A huazon i varfri?

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

A huazon i varfri?

 

Zoti i Lartmadhëruar e respekton dhe e çmon punën e njeriut dhe pasurinë e quan pasuri të tij (njeriut) dhe ka kërkuar nga ai që të huazoj. Në këtë çështje ka specifika të veçanta për dy persona të veçantë:

  • I pasuri – specifika e tij është se, ai jep për Allah;
  • I varfri – specifika e tij është se, Zoti i Lartmadhëruar ka marrë hua për të.

Allahu, zekatin e ka bërë shtyllë prej shtyllave të islamit, dhe këtë shtyllë e ka bërë për dobinë e të varfrit.

I pasuri, nuk është shtyllë në besimin e të varfrit, ndërsa i varfri është shtyllë në besimin e të pasurit.

Kur i pasuri i jep të varfrit një pjesë të pasurisë së tij, ai pavarësohet nga ajo pjesë. Ka dallim në mes të:

  • pavarësimi prej një çështjeje dhe
  • pavarësimi në çështje.

Zoti i Lartmadhëruar është i pavarur prej gjithësisë dhe çdo gjëje në të, andaj ky pavarësim i të pasurit është sikurse t’i ketë dhënë Allahu cilësi prej cilësive të Tij, sepse me dhënien, ai pavarësohet nga e gjithë pasuria e kësaj bote.

Pasuria nuk është produkt i vlefshëm, e cila ka vlerë të drejtpërdrejtë për njeriun. Shembull: Nëse një njeri ka një kodër me ari dhe është ulur në një pjesë të shkretëtirës, nuk ka asnjë pjesë të vogël buke, e nuk ka as ujë. Çfarë vlere do të kishte ajo kodër me ari për të?

Vlera e saj është e barabartë me zero.

Pra, mund të konstatojmë se pasuria nuk është qëllim, por është mjet. Kur i pasuri e pengon (nuk ia jep të varfrit) të varfrin nga pasuria e tij, atëherë ai pasurinë e tij e ka bërë qëllim dhe kësisoj pasuria e tij nuk i bën dobi të plotë. E kundërta e këtij është ai i cili ka një kodër me ari, i cili nuk ka asnjë pjesë buke, mirëpo, në momentin kur i jep pasuri të varfrit, atëherë pasurinë e ka bërë mjet dhe pasuria e cila deri më tash ishte e padobishme bëhet e dobishme. Kjo është detyra e pasurisë në jetë. Ti, me pasuri blen atë që beson se të bën dobi dhe pasurisë duhet t’ia japësh detyrën e cila më së shumti të bën dobi, e ajo është: Shpërblimi dhe kënaqësia e Allahut të jetë mbi ty.

Lini një koment