Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Si do të bëhet rikthimi i trupave
Çështja se si do të bëhet rikthimi i trupave, është çështje me rëndësi të madhe, dhe neve na duhet patjetër që të ndalemi në këtë çështje. Disa pyesin: pasi që të zhduken trupat, Si është e mundur që të kthehen ashtu siç kanë qenë dhe si do të kthehen personat siç kanë qenë?.
Përgjigjen e jep Zoti i Lartmadhëruar kur thotë:
“Ashtu siç e kemi filluar krijimin e parë, (ashtu) do ta kthejmë (edhe krijimin e dytë), ky është Premtim nga Ne. Ne kështu do të veprojmë. “ (El Enbija : 104)
Për Zotin e Lartmadhëruar kjo është e lehtë, kur dihet se Zoti i Lartmadhëruar në fillim i ka krijuar krijesat nga asgjëja dhe i ka krijuar pa mostër paraprake. Pra, nëse Ai i ka krijuar në këtë botë pa qenë të krijuar më parë, atëherë është shumë më lehtë t’i krijojë për së dyti dhe t’i rikthejë ato në botën tjetër sepse është krijim prej të krijuarës. Ne e përdorëm fjalën më lehtë në aspekt alegorik, që të jetë më e përshtatshme që ta kuptoj logjika njerëzore sepse në të vërtetë për Zotin e Lartmadhëruar nuk ka të lehtë dhe të vështirë, por çdo gjë për Të është e pakrahasueshme, dhe për Të nuk ka asgjë të pamundur, qoftë në tokë, qoftë në qiell.
Nëse dëshirojmë ta përafrojmë në mendjet tona, themi se: Zoti i Lartmadhëruar, në këtë dunja, çdo njeri e ka dallua nga të tjerët, edhe nëse janë në pyetje majat e gishtërinjve. Prej fillimit të kësaj bote dhe deri në fund të saj, nuk mund të ketë maje të gishtërinjve të njëjta në mes të dy njerëzve.
Çdo trup i njeriut dallon nga tjerët. Për këtë arsye, pjesët e trupit e njohin njëra-tjetrën në një formë të veçantë ose nëpërmjet gjuhës të cilën ua ka mësuar Zoti i Lartmadhëruar. P.sh.: Nëse njeriut i krijohet një plagë e madhe, e shohim se pjesët tjera rreth e përqark asaj plage të madhe shtohen, zhvillohen dhe ngjiten ashtu që të mbyllet plaga dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme.
Nëse e marrin një pjesë të trupit dhe dëshirojmë ta ngjisim në një trup tjetër, e shohim se me gjuhën e vet e refuzon dhe nuk e pranon pjesën e trupit tjetër .
Si e dallon trupi se çka është e saj dhe çka është e trupit tjetër, kur të gjitha trupat i ngjajnë njëra-tjetrës?.
(Përgjigjet Shaëraviu) Patjetër se ekziston një shifër specifike e cila e dallon pjesën e trupit tjetër dhe se ajo shifër nuk mund të shumëzohet. Përderisa, edhe nëse ka sukses operacioni i mbjelljes së një pjese të një trupi tjetër, ai i cili e mbjell organin trupor te tjetri, patjetër duhet që të përdor fasha, lidhëse, qepje dhe ilaçe, ashtu që të pengoj ose të zvogëloj reaksionin e asaj shifre, që të mos i flet dhe ta refuzon organin e huaj i cili është duke u mbjell në atë trup.
Po ashtu, çdo trup e ka erën specifike dalluese, të cilën ne nuk mund ta dallojmë. Mirëpo, disa prej kafshëve, siç është qeni, mund ta dallojnë. Për këtë arsye, kur qeni i merr erë një salvete ose një pjese të rrobës së dikujt, ai me anë të kësaj ere mund ta identifikoj pronarin e saj edhe nëse ai është i përzier në mesin e mijëra personave.
Ka me dhjetëra e dhjetëra specifika të ndryshme të cilat bëjnë që secili prej neve të dalloj nga të tjerët.
Përderisa Zoti i Lartmadhëruar na ka pajisur me këtë dituri, si mëshirë për inteligjencën tonë, na bën që të kuptojmë se kur shpirtrat të kthehen në trupat tanë do të kthehen po në ato trupa në të cilët kanë qenë, sepse ka specifika dalluese nga trupat tjerë të cilat specifika ekzistojnë te secili njeri qysh prej njeriut të parë Ademit a.s. dhe deri tek njeriu i fundit.