Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Burimi i aktivitetit njerëzor
Zoti i Lartmadhëruar me urtësinë e Tij e ka paraparë që furnizimet të shpërndahen në mesin tonë, në mënyrë që aktiviteti ynë të jetë sa më efektiv. Nëse çdonjëri nga ne do t’i kishte kushtet e mira të jetesës, atëherë kush do t’i pastronte rrugët, kush do t’i rregullonte kanalizimet, kush do t’i bartte blloqet dhe çimenton për ndërtimin e ndërtesave. Nëse secili nga ne do të kishte pasuri, asnjëri nga ne nuk do të dëshironte t’i kryente ato punë. Mirëpo, Zoti i Lartmadhëruar këto punë i ka ndërlidhur me rizkun (furnizimin), ashtu që t’i kryejnë ato punë, që të sigurojmë ushqim për fëmijët tanë, sepse përndryshe askush nuk do ta merrte fshesën për të pastruar rrugët, askush nuk do të punonte në rregullimin e ujësjellësit. Për këtë arsye, ata të cilët i kryejnë këto janë të lumtur, bie fjala, kur të rregullojnë ujësjellësin ose kur ta shohin rrugën e pastër, mirëpo, a mbetet situata vetëm kështu.? Jo. Ditët ndryshojnë në mes të njerëzve, secili njeri e ka ditën e vet dhe secili e plotëson dëshirën në kohën e vet. Për këtë arsye, me kalimin e ditëve, këto punë fizike bëhen burim i furnizimit të mjaftueshëm dhe u mundëson njerëzve që të posedojnë pasuri, banesa, automjete të shtrenjta, etj., ndërsa ndodh që ata që kanë diploma të universiteteve të kenë të ardhura më të vogla dhe furnizim më të dobët.
Bota, që të plotësohet, ka nevojë për dhunti të shumta. Ti, nëse dëshiron ta ndërtosh një shtëpi, të nevojitet inxhinieri, punëkryerësi, zdrukthëtari, armiruesi, muratori, etj.. Një njeri, i vetëm, nuk mund t’i ketë të gjitha këto dhunti, për këtë arsye, patjetër duhet ta plotësojnë njëra-tjetrën dhe të ndërlidhen me njëra-tjetrën për të siguruar ekzistencën dhe furnizimin. Për këtë arsye, dyert të cilat i prodhon zdrukthëtari, pasi që puna e tij është i ndërlidhur me furnizimin e tij, ai mundohet t’i prodhoj me sa më kualitativ, përderisa derën të cilën e prodhon për shtëpinë tij, nuk e bën tepër kualitativ sepse nuk e konsideron se është e ndërlidhur me furnizimin e tij.