Kjo është krijimtaria e Allahut

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Dr. Musli Vërbani

 

 

Kjo është krijimtaria e Allahut

 

 

Njeriu, kur të sheh civilizimin dhe zhvillimin shkencor, ai duhet të mendoj me logjikën e besimit (imanit) se si ka arritur deri te ai civilizim dhe zhvillim shkencor dhe të shikojë me syrin e logjikës se si Allahu i ka nënshtruar për njeriun ato zbulime.

Isha në vizitë në qytetin San Francisko të Amerikës dhe ata që më shoqëronin dëshironin që të më tregonin se çka ka arritur shkenca. Më dërguan në hotelin më të madh, ku çdo gjë ishte vetëm me një prekje, ku edhe shërbimi ishte shumë i mirë, saqë çka të dëshirosh ta sjellin derisa ti rri ulur në dhomë. E prek një sustë dhe të vjen menjëherë kafja të cilën e dëshiron. E prek një sustë dhe të vjen menjëherë kafja të cilën e dëshiron. E prek sustën tjetër të vjen çaji, ose ushqimi të cilin e kërkon.

Më thanë: – Çka mendon për këtë arritje?

U thashë: – Pasi që njeriu me kapacitetin e tij ka arritur deri në këtë nivel të shërbimit, a thua si do të jetë xheneti i cili është i krijuar prej Allahut me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar. Patjetër se begatitë në të janë shumë më të shumta se sa atë çka mund të ofroj njeriu me civilizimin e tij duke u bazuar me shkaqe.

Përpos kësaj, kjo e arritur, është një rezultat i bashkëpunimit të një numri të madh të njerëzve. Disa e vlojnë qumështin, të tjerët e përgatitin ujin e nxehtë, të tjerët sheqerin. E disa të tjerë i inspektojnë derisa të realizohet procesi. Nëse shohin se diçka mungon, intervenojnë për ta plotësuar.

Pra, çdo shërbim, begati dhe kreativitet, që ka për bazë kapacitetin e njeriut, siç e pamë, mund të realizohet për një minutë dhe vetëm me një prekje të sustës, por, në prapaskenë bëhet përgatitje e madhe, ku bashkëveprojnë një numër i madh i njerëzve.

Çështja që neve na intereson nuk është çështje e një prekjeje të një suste e cila të sjell çka të dëshirosh. Kjo e para është një proces. Mirëpo, njeriut që e arriti këtë zhvillim teknologjik ia parashtrojmë pyetjen:

A mundet zhvillimi teknologjik që të të ofroj çka të dëshirosh vetëm me të dëshiruar në mendje dhe kësisoj ajo që dëshiron të të vij para vetes?.

(Shaëraviu përgjigjet) Kurrsesi, kjo është e pamundur dhe larg mendsh, mirëpo në xhenet, me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar, vetëm mendimi i diçkaje e sjell para vetes atë diçka.

Ofrimi i sendeve para vetes nuk bëhet nga veprimtaria njerëzore por me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar. Kjo është ajo logjika e besimit (imanit) me të cilën duhet t’i qasemi çfarëdo zbulimi teknologjiko shkencor.

Nëse na thuhet neve, se p.sh.: mundemi që ta lansojmë një aeroplan i cili për një orë mund të sillet rreth e përqark tokës, e cila deri më sot ende nuk ka ndodhë, por edhe nëse ndodhë, ne duhet ta pranojmë me fjalën “Lavdërimi i takon vetëm Zotit”. Por nëse kjo është realizuar me fuqinë dhe veprimtarinë njerëzore, a thua si është çështja nëse realizohet me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar?

I gjithë ky zhvillim teknologjiko-shkencor është zbulim i ligjeve të Allahut në tokë, e kjo arrihet duke i pasuar shkaqet, sepse çdo begati të cilën e përjetojmë, e përjetojmë prej ligjit të shkaqeve, i cili ligj na dërgon deri te fuqia e Shkaktuesit të atyre shkaqeve.

Ky zhvillim shkencor na sjell në mendjet tona forcat të cilat Allahu i ka vendosur në gjithësi, në mënyrë që ta kuptojmë madhështinë e Allahut dhe të kuptojmë se atë që do ta përjetojmë në botën tjetër do të jetë begati e cila nuk mund të përshkruhet në krahasim me begatitë e kësaj bote.

Këto çështje nuk duhet të na largojnë nga besimi, por përkundrazi duhet që të na ofrojnë edhe më shumë në besim. Nuk duhet që këto te arritura të na i mashtrojnë mendjet tona, por duhet që të na e forcojnë edhe më shumë përulshmërinë ndaj Allahut të Lartmadhëruar, por fatkeqësisht, ne nuk e konsiderojmë shkencën si çështje të forcimit të besimit, por e konsiderojmë arritje shkencore marramendëse me të cilën mendojmë se e kemi tejkaluar te gjitha premisat .

Kur njeriu ka shkuar në hënë, çka kanë thënë njerëzit për ajetin e Kur’anit fisnik?:

يَٰمَعۡشَرَ ٱلۡجِنِّ وَٱلۡإِنسِ إِنِ ٱسۡتَطَعۡتُمۡ أَن تَنفُذُواْ مِنۡ أَقۡطَارِ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ فَٱنفُذُواْۚ لَا تَنفُذُونَ إِلَّا بِسُلۡطَٰنٖ ٣٣

“O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra. Por nuk mundeni vetëm se me ndonjë fuqi të fortë.” (Err-Rrahman : 33)

Disa kanë thënë: Njeriu është ngjitur mbi sferat e qiejve dhe të tokës edhe pse Zoti i ka sfiduar xhinët dhe njerëzit të tentojnë të ngrihen mbi sferat e qiejve dhe tokës.

