Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
E prodhuara harxhohet
Njerëzit jetojnë në këtë botë dhe duke jetuar prodhojnë mjete teknologjike, të cilat funksionojnë sipas përllogaritjeve të tyre dhe në shërbim të jetës së tyre. Prodhimi teknologjik tashmë eshtë bërë pjesë e pandashme jetës së tyre, dhe ka ardhur deri në atë nivel që askush nuk ka mundur ta paramendon një zhvillim të tillë. Kjo është ajo që e quajmë dinamika dhe statika e kësaj bote.
Allahu e ka bërë që: Dielli të lind çdo ditë dhe të perëndon çdo ditë. E ka bërë natën dhe ditën, i ka bërë detet me ligjet e tyre. Toka është pjesë e botës statike (ligjet e saj janë të pandryshueshme).
Të gjitha begatitë, Allahu i ka bërë statike në këtë botë, për këtë arsye njeriu vetmashtrohet dhe nuk mendon për to, ai i merr ato të gatshme, nuk mendon dhe nuk analizon krijimin dhe ligjin e tyre. Shumë herë nuk pyet për fuqinë mbinatyrore e cila është e krijuar nga Ai (Allahu), i cili e mbron dhe e mirëmban dhe e bën të funksionojë me sistem të përpiktë dhe në mënyrë precize. Për këtë arsye, shumica e njerëzve as që mendojnë për ato begati statike të gjithësisë, por i marrin dhe i shfrytëzojnë sikurse janë gjëra të cilat funksionojnë dhe ju shërbejnë vetvetiu.
Është interesante të shohësh se si në gjithësinë të cilën e ka krijuar Allahu, për çdo ditë përfitohet dituri edhe më e madhe për ligjet dhe argumentet e Allahut, dhe sa herë që njeriu e shton diturinë, ai përparon, mirëpo në të njëjtën kohë e pakëson të vepruarit me planprogramin e Allahut,
Ka qenë dashur që kjo dituri të na ofroj më shumë te njohja e Zotit të Lartmadhëruar, sepse Ai është i cili na mundëson neve që t’i zbulojmë fshehtësitë e fuqisë së Tij në këtë botë. E përkundrazi, zhvillimi shkencor po na shton dëshirat tona dhe po na shtyn edhe më shumë të shikojmë vetëm këtë botë dhe teoritë materiale (fizike) të saj.
Sa më shumë që përparon njerëzimi dhe ec me kohën, aq më shumë mbizotërojnë epshet mbi të. Çdo herë që zhvillohet shkenca dhe njeriu përparon, në vend se të shtohet të vepruarit me planprogramin e Allahut, ndodh e kundërta, pakësohet të vepruarit me planprogramin e Allahut. Kjo vërtetohet me thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“…sepse e konsideron veten të pavarur (nga Allahu), por padyshim se te Zoti yt do të kthehen.” (El-Alek : 6, 7)
Cilësi e njerëzve bëhet padrejtësia, atëherë kur njerëzit e konsiderojnë veten se janë të pavarur prej Zotit të Lartmadhëruar dhe atëherë kur mendojnë se nuk kanë nevojë për të adhuruar Zotin e tyre.
Nëse e shikojmë aspektin e jashtëm, shohim se shkenca na e ofron atë që e dëshirojmë:
- Nëse dëshirojmë të udhëtojmë: kemi metoda komode, të lehta, të shpejta, me aeroplan luksoz, me ambient të përshtatshëm. Me to njeriu nuk ndien lodhje.
- Nëse dëshirojmë ushqim: kemi ushqime të ambalazhuar me mjete të pastra dhe moderne.
- Ekziston mundësia që ti të qëndrosh në dhomë, thërret në telefon dhe ta sjellin në shtëpi ushqimin e dëshiruar.
- Nëse na paraqitet ndonjë sëmundje, kemi preparatet më moderne teknologjike të cilat mund të na paraqesin çka kemi në brendi të trupit, e mësojmë atë çka nuk e kemi ditur dhe na sqarohet neve se ku jemi të sëmurë dhe cilën sëmundje e kemi dhe cila është rruga e shërimit. Aparatet teknologjike na mundësojnë ta identifikojmë sëmundjen apo gjendjen e shëndoshë të secilës pjesë të trupit.
- Përmes sistemit të trurit na e tregojnë vendin se ku kemi pësuar tronditje apo ku jemi të sëmurë.
