Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu. Dr. Musli Vërbani
Cilit i drejtohet ligjërimi?
وَلَا تَقۡتُلُوٓاْ أَوۡلَٰدَكُم مِّنۡ إِمۡلَٰقٖ نَّحۡنُ نَرۡزُقُكُمۡ وَإِيَّاهُمۡۖ
“Dhe mos i mbytni fëmijët tuaj në situatë varfërie. Ne ju furnizojmë juve dhe ata.” (El Enam : 151)
Thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
وَلَا تَقۡتُلُوٓاْ أَوۡلَٰدَكُمۡ خَشۡيَةَ إِمۡلَٰقٖۖ نَّحۡنُ نَرۡزُقُهُمۡ وَإِيَّاكُمۡۚ
“Dhe mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika se do të varfëroheni, Ne i furnizojmë ata dhe juve.” (El Isra : 31)
T’i analizojmë këto dy ajete:
Në njërin ajet Zoti i Lartmadhëruar thotë:
- “Mos i mbytni fëmijët tuaj në situatë varfërie…” ndërsa
- Në ajetin tjetër “…nga frika se do të varfëroheni”.
Dhe në vazhdim të dy ajeteve nuk ka thënë vetëm “Ne ju furnizojmë ata dhe juve” por:
- në njërin ajet ka thënë “Ne ju furnizojmë juve dhe ata” dhe,
- në tjetrin “Ne i furnizojmë ata dhe juve”.
Ajeti i parë: “Mos i mbytni fëmijët tuaj në imlak (إِمۡلَٰقٖ)”. “Imlak” do të thotë kur faktikisht ekziston varfëria.
Ajeti i dytë: “Mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika se do të varfëroheni (në të ardhmen).” Kjo do të thotë se varfëria në rastin e dytë është inekzistente në atë moment, por ekziston frika se me lindje të fëmijëve vjen varfëria.
Kështu pra:
- Ajeti i parë u drejtohet të varfërve.
- Ajeti i dytë u drejtohet atyre të cilët nuk janë të varfër, por që frikohen se do të bëhen të varfër, nëse u lindin fëmijë.
I varfri, para se të ballafaqohet me rizkun e fëmijës është i ballafaquar me rizkun e tij. Për këtë arsye Allahu dëshiron që ta siguroj dhe ta bind se fëmijët e tij aspak nuk i marrin atij nga rizku. Për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Ne ju furnizojmë juve dhe ata.” O ti i varfër! Ji i qetë me rizkun tënd. Fëmijët asgjë nuk marrin nga rizku yt, sepse Zoti i Lartmadhëruar në rend të parë ju furnizon juve, e pastaj fëmijët e tu.
Kurse ai i cili nuk është i varfër, e mendon se me ardhjen e fëmijëve, vjen varfëria, e angazhon mendjen e tij duke pandehur se fëmijët që do të vijnë, pasurinë do ta zëvendësojnë me varfëri. Për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Ne ju furnizojmë ata dhe juve.” Kjo do të thotë se furnizimi i fëmijëve prej Zotit të Lartmadhëruar vjen para se tu vjen furnizimi juaj. Për këtë arsye mos u frikësoni nga varfëria, e t’i mbytni fëmijët tuaj, sepse Zoti i Lartmadhëruar do t’i furnizoj ata dhe, ju nuk do të varfëroheni për shkak të fëmijëve.