Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Kur njeriu e adhuron mendjen e vet
Atëherë kur njeriu mohon Zotin e tij dhe e adhuron mendjen e tij dhe krijon bindje se ka zotëruar gjithçka në këtë botë, vjen urdhri i Allahut të Lartmadhëruar që të shkatërroj çdo gjë që ka ndërtuar njeriu në këtë gjithësi. Kur njeriu krijon këtë ndjenjë gënjeshtare se ai ka mundësi të bëjë çka të dëshiroj në këtë botë, atëherë ndërtimet e tij marrin fund. Dielli zbehet, errësohet ose lind nga perëndimi, ose e dobëson forcën e vet, ose e humb dritën e vet.
Është me rëndësi të kuptohet se ligjet e diellit, si lëvizjen e tij të cilën jemi mësuar ta shohim, lindjen e tij në mëngjes dhe perëndimin e tij në mbrëmje, do të ndryshojnë me fuqinë e Allahut,
Ligjet e yjeve të cilat lundrojnë në hapësirë me orbita të lloj-llojshme dhe të cilat nuk ndeshen njëra me tjetrën, të gjitha këto do të ndryshojnë me fuqinë e Allahut.
Po ashtu edhe malet të cilat janë të ngulitura do të lëvizin nga vendet e tyre. Për këtë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Kur të pyesin ty (O Muhamed) për malet, thuaj: Ato do t’i bëjë hi e pluhur Zoti im.” (TaHa : 105)
(Pra, malet do të bëhen hi e pluhur) Ose do tu lehtësohet pesha, ose do të bëhen si leshi i shprishur. Kjo panoramë, do të ndodh saktësisht para fundit të botës, ashtu që e bëra do të zhbëhet.
Ajo që ka qenë e krijuar për shërbimin tënd, të ka shërbyer sepse Zoti e ka nënshtruar për ty. Kurse tash (në ditën e kiametit), toka e cila ka dhënë fryte e të korrura, me të cilat ushqehesh, tashmë nuk jep asgjë.
- – Kodrat të cilat janë shtylla për mbajtjen e nivelit dhe baraspeshimit të tokës dhe të cilat janë plot me minerale, do të bëhen hi e pluhur.
- – Dielli i cili e ngroh tokën, e ndriçon dhe sjell rreze në gjithësi, ai ndalon së kryeri detyrën e tij. Do të përfundoj roli i saj.
- – Zbukurimi i tokës, për të cilën ke menduar se është rezultat i yt dhe se do të jetosh përgjithmonë në të, shkon dhe largohet nga ti. Ka marrë fund çdo gjë.
- – Shkaqet e kësaj bote humbin funksionin dhe ka marrë fund edhe zotërimi yt për veten tënde, çdo gjë e jotja humb dhe merr fund.
- – Edhe këmbët tua nuk të dëgjojnë ty që të shkosh aty ku dëshiron ti.
- – Duart me të cilat ke punuar, nuk mund t’i zotërosh më, ato kanë marrë fund, ato nuk punojnë më sipas dëshirës tënde.
- – Të gjitha pjesët e trupit, të cilat Zoti i Lartmadhëruar i ka nënshtruar për ty, aty nuk do të nënshtrohen ty. Ti mund të shkosh aty ku dëshiron Allahu, qoftë edhe për xhehenem.
- – Gjuha flet vetëm ashtu siç dëshiron Allahu.
- – Sytë shohin vetëm sipas dëshirës së Allahut e jo siç dëshiron ti. Për këtë arsye ka prej atyre të cilët në këtë dunja kanë parë, por në botën tjetër do të verbohen.
Pse?
Sepse Zoti i Lartmadhëruar i ka dhënë mundësi syve që të shohin në këtë botë dhe Zoti është Ai i cili në botën tjetër e heqë këtë mundësi.
