Argumentet e Allahut dhe civilizimi njerëzor

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Argumentet e Allahut dhe civilizimi njerëzor

 

Zoti i Lartmadhëruar na ka dhënë gjithçka çka është e domosdoshme në mënyrë që ne të mund të jetojmë. Na ka dhënë edhe mendjen edhe shkaqet me të cilat e arrijmë jetën më të mirë. Pastaj, ka kërkuar prej nesh që t’i shikojmë argumentet në gjithësi, që të mos kalojmë nëpër këto argumente e të mos i shohim. Gjithë përparimi i cili është arritur nga dijetarët të cilët i kanë analizuar argumentet e gjithësisë dhe kanë mundur të arrijnë deri te ligjet e Allahut në gjithësi dhe t’i shfrytëzojnë ato për përmirësimin e jetës së tyre, quhet shkencë – pra, shkencë quhet, të vepruarit me argumentet e Allahut në gjithësi.

Mirëpo, a mos na ka krijuar neve Allahu i Lartmadhëruar që të jetojmë vetëm në gjithësinë e shkaqeve (ligjeve)?

(Përgjigjet Shaëraviu) Jo! Ky është vetëm një segment i rrugëtimit të gjatë. Në rrugëtimin në të cilin jetojmë, pra në botën e shkaqeve, patjetër duhet të lodhemi, me qëllim që pastaj të pushojmë.

Ata të cilët kanë sjellë zbulime (teknologjike, shkencore) për njerëzimin, janë lodhur shumë derisa kanë arritur te ato zbulime.

Shumë herë kanë kaluar net të gjata pa gjumë, kanë derdhur mund dhe djersë, derisa kanë realizuar çka kanë dëshiruar. Ky është ligj i kësaj bote, për të arritur sukses duhet angazhuar mendjen. Për të arritur në nivele të larta, patjetër duhet punuar. E kështu me radhë…

Pa dyshim se Zoti i Lartmadhëruar dëshiron që të na e tërheq vërejtjen se, përpos dhuratave të kësaj bote (Rububij), ka edhe dhurata tjera, të cilat janë dhurata të botës tjetër (Uluhije). Për t’i merituar dhuratat e Zotit (të botës tjetër) patjetër se duhet të veprosh punë të mira në këtë botë dhe t’i përmbahesh planprogramit të Allahut. Vetëm kështu mund t’i përjetosh dhe të pushosh në begatitë e Allahut në botën tjetër.

Pa marrë parasysh se sa lodhesh në këtë botë dhe pa marrë parasysh se sa do të pushosh në këtë botë, përfundimi i saj është:

– ose me vdekjen tënde;

– ose e humb shpejt, sepse të merret prej jush;

Mirëpo, nëse ti lodhesh duke punuar me planprogramin e Tij në këtë botë, atëherë në botën tjetër Zoti i Lartmadhëruar të begaton me të mira përgjithmonë.

Me pak fjalë po e përfundoj. Planprogrami i besimit, nënkupton që sa më shumë që njeriu të zhvillohet dhe të ngrihet shkencërisht, aq më shumë duhet të forcoj besimin dhe të bëhet i devotshëm ndaj Zotit të Lartmadhëruar.

Çdo gjë në gjithësi, ne duhet t’ia atribuojmë Krijuesit të saj, e ai është Zoti i Lartmadhëruar.

Duhet të kuptojmë se çka na mundëson Krijuesi të përparojmë, ose që të përmirësojmë jetën që të kemi jetë më komode në gjithësi nuk është asgjë tjetër përpos asaj se, Allahu i Lartmadhëruar ka vendosur sekrete dhe ligje në gjithësi që ne të kemi mundësi t’i realizojmë për veten tonë Nuk duhet të mendojmë se i kemi realizuar vet dhe i kemi arritur vetëm me mësimin tonë, e t’i konsiderojmë se ne i zotërojmë elementet (gjërat) me mendjet tona dhe me ligjet tona, por duhet të besojmë se Zoti këto gjëra i ka nënshtruar nëpërmjet neve për ne.

Të besuarit e njeriut në planprogramet e njeriut  ka qenë piknisja e largimit nga planprogrami i Allahut, sepse njeriu është vetmashtruar me mendjen dhe aftësinë e tij.

Lini një koment