Shkurorëzimi i quajtur hul’ë

Dr. Musli Vërbani

Shkurorëzimi i quajtur hul’ë

 

Në islam shkurorëzimi mund të realizohet me:

– të drejtën e burrit për shkurorëzim;

– të drejtën e gruas për shkurorëzim; dhe

– të drejtën e Gjykatës për shkëputjen e Kurorëzimit.

 

 

Një e drejtë prej të drejtave të gruas për shkurorëzim është shkurorëzimi i quajtur HUL’Ë

 

 

Hul’ë është shkurorëzimi nga ana e gruas me anë të tërheqjes nga e drejta e saj e mehrit (dhurata e burrit). Me fjalë të tjera shkurorëzim me kompensim.

Ky lloj shkurorëzimi ka të bëjë me të drejtën e gruas për shkurorëzim. Mehri, që gruaja e fiton gjatë aktit të kurorëzimit prej bashkëshortit të saj i takon vetëm asaj. Burri asgjë nuk mund të marrë nga kjo pasuri dhe sa kohë të jetë e kurorëzuar ajo disponon e pavarur me atë pasuri por edhe pasuritë tjera të cilat i fiton.

Gruaja mund të kërkojë ndarje edhe nëse burri nuk dëshiron ta shkurorëzojë atë, mirëpo ajo këtë rast duhet ta paraqesë në gjykatë (islame), duke i sqaruar arsyet, mirëpo në këtë rast gruaja detyrohet që t`ia kthejë burrit mehrin (dhuratën) që e ka pranuar nga ai gjatë martesës.

Hul’i është i lejuesëm vetëm për ato arsye, për të cilat ajo nuk mban përgjegjësi: mungesa e sigurimit të mjeteve të jetesës nga ana e burrit dhe lënia pas dore seksualisht prej tij (tre muaj ose më shumë pa marrëdhënie seksuale). Në këto dy raste ajo duhet të ngrejë padi tek një gjykatës, i cili pastaj vendos realizimin e ndarjes.

Gruaja e cila e urren burrin e vet dhe s’mund të jetojë bashkë me të, ka të drejtë të lirohet nga martesa duke ia kthyer burrit të vet mehrin e paguar dhe dhuratat e dhuruara nga ai, ose kthimi do të realizohet varësisht nga pëlqimi i ndërsjellë, gjegjësisht më pak apo më shumë. Preferohet që ai të mos kërkojë më shumë se sa i ka dhënë. Zoti i Madhëruar thotë: “E nëse kini frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e All-llahut, atëherë për atë me çka ajo bën kompensim, për ata të dy nuk ka mëkate.” (El-Bekare, 229)

 

 Argument i shkurorëzimit të hul’it

 

Rasti i sahabiut të quajtur Thabit bin Kajs i cili ishte i martuar me një grua, por ky në fizionomi ishte i shkurtër dhe i zi. Gruaja e tij shkon te Muhamedi a.s dhe i thotë: “O i Dërguar i Allahut, Thabit bin Kajsin nuk e qortoj në moral dhe fe, por e urrej kthimin në kufër pas besimit dhe natyrës së burrit tim, por nuk po mundem ta duroj (ta dashuroj). Si një muslimane, nuk dëshiroj të jem shpirtligë (frikësohem nga mosplotësimi i obligimeve të mia ndaj tij, meqë assesi nuk mund ta dashuroj). Muhamedi a.s. i thotë: “A do t`ia kthesh kopshtin e tij (që ia kishte dhuruar Thabiti si mehër gjatë martesës)? Ajo thotë: “Po”. Muhamedi a.s i thotë Thabitit: “Pranoje kopshtin dhe ndaje atë nga ti përgjithmonë.”

Po që se  mosmarrëveshja ka filluar nga ana e burrit, ai duhet të ndahet pa e marrë mehrin dhe në atë rast kemi të bëjmë me të drejtën e gruas për prishje apo abrogim të martesës (nuk quhet shkurorëzim) dhe  nuk quhet HUL’Ë por FES’H ku FES’HI  dhe nuk i nënshtrohet kompensimeve  nga ana e gruas siç është rasti me shkurorëzimin HUL’Ë.

Nga kjo përfundojmë me atë se është haram që burri ta detyrojë gruan të kërkojë shkurorëzim me qëllim të fitoj të drejtën e kompenzimit, e as ta keqtrajtojë.

 

Lini një koment