagjinon se vështirësia e cila i është larguar, ka ndodhur prej shkaqeve të cilat i disponon njeriu. Atij i pasqyrohet se shkaqet janë burim i largimit të vështirësive, përkundër asaj se Zoti është Ai i cili e ka krijuar njeriun dhe po Ai i ka krijuar të gjitha shkaqet. Për këtë arsye, Zoti i Lartmadhëruar na e tërheq vërejtjen me shembullin e popullit të Musaut i cili pasi që është gjendur në vështirësi (krizë) ka kërkuar ujë, i cili është baza e furnizimeve, kur thotë:

“Hani dhe pini nga furnizimi i Allahut.”

Zoti i Lartmadhëruar e mëson popullin e Musaut pas sprovës së vështirësisë së kërkimit të ujit, pasi që Zoti është dhurues i furnizimit dhe besimtari duhet t’i pranoj begatitë e Allahut, të bëhet falënderues dhe jo mohues. Falënderimi ndaj Krijuesit nuk bëhet vetëm me fjalë, por bëhet me fjalë dhe me vepër, për këtë arsye, Zoti i Lartmadhëruar e vazhdon thënien e tij të të njëjtit ajet:

“Dhe mos u sillni në tokë me arrogancë duke u bërë shkatërrimtarë.”

Lini një koment