Disa dijetarë janë munduar që çështjen ta zbusin dhe në lidhje me këtë ajet kanë thënë: Qëllimi i ajetit është fuqia e diturisë.

Ne u themi atyre (dijetarëve): Në këtë ajet, qëllimi është fuqia e Zotit të Lartmadhëruar, andaj mos e zbusni çështjen, mos e nënvlerësoni fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar.

Hëna në të cilën ka shkuar njeriu është planet i cili sillet rreth tokës dhe është planeti më i afërt i tokës.

Por, ku i bie hëna në sferat qiellore dhe të tokës?

Është planet prej planetëve të kësaj bote, ku ekzistojnë edhe shtatë qiej tjerë, secili përfshinë aso hapësire të madhe saqë askush nuk mund ta dijë përpos Krijuesit të tyre, i cili thotë:

إِنَّا زَيَّنَّا ٱلسَّمَآءَ ٱلدُّنۡيَا بِزِينَةٍ ٱلۡكَوَاكِبِ ٦

“Vërtet, Ne e kemi hijeshuar qiellin e kësaj bote me stoli të planetëve.” (Es-Saffat : 6)

Çdo gjë që e shohim mbi tokë, është vetëm një pjesë e qiellit të kësaj bote, por ka edhe trupa qiellor të tjerë të cilat janë larg me miliona vite drite, që nënkupton se nëse njeriu do të udhëtonte me shpejtësi të dritës, e cila është shpejtësi marramendëse.

Po të tubohen të gjitha forcat e tokës, nuk mund ta shtyjnë një njeri që të ngjitet në hapësirë me shpejtësi të dritës, e kësaj mund t’ia shtojmë edhe paaftësinë e njeriut që ta përballoj këtë shpejtësi.

Ne themi: Nëse supozojmë se një njeri ka fluturuar me shpejtësi të dritës, atij i nevojiten plot një milion vjet që të arrij tek ai trup qiellor. Ky është trupi qiellor të cilin e njohim. Por, ka trupa qiellor, yje dhe kosmose për të cilat ne nuk dimë asgjë. Përderisa shkenca ka arritur që nëpërmjet teleskopit të shohë ato largësi të cilat gjenden në lartësi të qiellit, atëherë sa do të ishte hapësira reale e hapësirës së qiejve dhe tokës?.

Sa largësia në mes të tokës dhe hënës?

Natyrisht se kjo është “asgjë” në krahasim me gjatësinë dhe gjerësinë e qiejve, në të cilat asnjë njeri nuk mund t’i arrijë ato, përpos se me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar. Zoti i Lartmadhëruar nuk e ka përfunduar ajetin me:

لَا تَنفُذُونَ

“…Por nuk mundeni.”(Er Rrahman : 33),

por e ka vazhduar deri tek:

إِلَّا بِسُلۡطَٰنٖ

“…vetëm se me fuqi të fortë…”(Er Rrahman : 33)

Përgjigja është se: po të perrundonte ajeti fisnik te “pamundësia e ngritjes së xhinëve dhe njerëzve në hapësirat e qiejve dhe tokës”, atëherë do të vinim në një pozitë mosbesimi në miëraxhin e të dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Prej të gjitha krijesave të Allahut, duke përfshirë melekët, xhinët, njerëzit, i vetmi që ka shkuar deri te Sidretul Munteha është Muhamedi s.a.vs.. Ky vend (sidretul munteha) është vendi ku përfundon dituria e çdo krijese të Allahut, qoftë edhe dituria e melekëve të afërt te Zotit siq është edhe meleku i zbritjes së Kur’anit (Xhibrili).

Thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “…nuk mund të ngriheni vetëm se me fuqinë…” e ka dëshmuar vërtetësinë e mrekullisë së Miëraxhit, sepse i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka arritur deri te Sidretul Munteha dhe atë e ka kaluar me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar. Kjo nga shkaku se në udhëtimin e miëraxhit Muhamedit s.a.v.s. i printe Xhibrili dhe ai kalonte prej një qielli në qiell tjetër derisa arritën në Sidretul Munteha. Aty është ndalur Xhibrili dhe kërkoi nga Muhamedi s.a.v.s. të del përpara. Xhibrili i ka thënë të dërguarit tonë:

“Nëse unë eci i pari, do të digjem. Nëse ti (Muhamed) ec i pari, do të digjet.”

E gjithë kjo, ka ndodhur vetëm me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar. Kjo nga shkaku se përbërja e trupit të Muhamedit s.a.v.s. ndryshonte çdoherë që kalonte prej një qielli në një qiell tjetër, me qëllim që të përballoj dritën e Zotit.

Atyre të cilët thonë se qëllimi i ajetit është “fuqia e diturisë”, u themi: Ku është fuqia e diturisë në krahasim me fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar, kur Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:

وَمَآ أُوتِيتُم مِّنَ ٱلۡعِلۡمِ إِلَّا قَلِيلٗا ٨٥

“Dhe, juve ju është dhënë prej diturisë vetëm pak.” (Isra : 85)

A kjo dituri e paktë është ajo fuqi e cila e ngrit njeriun në sferat e qiejve dhe të tokës.

Natyrisht se jo.

Për këtë arsye, çdonjëri i cili thotë se “fuqia” e përmendur në ajet ka kuptimin e “diturisë” ai e ka tepruar në interpretim. E vërteta është se fuqia e Allahut të Lartmadhëruar është ajo e cila e ka bërë të mundur bartjen e pejgamberit s.a.v.s. deri në Sidretul Munteha dhe kalimin prej saj.

Lini një koment