Burimet e fikhut të cilat nuk janë të sheriatit

Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Shkëputur nga "Usuli fikhu islam II"

Burimet e fikhut të cilat nuk janë të sheriatit

 

Islami nuk pranon që të veprohet me asnjë burim i cili nuk ka mbështetje të sheriatit ose të shpalljes qoftë direkte qoftë indirekte. Mjafton t’i përmendim disa burime të papranuara e ato janë:

  1. Ligjësimi i mendjes njerëzore (ligjet njerëzore).

Te juristët, kushtetuta ka dy kuptime:

E para: Kuptim të përgjithshëm.

E dyta: Kuptim të veçantë.

 

E para: Ligjësimi në kuptim të përgjithshëm.

Ligjësimi në kuptim të përgjithshëm është: Vendosja e rregullave ligjore të domosdoshme, për ligjin i cili i rregullon raportet shoqërore të njerëzve, pa marrë parasysh se ato rregullore a rezultojnë ndonjë burim prej burimeve legjislative, apo të ndonjë interpretimi të rregullave ekzistuese.

 

E dyta: Ligjësimi në kuptim të veçantë.

Ligjësimi në kuptim të veçantë është: Shprehje e dëshirës së qeverisë qendrore. Me të, pikësynohet vendosja e rregullave ligjore dhe obligimin e njerëzve për t’i respektuar ato në të gjitha shtetet në krahasim me ligjin e përgjithshëm, pasi që absolutisht këtë kuptim e ka ligjësimi kur të shprehet.

Pushteti i përgjithshëm i cili aprovon ligje mund të jetë i zbatueshëm në sisteme mbretërore por mund të jetë edhe në sisteme parlamentare, ku si përfaqësues të popullit vendosin ligje për popullin, siç është në sisteme shtetërore, por mund të jetë edhe më shumë se kaq, por që mundet edhe populli të merr pjesë direkt me vendosjen e ligjit themelor të shtetit siç është kushtetuta.

Si do që të jetë çështja, kjo qeverisje në vendosje të ligjit mbështeten në rezultatet e mendjes njerëzore dhe të ideve absolute, siç shihet qartë në definicionin ku nënvizohet se, ligjësimi shpreh dëshirën e qeverisjes së përgjithshme, e cila mund të jetë e një individi apo të individëve. Kështu pra, ligjësim është prodhim i mendjes, bile edhe sinonim i saj.

Mendja absolute: Tek fukahatë e sheriatit islam nuk konsiderohet burim prej burimeve të fikhut islam sepse nuk mund të rezultojë drejtësi dhe barazi e cila kërkohet në ligj. Kjo, nga shkaku se mendjet njerëzore ndryshojnë njëra prej tjetrës në perceptimin e çështjeve dhe ndryshojnë barometrat e së mirës dhe së keqes sipas këndvështrimeve të tyre. Është i kufizuar në perceptimin e esencës së çështjeve të mjegulluara dhe nuk mund të zbuloj atë që ndodh në të ardhmen prej ngjarjeve, sikurse edhe nuk është imun prej nxitjes së epshit, dëshirave dhe apetiteve.

Në fund, rezultati i çështjeve nuk mbështetet mbi bazën e fesë dhe moralit, gjë që shpie që ligjet dhe rregullat të jenë prodhim njerëzorë gjithmonë është i mangët që të arrihet drejtësia, interesi dhe qetësia. Për këtë kemi fakte të shumta, në ndryshimin e atyre ligjeve, aneksimet e atyre ligjeve, rishqyrtimin për revidimin dhe mënjanimin e mangësive pas një kohe të themelimit të tyre.

Që vetëm mendja të mos llogaritet burim prej burimeve të ligjeve në fikhun islam është çështje për të cilën janë pajtuar fukahatë e sheriatit islam dhe ne e shohim se ata vazhdimisht deklarojnë “Nuk ka ligjësim, pos ligjit të Zotit të botëve.” dhe nuk është veçuar nga kjo askush, saqë edhe fukahatë muëtezil të cilët deklarojnë se mendja i percepton disa punë të mira, të cilat i bën se janë të urdhëruara për të dhe nëse i vepron meriton shpërblim, dhe kjo siç është drejtësia dhe besnikëria dhe disa çështje tjera të cilat i percepton se janë të këqija dhe që duhet larguar prej tyre dhe për veprimin e tyre meriton ndëshkim, siç janë gënjeshtra, vrasja, etj., muëtezilët e deklarojnë këtë për arsye se, mendja nuk i ligjëson këto ligje dhe nuk i miraton, por gjenerues dhe ligjësues është Allahu, Krijuesi i të gjithë botëve, dhe aktiviteti i mendjes është i mangët për t’i kuptuar ligjet e Allahut të Lartmadhëruar në këto çështje nëpërmjet perceptimit të së mirës vetanake dhe të keqes vetanake. Kur ta perceptojë se në diçka ka të mirë e ka perceptuar ligjin e Allahut në atë çështje dhe e përcakton të veprohet dhe kur ta perceptojë se në një çështje ka të keqe, e percepton ligjin e Allahut në të dhe e përcakton largimin prej saj dhe njeriu nuk tejkalon kufijtë e veprimit të mendjes në kuptimin dhe perceptimin e ligjit, vetëm se gjenerues dhe vendosës i vet ligjit është Zoti, Krijues i gjithë botëve.

