Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu. Dr. Musli Vërbani
Prodhimi shoqëror
Nëse dëshiron jetë cilësore dhe komode, siç janë: lloj-llojshmëritë e ushqimeve, lëngjeve, banesave, veshmbathjeve, atëherë shfrytëzoje mendjen tënde për të përfituar nga gjithësia e Allahut. Elementet (materialet) ekzistojnë, energjia ekziston, mendja ekziston. Çdo krizë, patjetër se vjen si pasojë e mosaktivizimit të energjisë në fushëbetejën e jetesës. Kriza e aktivitetit e ka zanafillën në dy çështje:
E para: Përtacia në nxjerrjen (zbulimin) e begative të Allahut, të cilat ekzistojnë në ekzistencë.
Përtacia dhe neglizhenca në nxjerrjen e thesareve të Allahut në ekzistencë, vjen nga moszbatimi i thënies së të dërguarit të Allahut s.a.v.s., i cili ka thënë:
“Kërkojeni furnizimin në brendi të tokës.”
dhe në moszbatimin e thënies së Zotit të Lartmadhëruar:
“Dhe ecni në këndet e saj (tokës) dhe hani prej furnizimit të saj.” (El Mulk : 15)
Kur popujt i kaplon kriza, dijeni se kjo u ka ardhur si shkak i përtacisë së tyre ndaj këtyre dhuntive. Dhe pasojë e kësaj do të jetë se, edhe gjenerata e cila do të vjen pas tyre do të jetoj në varfëri, sepse gjenerata paraardhëse nuk i ka kryer detyrat e saj të cilat i kanë pasur obligim jetësor. Në qoftë se ata do t’i kryenin detyrat e jetesës së tyre, do të ishin zhvilluar si shoqëri. Ti, nëse në njërën anë shikon shpërthimin e natalitetit, atëherë në anën tjetër do të shohësh zhvillimin teknologjik, kurse ata që thonë se shkaktar i moszhvillimit është nataliteti, gabojnë, sepse në fakt shkaktari kryesor i moszhvillimit është gjenerata paraprake për shkak të moskryerjes së detyrave të tyre. Shembull: Nëse e marrim zbuluesin e rrymës elektrike (prej saj edhe zbulimin e mjeteve teknologjike), para asaj kohe toka është punuar me mjete të thjeshta. Punën që mund ta kryej sot një mjet teknologjik, më parë po të njëjtën punë nuk kanë mundur ta kryejnë një grumbull njerëzish.
Kështu pra, përdorimi i intelektit njerëzor në gjithësi dhe procesi i nxjerrjes (zbulimit) të fshehtësive në ekzistencë, e ka zhvilluar shoqërinë, sepse sot njeriu i përdor mjetet teknologjike dhe as nuk lodhet e as nuk mundohet, kurse nga ana tjetër me një mjet teknologjik prodhon atë që deri dje nuk kanë mundur ta prodhojnë mijëra punëtorë së bashku. Kështu që e udhës do të ishte që me shtimin e popullsisë të shtohet edhe prodhimi shoqëror, e kjo vjen si rezultat i shtimit të mjeteve teknologjike të cilat prodhojnë paralelisht me shtimin e njerëzimit.
Kur të përhapet frika për urinë apo për krizë ekonomike apo krizë të disa artikujve, të cilat janë të ndërlidhura me shërbimet e jetës, ta dish se ka ndodhur diçka në shpirtin njerëzor.
Njeriu duke brengosur së tepërmi për rizkun (furnizimin) e sodit, mashtrohet dhe harron t’ia përgatit atë (rizkun) pasardhësve. Shembull: Nëse i shikon ata të cilët i mbjellin hurmat, do të shohësh se ata janë tepër të shtyrë në moshë, që me shumë gjasë nuk do të arrijnë asnjë fryt të atyre hurmave, mirëpo ata e shpenzojnë energjinë e tyre për shoqërinë, apo për gjeneratën e ardhshme, që ata të ushqehen prej atyre hurmave. Po të mbillnin njerëzit vetëm atë që vet mund ta hanë, shumë pak hurma do të kultivoheshin, me fjalë tjera, njerëzit do të privoheshin nga frytet e tyre.
