Dr. Musli Vërbani
Rreth ditës së mësuesit
Më 14 – 22 nëntor 1908 është mbajtur Kongresi i Manastirit, apo me fjalë tjera Kongresi i Alfabetit, pra, për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Dy dekada më parë, në mars të vitit 1887 në Korçë është hapur mësonjëtorja e parë shqipe. Logjikisht duhej të ishte e kundërta, sepse para se të mësohen fjalët duhet të mësohen shkronjat, por ja që ka ndodhur e kundërta, por parashtrohet pyetja, ajo shkollë e parë shqipe, a ka mësuar me shkronja të alfabetit shqip (latin) apo…? Nëse quhet shkolla e parë shqipe do të duhej që në të të mësohej me shkronja shqipe.
Përndryshe, dita e mësuesit, pra, Dita Botërore e Mësuesit është më 5 tetor, pasi që UNESCO, në vitin 1994 e ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit.
Në Paris, më 5 tetor 1966 miratohet edhe Statuti i Mësuesve. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së është hartuar edhe betimi solemn i mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.
Në historinë njerëzore, i pari i cili të folurit e ka shprehur dhe e ka paraqitur me shkronja është mësuesi – IDRISI. Mësuesi – IDRISI është ai i cili i ka mësuar njerëzit që me anë të shkrimit t’i paraqesin rregullat e fesë dhe të shkencës, në mënyrë që njerëzit të jetonin të lumtur, të punonin me sinqeritet, t’i ndihmonin njëri-tjetrit për të krijuar shoqëri të shëndoshë.
“Në libër (Kur’an) përkujtoje Idrisin (mësuesin). Vërtetë ai (Idrisi – mësuesi) ka qenë i sinqertë dhe pejgamber. Ai (Allahu) e ka ngritur në një vend të lartë.” (Merjem : 56, 57)
Pra, Idrisi është i pari i cili ka shkruar, ka lexuar dhe i ka mësuar të tjerët për shkrim-leximin. Për këtë arsye e ka marrë emrin Idris – MËSUES.
Idrisi ka pasur dëshirë që të udhëtojë nëpër botë që të përhapë fenë dhe t’ua mësojë të tjerëve rregullat e fesë, bashkëpunimit dhe mënyrën e jetesës në baza morale të shëndosha dhe fetare, për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar për të ka thënë:
“Ai (Allahu) e ka ngritur në një vend të lartë.” (Merjem : 57)
Pejgamberët, e prej tyre edhe vula e pejgamberëve Muhamedi a.s. na kanë mësuar ta njohim Krijuesin, ndërsa shkencëtarët na i kanë zbuluar zbulimet shkencore për të vërtetuar thëniet e pejgamberëve për të njohur Krijuesin – Zotin.
Në fund…
Ai i cili e do mësuesin, e do edhe nënën edhe babën edhe vëllanë edhe motrën edhe familjen edhe shoqërinë edhe atdheun edhe njerëzimin edhe natyrën edhe kozmosin. Ai i cili i ka këto virtyte, atë e ngritë Zoti i Lartmadhëruar lartë ashtu siç ka thënë Zoti i Lartmadhëruar për Idrisin – Mësuesin:
“Ai (Allahu) e ka ngritur në një vend të lartë.”