Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Atëherë kur do të na shpaloset e vërteta
Cilësi e njeriut është krekosja dhe vetëmashtrimi. Kjo cilësi paraqitet sidomos atëherë kur Zoti ia mundëson atij të zbuloj disa sekrete të gjithësisë, dhe atëherë kur i duket se jeta po shkon në funksion të dëshirave të tij e që në fakt ai shkon drejt shkatërrimi i tij, sepse vendos ligj të tij dhe fillon të largohet nga planprogrami i Allahut. Kjo injorancë dhe ky vetëmashtrim merr përmasa edhe më të mëdha, atëherë kur nuk mbështetet në themele. Ne, sot veçse po dëgjojmë deklarata nga disa injorantë, se: epoka e besimit (imanit) ka përfunduar dhe ka fillua epoka e shkencës. Këto deklarime nuk janë asgjë tjetër, pos një hyrje, në procesin ku njeriu fillon ta adhuroj veten e tij.
Në librin e fuqishëm, Zoti i Lartmadhëruar thotë:
إِنَّمَا مَثَلُ ٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَا كَمَآءٍ أَنزَلۡنَٰهُ مِنَ ٱلسَّمَآءِ فَٱخۡتَلَطَ بِهِۦ نَبَاتُ ٱلۡأَرۡضِ مِمَّا يَأۡكُلُ ٱلنَّاسُ وَٱلۡأَنۡعَٰمُ حَتَّىٰٓ إِذَآ أَخَذَتِ ٱلۡأَرۡضُ زُخۡرُفَهَا وَٱزَّيَّنَتۡ وَظَنَّ أَهۡلُهَآ أَنَّهُمۡ قَٰدِرُونَ عَلَيۡهَآ أَتَىٰهَآ أَمۡرُنَا لَيۡلًا أَوۡ نَهَارٗا فَجَعَلۡنَٰهَا حَصِيدٗا كَأَن لَّمۡ تَغۡنَ بِٱلۡأَمۡسِۚ كَذَٰلِكَ نُفَصِّلُ ٱلۡأٓيَٰتِ لِقَوۡمٖ يَتَفَكَّرُونَ ٢٤
“Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i ngjanë shiut që Ne e lëshojmë nga qielli, e me të përzihet dheu i tokës dhe bën bimë me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët. E, kur toka vishet dhe stoliset dhe kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj, iu vjen urdhri Ynë, natën ose ditën dhe Ne do ta bëjmë si shkretëtirë, thuaja se dje nuk ishte aspak e lulëzuar. Kështu, Ne ua sqarojmë argumentet tona, njerëzve të cilët mendojnë dhe logjikojnë.” (Junus : 24)
Njeriu ka arritur që ta zbukuroj tokën aq mirë, saqë nuk njeh historia një zbukurim të tillë më parë. Çdo ditë shkenca teknologjike e zhvillon njeriun edhe më shumë, mirëpo parashtrohet pyetja: A ka shtua njeriu diçka prej bazave themelore dhe të domosdoshme të njeriut?
Duhet ta kemi të qartë se njeriu nuk është bazë (paraardhës) e tokës, por i ardhur në të. Ai vjen në tokë, jeton një kohë të caktuar, pastaj përfundon jeta e tij. Njeriu si individ nuk ka lidhje me afatin e kohëzgjatjes së kësaj bote. Kjo, nga shkaku se jeta e kësaj bote zgjat qindra mijëra apo miliona vite. Mirëpo ne nuk i kushtojmë rëndësi kësaj çështjeje. Ajo çka na intereson më së shumti, është koha e jetës së çdonjërit në këtë botë. Ajo jetë nuk zgjat më shumë se 100 vite, ose edhe pak më shumë.
Kohëzgjatja e gjithësisë na bën që të besojmë në iluzione:
Iluzioni i parë: Kjo botë nuk ka fund. Sado që njerëzit deklarojnë për fundin e botës, ata të cilët jetojnë në të, kanë krijuar bindje se deri në përfundim të kësaj bote, kanë mbetur edhe miliona vite. Kjo bindje nuk është asgjë tjetër, pos iluzion.
Iluzioni i dytë: Gjërat në gjithësi të cilat janë në shërbim tonin, janë ata që na japin neve begati. Kurse e vërteta është se, të mirat që na i jep gjithësia janë prej fuqisë së Zotit të Lartmadhëruar.
Çdo gjë e cila është në këtë gjithësi i nënshtrohet fuqisë së Allahut të Lartmadhëruar. Praktikisht nuk mund të ndodh asgjë në këtë gjithësi jashtë dëshirës së Allahut. Njeriu nuk mund ta stolisë tokën, pos me atë që Zoti i Lartmadhëruar ka vendos të stoliset prej fuqisë së tij. Çdo gjë që është në tokë është stoli për tokën. Këtë e bazojmë me thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
إِنَّا جَعَلۡنَا مَا عَلَى ٱلۡأَرۡضِ زِينَةٗ لَّهَا لِنَبۡلُوَهُمۡ أَيُّهُمۡ أَحۡسَنُ عَمَلٗا ٧ وَإِنَّا لَجَٰعِلُونَ مَا عَلَيۡهَا صَعِيدٗا جُرُزًا ٨
“Dhe Ne çdo gjë në tokë e kemi bërë zbukurim për të (tokën), që t’i sprovojmë se kush prej tyre bën vepra të mira. Dhe, Ne do ta bëjmë të shkretë gjithçka që gjendet në të.” (El Kehf : 7, 8)
Kështu pra, çdo gjë që e shohim në tokë, është stoli për të. Sa të jetojmë në tokë, dëgjojmë për stolinë e saj. Kur të vdesësh ti, për ty merr fund stolia e tokës. Ti shkon, por stolia e tokës mbetet në të dhe ditën kur të vjen urdhri i Allahut dhe përfundon kjo botë, atëherë çdo stoli e botës bëhet shkrumb e hi dhe merr fund çdo gjë.
Zoti i Lartmadhëruar ka dërguar argumente për tu vërtetuar se krijues i kësaj bote është Allahu dhe kur e sheh se, njeriu është vetmashtruar dhe e ka lënë planprogramin qiellor, atëherë më nuk ka arsye që Allahu edhe më tej të mbaj në jetë këtë botë. Pas kësaj, Zoti i Lartmadhëruar e shpalos të vërtetën, dhe thua se është duke i thënë njeriut: Ti veç e ke mashtruar veten, je larguar nga planprogrami i Allahut, dhe ke krijuar bindje se ti e sjell këtë tokë sipas dëshirës tënde, e tani do ta shpalosi ty të vërtetën. Të përqendrohemi pak në konceptin e këtij ajeti fisnik në lidhje me këtë që thamë:
وَظَنَّ أَهۡلُهَآ أَنَّهُمۡ قَٰدِرُونَ عَلَيۡهَآ
“…dhe menduan banorët e saj (të tokës) se e zotëruan atë (kadirune alejha)…” (Junus : 24)
Ky opinion i tyre nuk është i vërtetë. Ata nuk e kanë zotëruar atë, por ata vetëm mendojnë, e ky është iluzion dhe gënjeshtër. Atëherë Zoti i Lartmadhëruar me fuqinë e Tij absolute dhe të pakufishme e ndryshon të pandryshuarën (statiken) e kësaj bote e cila nuk mund të kushtëzohet me asnjë kusht.