Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu. Dr. Musli Vërbani
E vërteta e furnizimit
Parashtrohet pyetja: Çka është furnizimi?
Në popull, furnizim quhet ajo prej së cilës kemi dobi. Çdo gjë prej së cilës njerëzit kanë dobi, quhet furnizim. Por, ne duhet ta bëjmë dallimin në mes të furnizimit hallall dhe furnizimit haram.
- Furnizimi haram është përfitim i shpejtë.
- Furnizimi hallall ndoshta në sy të disa njerëzve shihet si përfitim i vogël, por në të vërtetë ka mirësi të shumta, të vazhdueshme dhe të përhershme.
Njerëzit e përkufizojnë rizkun vetëm në një çështje, e ajo është pasuria. Ne themi: Jo! Nuk është ashtu!. Rizk është ajo e cila definitivisht e plotëson dobinë:
- dituria është rizk;
- edukata është rizk;
- personaliteti është rizk.
Neve na duhet që ta analizojmë thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
وَٱللَّهُ فَضَّلَ بَعۡضَكُمۡ عَلَىٰ بَعۡضٖ فِي ٱلرِّزۡقِۚ فَمَا ٱلَّذِينَ فُضِّلُواْ بِرَآدِّي رِزۡقِهِمۡ عَلَىٰ مَا مَلَكَتۡ أَيۡمَٰنُهُمۡ فَهُمۡ فِيهِ سَوَآءٌۚ أَفَبِنِعۡمَةِ ٱللَّهِ يَجۡحَدُونَ ٧١
“All-llahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim. Atyre që u është dhënë përparësia (në furnizim), nuk janë furnizues të atyre që i kanë në pronësi (robërve), ata (të gjithë) janë të barabartë (furnizues kryesor është All-llahu). A mos duan të mohojnë dhuntinë e All-llahut?” (En Nahl : 71)