Dr. Musli Vërbani
Shkurorëzimi “lian” dhe anulimi i kurorës
Në islam shkurorëzimi mund të realizohet me:
– të drejtën e burrit për shkurorëzim;
– të drejtën e gruas për shkurorëzim; dhe
– të drejtën e Gjykatës për shkëputjen e Kurorëzimit.
Gjykata ka të drejtë të bëjë:
– Shkurorëzimin Lian; dhe
– Anulimin e kurorëzimit.
- Shkurorëzim i quajtur lian (dëshmimi i dyfishtë apo mallkimi i ndërsjellë)
Shkurorëzimi përmes procesit gjyqësor. Në këtë kategori bën pjesë shkëputja e martesës përmes vendimit të gjykatës islame, me ose pa pëlqimin e palëve. Përfundimi i një martese të tillë nuk është çështje private por është çështje shoqërore e cila tërheq pas vete edhe autoritetet juridike dhe ato ekzekutive. Kjo rregullohet me Lianin – vetmallkimet e dyfishta të bashkëshortëve të cilat zëvendësojnë dëshminë e tyre dhe të drejtën e tyre.
Lian do të thotë përbetim me mallkim në mes të bashkëshortëve, në mungesë të dëshmitarëve në rast akuze për prostitucion. Pra, nëse burri akuzon gruan për prostitucion, ndërsa ajo e demanton dhe e mohon një gjë të tillë, atëherë, para gjykatës, nga të dy palët, bëhet katër herë përbetimi dhe të pestën herë mallkimi.
Ky lloj shkurorëzimi bëhet me rastin kur burri e akuzon gruan për prostitucion mirpo nuk ka dëshmitarë të cilët e dëshmojnë dhe ai nuk ka fakte dhe nuk do te thotë se gruaja ka bërë prostitucion e ajo mund të jetë e moralshme dhe e pastër por burri dyshon në të.
Ky lloj shkurorëzimi bëhet me përbetimin e dyfishtë apo mallkimin e ndërsjellë.
Përbetimi i burrit (vetmallkimi i burrit):
“Ndërsa ata, të cilët shpifin për gratë e veta dhe nuk kanë dëshmitar tjetër pos vetes, dëshmimi i çdonjërit prej tyre është: të betohen katër herë në Allahun, se thonë të vërtetën. E pesta (herë e betimit) është: Mallkimi i Allahut qoftë mbi të, nëse ai gënjen.” (En Nur : 6, 7)
Përbetimi i gruas (vetmallkimi i gruas):
“E nga ajo (gruaja e shpifur) largohet dënimi, nëse katër herë betohet në Allahun, se ai (shpifësi) gënjen. E pesta herë e betimit të jetë që ta godasë hidhërimi i Allahut atë (gruan), nëse shpifja ka qenë e vërtetë.” (En Nur : 8, 9)
Pas kësaj, gjykatësi vendos ndarje në mes tyre.
Pasojat juridike të shkurorëzimit të lianit (me vetmallkim)
Pasojat juridike të shkurorëzimit Lian janë si në vijim:
- bashkëshortët nuk kanë të drejtë të vazhdojnë bashkëshortësinë;
- ndalesë martese e përgjithmonshme në mes tyre.
- Anulimi i kurorëzimit
Anulimi i martesës është mënyrë gjyqësore e zgjidhjes së martesës së pavlefshme dhe trajtohet sikurse të mos ishte lidhur fare martesa fare.
Kurorëzimi në të cilin kontrata martesore është konstatuar si e pavlefshme apo jokomplete dhe se duhet anuluar. Në këtë kategori shkurorëzimi bën pjesë shkëputja e martesës përmes vendimit të gjykatës islame me ose pa pëlqimin e palëve.
Dallimi në mes të shkurorëzimit dhe anulimit të martesës
Shkurorëzimi dallon thelbësisht nga anulimi i martesës, sepse:
- anulimi i martesës është zgjidhje e një martese të pavlefshme, ndërsa
- shkurorëzimi është zgjidhje e një martese të vlefshme.
Ky lloj Shkurorëzimi nënkupton zgjidhjen e një martese të plotëfuqishme gjatë jetës së bashkëshortëve, në procedurë gjyqësore, për shkaqe të përcaktuara me ligj si f.v. lidhja e gjinisë (gjinia gjakut, krushqisë), ose mungesa e vullnetit gjatë aktit të martesës me fjalë tjera mosplotësimi i kushteve themelore të martesës.