Besimi dhe zhvillimi shkencor

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Besimi dhe zhvillimi shkencor

 

 

Atyre, të cilët mashtrojnë me termin e shkencës, u themi: Diturinë e paktë të cilën Zoti i Lartmadhëruar ia ka dhënë njeriut, është produkt i të gjitha civilizimeve. Kjo vlen për zhvillimin e madh shkencor të cilin e shohim dhe të cilin do ta shohin gjeneratat e ardhshme pas neve deri në ditën e gjykimit. Nëse dituria e paktë ka prodhuar gjithë këtë përparim shkencor, paramendoje se çka mund të na jep dituria e Allahut në botën tjetër?.

Kështu pra, përparimi shkencor duhet të na forcojë besimin (imanin) dhe devotshmërinë, sepse ne jetojmë në botën e shkaqeve dhe ligjeve. Në këtë botë, sa i perket  qasjes ndaj shkaqeve dhe ligjeve të Allahut, aftësitë dhe mundësitë e njerëzve ndryshojnë.

Ndihma e Zotit, në çdo krijesë është e ndërlidhur me shkaqe. Ai i cili i përmbahet shkaqeve dhe ligjeve me seriozitet, ai në krahasim me të tjerët zhvillohet dhe forcohet. Njeriu i cili në tokën e tij e mbjell farën dhe e punon mirë, ajo tokë i jep rezultate të mira. E tjetri i cili nuk e mbjell tokën dhe nuk kultivon pemë, atij ajo tokë nuk jep asgjë. Kjo është ajo që quhet begatia e Zotit. Zoti i Lartmadhëruar në këtë botë ka krijuar gjëra që:

  • – Reflektojnë në ty, dhe
  • – Reflektojnë me ty.

Gjërat të cilat reflektojnë në ty, të ofrojnë të mira pa kompensim, edhe pse ti nuk angazhohesh dhe nuk vepron në to. Ato janë të mira të cilat të ofrohen edhe pse ti nuk ke pasur ndikim dhe nuk ke punuar me to, si f.v.: dielli, hëna, yjet, ajri. Pra, të gjitha këto të japin të mira pa pasur nevojë që ti të angazhohesh apo të veprosh në çfarëdo forme. Të mirat e tyre janë të barabarta për të gjithë. Asnjërit nuk i jep më shumë se tjetrit dhe nuk e dallon një popull nga një popull apo një shoqëri nga një shoqëri, dhe nuk ndodh që një shoqërie t’i jep e një shoqëri tjetër ta privon. Të gjitha këto dukuri reflektojnë njëjtë për njerëzimin në përgjithësi.

Sa i përket elementeve që reflektojnë me ty, është çdo gjë e cila është në tokë. Nëse e punon dhe e mbjell tokën, toka të jep fryte. Nëse nuk mbjell nuk të jep fryte. Nëse hulumton thellësinë e tokës do të gjesh xehe te mjaftueshme dhe gjithçka ka në brendi të tokës. Nëse nuk hulumton, toka nuk ta jep thesarin e fshehur të saj.

Zhvillimi i jetës në këtë botë dhe dallimi në mes të popujve të ndryshëm, vjen nga çështjet me të cilat ti reflekton me ta. Kush punon me seriozitet dhe me zell dhe i pason shkaqet, zhvillohet dhe përparon përballë popujve tjerë. Kush nuk punon, nuk merr asgjë.

Si shoqëri besimtare, është dashur që ne të parët të zhvilloheshim, mu ashtu siç e kemi pranuar dhuntinë e besimit në Zot, të pranojmë dhe të veprojmë me shkaqet dhe ligjet e tokës që të zhvillohemi edhe në dhuntitë e Zotit në gjithësi. Mirëpo, ne nuk veprojmë, përkundrazi i lejojmë të tjerët që të zhvillohen në bazë të shkaqeve dhe ligjeve dhe ne nuk veprojmë asgjë.

Popujt të cilët veprojnë në bazë të shkaqeve dhe ligjeve, Zoti iu jep atyre të mirat e kësaj bote, qofshin edhe jobesimtar, sepse Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Kush i dëshiron të mirat e botës tjetër, do t’ia shtojmë atij të mirat.
Kush dëshiron të mirat e kësaj bote, ia jap atij të mirat, por në botën tjetër nuk do të ketë shpërblim.” (Esh-Shura :  20)

Begatia e kësaj bote, është begati e Zotit për këtë botë, e cila fitohet duke punuar dhe duke vepruar me shkaqe dhe ligje.

Zoti i Lartmadhëruar, që në fillim të krijimit, ia ka siguruar njeriut produktet e nevojshme dhe të domosdoshme të jetës pa kurrfarë shkaqe. Që prej kohës së Ademit a.s. kanë qenë të gatshme elementet si: uji, ajri dhe ushqimi, elemente të cilat janë domosdoshmëri e jetës. Me këtë Zoti i Lartmadhëruar e ka paraparë sigurimin (mbijetesën) e llojit njeri. Pra, Zoti i Lartmadhëruar e ka lënë ujin të lirë në natyrë, që njerëzit të pinë, edhe frutat e lira në natyrë që t’i hanë dhe të sigurojnë jetën, po ashtu edhe ajrin për frymëmarrje, edhe tokën për të banuar. Të gjitha këto konsiderohen domosdoshmëri e jetës së njeriut, të cilat janë lënë të lira që nga fillimi i krijimit dhe këto realizohen pa angazhim të madh. Përderisa, nëse njeriu dëshiron të zhvillohet dhe të ngritë cilësinë e jetës, patjetër duhet ta shfrytëzoj mendjen e krijuar prej Zotit, për të shfrytëzuar të krijuarën, të cilën ia ka nënshtrua Allahu. Për këtë arsye, siç kemi thënë edhe më parë, bazë e ngritjes së cilësisë së konsiderohet, realizimi i një çështjeje për një kohë më të shkurtë me angazhim më të vogël.

Lini një koment