Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu. Dr. Musli Vërbani
Kjo është drejtësi
“…Mirëpo, befasohet kur e sheh pranë vetes Allahun.”
Fakti që ai befasohet se gjendet pranë Allahut, tregon se ai nuk e ka llogaritur Allahun. Kjo tregon se gjatë kohës sa ka qenë duke punuar, në mendjen (qëllimin) e tij nuk ka qenë Allahu. E, pse tash pret ai prej Allahut që ta shpërblejë, kurse në ditën kur ka punuar nuk e ka pasur në mendje Allahun. Kjo (mosshpërblimi) është drejtësi. Në të vërtetë Zoti nuk ja ka humbur punën atij i cili ka punuar mirë dhe është lodhur për atë punë. Allahu e ka shpërblyer për atë punë, e shpërblimi i tij është fakti se Allahu e ka tubuar punën e tij, e ka vlerësuar dhe ia ka dhënë shpërblimin në këtë botë. Ata të cilët e kanë mohuar Zotin e tyre, veprat e tyre janë si “mirazhi”. Për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar nuk e ka përmendur se është i padrejtë:
إِنَّا لَا نُضِيعُ أَجۡرَ مَنۡ أَحۡسَنَ عَمَلًا ٣٠
“Vërtetë, Ne nuk ia humbim shpërblimin atij i cili bën vepra të mira.” (El Kehf : 30)
Për këtë arsye, ne themi “përsose punën tënde”. Por, çfarë shpërblimi do të kesh? Do të kesh shumë klient, do të sigurosh të mira materiale, do të kesh famë, askush nuk ta prek pasurinë tënde, etj.. Ama, dije se, nëse nuk e ke në mendje Allahun, atëherë çështja ndryshon, dhe vendi i shpërblimit të Allahut nuk është te ne (në tokë):
مَن كَانَ يُرِيدُ ٱلۡحَيَوٰةَ ٱلدُّنۡيَا وَزِينَتَهَا نُوَفِّ إِلَيۡهِمۡ أَعۡمَٰلَهُمۡ فِيهَا وَهُمۡ فِيهَا لَا يُبۡخَسُونَ ١٥
“Kush dëshiron jetën e kësaj bote, atëherë do t’ia kompensojmë atyre punën e tyre në të dhe atyre në të nuk do t’u mungoj asgjë.” (Hud : 15)
Atyre (jomuslimanëve) u është dhënë shpërblimi për atë punë, u është dhënë famë, reputacion, pasuri, autoritet dhe u është dhënë gjithçka.