Njerëzit kanë menduar se ata mund të jetojnë me fuqinë e tyre, të ecin me fuqinë e tyre dhe të flasin me fuqinë e tyre. Kur kanë zbuluar ligjin e aromës, kanë menduar se mund ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre në këtë botë dhe se ata e kanë zotëruar atë, mirëpo harrojnë se Zoti i Lartmadhëruar ashtu siç ua ka mundësuar ato specifika ashtu edhe ua merr, siç ua merr çdo gjë tjetër rreth tyre.
Çdo gjë e kësaj bote, në botën tjetër do të ndryshoj.
Kjo është kështu sa i përket atyre të cilët do të jenë gjallë në çastin e përfundimit të kësaj bote, mirëpo parashtrohet një pyetje tjetër:
Sa i përket atyre të cilëve kanë vdekur dhe janë në varreza, në çastin e përfundimit të botës, a do të ndryshojnë ligjet për ta?
Përgjigjja është: Po. Sepse është një fazë e re e jetës për të gjithë pa përjashtim (të vdekur apo të gjallë). Për këtë arsye, do të rikthehen trupat e tyre. Edhe aroma e trupave të tyre do të kthehet. Ata do të dalin nga toka, do të ringjallen nga vdekja e cila ka qenë e domosdoshme në varreza. Zoti i Lartmadhëruar na ka treguar se jeta në varreza nuk është e përgjithmonshme, por është një periudhë specifike e përcaktuar. Thotë Zoti i Lartmadhëruar:
“Çka është me ju, gjithë ky rivalitet për të shtuar pasuri, deri sa t’i vizitoni varret.” (Et Tekathur)
Duhet analizuar me kujdes se pse është përdorur fjala “vizitoni” e nuk është përdorur fjalia “të jetoni përgjithmonë”?
Sa e dimë ne, përkufizimi i “vizitës” është kur ti shkon te shoku apo te i afërti që ta vizitosh, qëndron një kohë të shkurtë, pastaj largohesh. Nuk bëhesh rezident, por vizitor. Pa marrë parasysh vizita a është e shkurtë apo e gjatë, ajo vizitë përfundon. Kësisoj do të jetë gjendja për të gjithë të vdekurit në varreza, prej kohës së Ademit a.s. e deri te varreza e fundit (e ditës së kiametit), ata janë vizitor të varrezave. Qëndrojnë aty një kohë, pastaj largohen.
Parashtrohet pyetja: Njeriu, në varreza, a e kupton gjatësinë kohore? Ata të cilët kanë vdekur prej kohës së Ademit a.s. e deri në fundin e botës, a e kuptojnë epokën kohore në varret e tyre?
Përgjigjja është: Jo.
Më tregoni, se si do të përgjigjen ata të cilët do të ngrihen nga varret e tyre kur t’i pyes Zoti: – Sa keni qëndruar?
Lexo fjalën e Zotit të Lartmadhëruar:
“Ditën kur do të vjen çasti (i kiametit), kriminelët do të betohen se kanë qëndruar (në tokë) veçse një periudhë të shkurtër kohore. Kështu, ata shmangen nga e vërteta. Ata të cilëve u është dhënë dituria dhe besimi do të thonë: Jo, me të vërtetë keni qëndruar aq sa ju ka caktuar Allahu në libër – deri në ditën e ringjalljes – e ja kjo është dita e ringjalljes, por ju nuk e keni ditur.” (Err Rrumë : 55, 56)
Kështu pra, njeriu, gjatë jetës në varreza nuk e ndjen kalimin e kohës, sepse koha është masë e ngjarjeve. Përderisa aty nuk do të ketë ngjarje, aty nuk ka kohë. Të gjithë të vdekurit janë të regjistruar në Libër, e Allahu as nuk harron dhe nuk mund t’i humbë asgjë. Zoti i Lartmadhëruar i ka numëruar dhe i ka llogaritur. Atë ditë, Zotit të Lartmadhëruar nuk mund t’i mungoj asnjë prej njerëzve. Regjistrit të atij libri nuk mund t’i shlyhet kurrë asgjë.