Megjithatë, ehlu suneti e kanë konsideruar të pavlefshëm mendimin e muëtezilëve në këtë çështje, siç shihet kur lexohen librat e fikhut kur të tregohet për temën e qeveritarit.

Mbështetja në mendje me atributin e tij si burim i ligjeve, nuk ka ekzistuar në kohën e Muhamedit a.s. dhe as në gjeneratën pas tij. Në kohën e Muhamedit a.s., çdo ligj i cili ka ardhur ka ardhur prej Kur’anit fisnik si shpallje prej qiellit, siç e tregon Zoti i Lartmadhëruar:

وَإِنَّهُ لَتَنزِيلُ رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿١٩٢﴾ نَزَلَ بِهِ الرُّوحُ الْأَمِينُ ﴿١٩٣﴾ عَلَىٰ قَلْبِكَ لِتَكُونَ مِنَ الْمُنذِرِينَ ﴿١٩٤﴾ بِلِسَانٍ عَرَبِيٍّ مُّبِينٍ ﴿١٩٥﴾

E edhe ai (Kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). (E solli) Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (pejgamber). (Të shpallëm) Me gjuhë të kulluar arabe.” (Esh-Shuaraë : 192-195)

dhe po ashtu ligjet të cilat burojnë, burojnë edhe nga suneti siç e tregon Zoti i Lartmadhëruar:

وَلَوْ تَقَوَّلَ عَلَيْنَا بَعْضَ الْأَقَاوِيلِ ﴿٤٤﴾ لَأَخَذْنَا مِنْهُ بِالْيَمِينِ ﴿٤٥﴾ ثُمَّ لَقَطَعْنَا مِنْهُ الْوَتِينَ ﴿٤٦﴾ فَمَا مِنكُم مِّنْ أَحَدٍ عَنْهُ حَاجِزِينَ ﴿٤٧﴾

“Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë. E pastaj do t’ia këputnim atij arterien e zemrës. Askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij.” (El-Hakatu : 44-47)

Përderisa, pas epokës së Muhamedit a.s., detyra e muxhtehidëve është vetëm zbulim dhe shpalosje e ligjeve, të cilat i kuptojnë prej teksteve dhe i zbatojnë ato, dhe bëjnë analogji me ta, dhe bëjnë ixhtihad për t’i nxjerrë ligjet prej tyre, dhe assesi nuk vendosin ligje prej mendjes së tyre dhe nuk janë themelues të ligjeve prej mendjeve dhe ideve të tyre, sepse ata mbështeten në Kur’an dhe sunet për zbulimin e ligjeve dhe sqarimin e tyre, dhe nuk mbështeten në diçka tjetër, pa marrë parasysh a është ixhtihadi individual apo kolektiv. Rezultati i çështjes së ligjit për të cilën janë pajtuar muxhtehidët është obligim për umetin dhe pas kësaj për atë çështje skadon afati i ixhtihadit.

Nëse ligji është vendosur nga ixhtihadi i individit, nuk është obligim për të gjithë muxhtehidët tjerë, por është obligim për vet muxhtehidin e asaj çështjeje dhe për secilin pasues për të cilët e ka dhënë atë mendim.

Në islam, të drejtën e legjislativit e ka Allahu, Krijuesi i botëve, dhe i dërguari s.a.v.s., nga shkaku se është ai është i dërguar dhe transmetues i shpalljes së Allahut tek njerëzit, dhe të drejtën e legjislativit në islam nuk e ka askush tjetër, qoftë individual qoftë kolektiv, ashtu siç e sqarova edhe më herët.

Kur të përdoret fjala ligjësim për veprën e muxhtehidëve, dhe kur ta përdorim fjalën ligjësues për muxhtehidin apo qeveritarin, ne e përdorim në mënyrë metaforike dhe jo në kuptimin e drejtë të fjalës.

Vendin e organit legjislativ në islam e zë kuvendi i planifikimit të lartë, i cili bazohet në sistem konsultativ, dhe nuk ka kurrfarë pengese që të bazohet në sistem parlamentar brenda kornizës së aprovimit të rregullave procedurale, të bazuar mbi themelin e ligjit qiellor, si për shembull ligjin e punës dhe punëtorëve, ligji i sigurimeve shoqërorëve, ligji i punëtorëve administrativ dhe ligjet e shfrytëzimit të pasurive natyrore si mineralet, etj.

Lini një koment