Kështu pra, aktiviteti i jetës patjetër duhet të jetë aktivitet jetëgjatë. Kur Zoti i Lartmadhëruar vjen që të shëroj çështjen e tërë gjithësisë, thotë:
۞قُلۡ أَئِنَّكُمۡ لَتَكۡفُرُونَ بِٱلَّذِي خَلَقَ ٱلۡأَرۡضَ فِي يَوۡمَيۡنِ وَتَجۡعَلُونَ لَهُۥٓ أَندَادٗاۚ ذَٰلِكَ رَبُّ ٱلۡعَٰلَمِينَ ٩ وَجَعَلَ فِيهَا رَوَٰسِيَ مِن فَوۡقِهَا وَبَٰرَكَ فِيهَا وَقَدَّرَ فِيهَآ أَقۡوَٰتَهَا فِيٓ أَرۡبَعَةِ أَيَّامٖ سَوَآءٗ لِّلسَّآئِلِينَ ١٠
“A me të vërtetë ju e mohoni Atë i cili e ka krijuar tokën në dy ditë dhe besoni në zota të barabartë me Atë?. Ai është Zoti i botëve. Ai në tokë bëri kodra e male të palëvizshme, i bekoi ata dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj në masë.” (Fussilet : 9, 10)
Kështu pra, ushqimet ekzistojnë në gjithësi, mirëpo ato ekzistojnë në të ashtuquajturën ekzistim teorik dhe jo ekzistim praktik. Koncepti “ekzistojnë me forcë” është se ato ekzistojnë së bashku me elementet e vlefshme për t’i zbuluar ato. Të marrim një shembull: Kur amvisja është në shtëpi dhe burri ia sjell shportën e artikujve ushqimore të një muaji, duke filluar prej vajit, sheqerit, gjalpit, orizit, etj., a do t’i mjaftonte kjo gruas që burrit t’ia sjell ushqimin në formë të papërpunuar apo patjetër duhet që për çdo ditë të bëjë përgatitjen e ushqimit në kuzhinë. Pra, sikurse produktet ushqimore të cilat gjenden në shtëpi e njëjta është edhe me të mirat në gjithësi. Gjithësia i ka elementet e saj dhe mjetet për të vepruar në ato elemente. Argument për këtë është kujdesi që bëhet për ruajtjen e ambientit dhe të hapësirave bujqësore të tokës. Pse në të kaluarën nuk kemi menduar për këtë?
Sot planifikojmë dhe dëshirojmë të zgjerojmë një plantacion të tokës, pa marrë parasysh a është në shkretëtirë apo rreth liqeneve, sot bëjmë edhe shfrytëzimin e mbeturinave nga të korrurat. Por pse kjo nuk është menduar më herët? Aty ku sheh ngushtim të furnizimit, aty do të shohësh edhe përtacinë. Nëse në një vend nuk sheh përtaci, aty do të shohësh shoqërinë aktive e cila i merr të mirat e Allahut me punën e tyre, e pastaj ato të mira i fshehin prej tjerëve. Kështu pra, dëmtimi në gjithësi, zanafillën e ka prej dy anëve:
E para: Përtacia në nxjerrjen e begative të Allahut në ekzistencë.
E dyta: Fshehja e begatisë nga ana e atij i cili e ka zbuluar dhe e ka prodhuar.
E dyta: Begatitë e Allahut.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
وَءَاتَىٰكُم مِّن كُلِّ مَا سَأَلۡتُمُوهُۚ وَإِن تَعُدُّواْ نِعۡمَتَ ٱللَّهِ لَا تُحۡصُوهَآۗ إِنَّ ٱلۡإِنسَٰنَ لَظَلُومٞ كَفَّارٞ ٣٤
“Nëse mundoheni t’i numëroni begatitë e Allahut, kurrë nuk mund t’i numëroni.” (Ibrahim : 34)
Kryesorja e kësaj është arsyeja se pse Zoti i Lartmadhëruar e ka filluar ajetin me “Nëse”, fjalë e cila në vetvete tregon për mëdyshje dhe hamendje?. Argumentin e së vërtetës së kësaj çështjeje e shohim në atë se: mjetet e statistikave në botë, ekspertët e statistikave dhe qendrat statistikore, asnjëherë nuk kanë menduar që t’i numërojnë të mirat e Allahut në gjithësi. Një statistikë e tillë kurrë nuk ka ndodhur. Mospranimi i këtij lloji të statistikës është argument se Zoti i Lartmadhëruar është i sinqertë në thënien e Tij se njerëzit janë të paaftë t’i numërojnë begatitë e Allahut. Ne kemi dëgjuar për llogaritje në çdo gjë, por nuk kemi parë llogaritje të begative të cilat ekzistojnë në gjithësi.