Dashuria në pasuri

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Dashuria në pasuri

Ai i cili e do pasurinë e tij, e do që të jetë me të për kohë të gjatë, do që ta kaloj jetën me të dhe do që t’i arrij në botën tjetër, në shtëpinë e përgjithmonshme. Pra, ai që dëshiron që pasuria e tij të qëndroj me të edhe në botën tjetër, le të investoj në sadaka për hir të Allahut.

Pejgamberit s.a.v.s. i ka ardhur një dele dhuratë dhe ai s.a.v.s. i thotë Aishes r.a.:“Merre mishin e saj dhe jepe sadaka. Aishja r.a. e ka ditur se pejgamberi s.a.v.s. e ka dashur mishin e shpatullës, kështu që tërë mishin e deles e ka shpërndarë sadaka, ndërsa e ka ndalur pjesën e mishit të shpatullës.Pastaj, kur e ka pyetur Muhamedi s.a.v.s.: – Si ke vepruar me mishin e deles? Ajo i thotë: – Të tërën e kam dhënë sadaka dhe e kam ndalur vetëm mishin e shpatullës së saj.Pejgamberi s.a.v.s. i thotë: – Thuaj: E kam ndalur të gjithë mishin e deles, përveç mishin e shpatullës së saj, sepse, oj Aishe, atë që e ke dhënë sadaka na ka mbetur, e atë që e ke ndalur, do të harxhohet.”

I dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithmonë çështjet i ka emërtuar në bazë të qëllimit dhe esencës së tyre. Ai i cili dëshiron që pasuria ta shoqërojë edhe në botën tjetër, le t’i jap sadaka të varfrit dhe nevojtarit.

Kur një njeri e ka pyetur Aliun r.a.: – Dëshiroj të di për veten time, a jam njeri i kësaj bote apo i botës tjetër? Imam Aliu r.a. i është përgjigjur: – Përgjigjja është tek ti dhe jo tek unë, shikoje veten, kur të vjen ndonjë njeri i cili vjen tek ti dhe të jep diçka dhe një njeri tjetër i cili vjen tek ti dhe kërkon diçka, cilin prej tyre e do më shumë, dhe cilin prej tyre e mirëpret më mirë. – Nëse e do atë i cili merr nga ti, atëherë ti je i botës tjetër. – Nëse e do atë i cili të jep, ti je njeri i kësaj bote (e do këtë botë), sepse ai i cili merr nga ti, të mirat e tua t’i bart në botën tjetër dhe është mjet për të ta shtuar pasurinë atje. Ndërsa ai i cili të jep, të shton pasurinë në këtë botë dhe nuk të jep asgjë për botën tjetër.

Lini një koment