- Përmes sistemit të mëlçisë na e përcaktojnë se ku jemi të sëmurë dhe cila është shkalla e sëmundjes dhe cila është rruga e shërimit.
- Analizat e gjakut kanë përparuar, tashmë aparatet mund të na tregojnë përbërjen e gjakut.
Aq shumë ka ecur medicina, sa njerëzit kanë filluar të besojnë se medicina është ajo që shëron, por e vërteta është se medicina vetëm intervenon në sëmundje ndërsa Allahu është Ai që shëron.
Mund të ndodh që diagnoza dhe intervenimi të jetë gabim dhe mund të shkaktoj vdekjen. Shumë herë shërimi vjen nga mjeku fillestar i sapodiplomuar, ndërsa në të njëjtën sëmundje dështojnë specialistët të cilët e kanë mësuar atë mjek fillestar për mënyrën e shërimit po të asaj sëmundje. Kjo, nuk nënkupton se mjeku fillestar di më shumë se profesorët e tij, të cilët e kanë mësuar atë, por nënkupton se çdo sëmundje e ka kohën e caktuar të shërimit të cilën e ka caktuar Allahu i Lartmadhëruar. Kur të vjen koha e shërimit, Allahu ia mundëson dhe ia zbulon shërimin edhe mjekut fillestar, duke ia mësuar sekretin e sëmundjes, dhe ai mjek e shëron, përderisa në sëmundjen e njëjtë dështojnë profesorët e tij. Mirëpo njerëzit nuk e vërejnë këtë, por shërimin ia kushtojnë aftësisë dhe inteligjencës së mjekut.
Kështu njerëzit e harrojnë fuqinë e Allahut dhe e forcojnë mbështetjen tek fuqia e njeriut dhe në atë që ai është suksesshëm nga aspekti i jashtëm.
I shikojnë shkaqet e njerëzve dhe harrojnë Shkaktuesin (Allahun) e atyre shkaqeve. I adhurojnë begatitë ndërsa e harrojnë Dhuruesin e atyre begative. Nëse dikujt i ofron një lloj molle të mirë thotë: Kjo është e kultivuar në arën e filanit. Harrojnë se begatues është Krijuesi i saj, e ai është Allahu i Lartmadhëruar.
Për fat të keq, vetëm një numër i vogël nga ne, janë nga ata që kur të fillojnë ngrënien e ushqimit, e fillojnë duke thënë:
“Në emër të Allahut, i cili ka dhënë, ka krijuar dhe ka dhuruar.”,
e kur të ngopen, të rrallë janë ata që thonë:
“Falënderojmë Allahun, i cili na ka furnizuar me ato begati.”
Njeriu e adhuron mendjen e tij dhe ka krijuar bindje se begatitë të cilat i ka realizuar janë rezultat i mendjes së tij dhe ai vet është mendjemprehtë dhe se ai është ideator dhe inteligjent dhe me atë sukses mburret para njerëzve dhe mendon se pasuria e tij është e përgjithmonshme dhe se ai është menaxher i mirë dhe planifikon çdo gjë, njësoj sikurse është rasti i pronarit të dy xheneteve (plantacioneve) i cili ia atribuonte vetes së tij të mirat dhe begatitë, siç e tregon Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an:
“Pastaj hyri në kopshtin e vet dhe duke qenë i padrejtë me vetveten, tha: Unë nuk mendoj se do të shkatërrohet ndonjëherë dhe nuk mendoj se do të ndodhë çasti i Kijametit. Por edhe nëse më kthejnë te Zoti im, sigurisht se do të gjej një vend më të mirë se ky.” (El Kehf : 35, 36)
Kjo na njofton se, pronari i kopshteve, begatitë ia ka përshkruar vetvetes dhe ka thënë se me shkaqet njerëzore ka mundësi t’i mbroj dhe t’i siguroj (nga shkatërrimi) begatitë dhe se kurrë nuk do t’i humb.
Ne, kur të shohim diçka të mirë, a e lavdërojmë prodhuesin?
(Përgjigjet Shaëraviu) Po, ne sot e lavdërojmë njeriun dhe themi: Filani kopshtin e tij e ka bërë xhenet. Filani e ka bërë këtë dhe këtë dhe nuk themi se ai e ka arritur këtë me ndihmën e Allahut. Nuk e përmendim Allahun e Lartmadhëruar i Cili është edhe Dhuruesi edhe Penguesi (Ndaluesi).