Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Testimi i ngjalljes dhe ringjalljes
Ndryshimi i statikes (ligjit të pandryshuar) nuk ka ndodhë vetëm me Ibrahimin a.s. (me rastin e shpendëve), por ka edhe raste tjera, siç është rasti me njërin prej pejgamberëve Jehud, pastaj rasti me Zekerijain a.s., pastaj edhe me Merjemen.
Le ta shohim rastin kur njëri prej pejgamberëve të beni Israilëve ishte duke kaluar pranë një fshati i cili ishte shkatërruar nga dënimi i Zotit të Lartmadhëruar, siç na e tregon Kur’ani fisnik:
“Ose sikurse ai i cili kaloi pranë një vendbanimi deri sa ishte shkatërruar deri në themelet e saj dhe tha: – Si do t’i ringjallë Allahu të vdekurit e saj. Menjëherë Allahu e bëri që të vdes për 100 vite, e pastaj e ringjalli.” (El Bekare : 259)
Pasi që Allahu i kishte shkatërruar banorët e atij vendbanimi në mënyrë totale, ky pejgamber ka pyetur se si i ringjall Zoti i Lartmadhëruar?
Zoti i Lartmadhëruar ka dashur të na e tërheq vërejtjen se, kur është në pyetje Allahu, nuk ekziston pyetja si. Për këtë arsye, e ka bërë që të vdes dhe të mbetet i vdekur 100 vite, e pastaj e ka ringjallur, ashtu siç na tregon Zoti i Lartmadhëruar kur e ka pyetur:
“(Allahu) Tha: – Sa vite ke fjetur?
Tha: – Kam fjetur një ditë apo një pjesë dite.
(Allahu) Tha: – Përkundrazi, ju keni fjetur 100 vite.” (El Bekare : 259)
Kur ka pyetur për mënyrën (e ringjalljes së të vdekurve), Allahu e ka bërë që të vdes dhe të mbetet i vdekur 100 vite. Kur është zgjuar, sheh se vet nuk ka ndryshuar asgjë, por ka qenë në të njëjtën gjendje në të cilën ka vdekur. Është zgjuar ashtu siç ka qenë, i ri dhe i fuqishëm. Rreth tij nuk ka pasur asgjë, edhe sepse ai ka qenë i vdekur për 100 vite. Për këtë arsye, kur e ka pyetur Zoti i Lartmadhëruar “…sa vite ke fjetur?”. Ai duke bërë krahasim me gjumin e rëndomtë, është përgjigjur: “Kam fjetur një ditë apo një pjesë dite.” Është përgjigjur kështu, sepse zakonisht njeriu nuk mund të flejë më shumë. Atëherë Zoti i Lartmadhëruar i ka sjell atij argumentin lëndor që e fakton atë se ai ka qenë i vdekur 100 vite dhe është ringjallur. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Shikoje ushqimin dhe pijen tënde se si nuk është prishur,
(ne anën tjetër) kurse shikoje gomarin tënd (se si i janë shkapërderdhur eshtrat), dhe që të bëjmë ty argument për njerëzit, shiko në eshtrat (e gomarit) se si i bashkojmë dhe i plotësojmë dhe i veshim me mish.”
Kështu, Zoti i Lartmadhëruar i ka treguar për fuqinë e Tij, se si e ka ruajtur ushqimin e tij që të mos prishej dhe të mos ndryshoj nga ndikimi (klimatik) qindvjeçar.
Pastaj ka shikuar në gomarin e tij dhe e ka parë se gomari i tij ishte bërë krejt eshtra të shkapërderdhur. Pra, gomari i ka ngordhur, është kalbur, pastaj i janë shpërndarë eshtrat, saqë janë bërë eshtra të shkapërderdhur. E kjo nuk ka mundur t’i ndodh për një ditë e një natë.
Pastaj Allahu i ka dhënë argument tjetër. Ia dëshmon rikthimin dhe ribashkimin e eshtrave të shpërndarë dhe kthimin e gomarit në jetë normale. Pastaj (pejgamberi) tha:
“Tha: – Unë e di se Allahu ka mundësi për çdo gjë.” (El Bekare : 259)
Fuqia absolute e Zotit të Lartmadhëruar e ka bërë që koha të pasivizohet (ndalet) për ushqimin, ashtu që të mos prishej dhe të qëndroj i freskët. Përderisa, koha ka vazhduar të jetë aktive sa i përket gomarit, për këtë arsye eshtrat e tij janë shkapërderdhur.
Allahu i Lartmadhëruar me fuqinë e Tij bën që një send të bëhet e kundërta e ligjit të vet. Mirëpo a mos ia tregoi Zoti i Lartmadhëruar mënyrën se si e bën atë?
(Përgjigjet Shaëraviu) Jo! Por Zoti i Lartmadhëruar e ka bërë demonstrimin praktik me qëllim që ta kuptoj se Zoti i Lartmadhëruar ka mundësi për çdo gjë.
(Rasti tjetër) Kur hyri Zekerijai a.s. në mihrab të Merjemes, dhe pa se aty kishte pemë të cilat nuk ishin të atij sezoni, si veproi ai?.
(Përgjigjet Shaëraviu) Ai duke qenë i frymëzuar me fuqinë e argumenteve të cilat i ka parë, i kujtoi shkaqet dhe e dinte se tek ai dhe te bashkëshortja e tij mungojnë, atëherë iu drejtua dhe iu lut Zotit të Lartmadhëruar, dhe siç tregon Kur’ani fisnik:
“Tha: – O Zoti im! Po si të kem fëmijë, kur kam arritur moshën e pleqërisë, ndërsa gruaja ime është plakë dhe shterpë.
(Meleku) Tha: – Kështu, Allahu vepron si të dëshiron.” (Ali Imran : 40)