Dr. Musli Vërbani
Shkurorëzimi i rregullt (sunet) dhe shkurorëzimi i çrregullt (bidat)
- Shkurorëzimi sunet
Shkurorëzimi sunet është shkurorëzimi që i përgjigjet sunetit. Këtu, sunet do të thotë “rrugë dhe rregull” që duhet ndjekur në shkurorëzim e që është urdhëruar nga ana e Zotit e nuk do të thotë sunet, kryerja e së cilës meriton shpërblim.
Shkurorëzimi sunet është ndarje me gruan, me të cilën është hyrë në periudhën e pastërtisë (periudhën e kaluar midis menstruacioneve), periudhë në të cilën nuk hyhet në marrëdhënie seksuale.
Periudha e menstruacionit e obligon burrin të largohet nga marrëdhënia intime me gruan, kështu që ai duhet ta presë mbarimin e menstruacionit e pastaj ta shkurorëzojë pa kontaktuar intimisht.
Ashtu siç ndalohet shkurorëzimi gjatë menstruacionit, gjithashtu ndalohet edhe pas marrëdhënieve intime gjatë periudhës së pastërtisë së saj, sepse ekziston mundësia e shtatzënisë, dhe kur të kuptojë burri se gruaja e tij është me barrë, mund ta ndërrojë mendimin e ndarjes për hir të fëmijës së posanisur në barkun e saj.
Në qoftë se ajo është e pastër, ose e di se është shtatzënë dhe edhe më tutje insiston ta shkurorëzojë, atëherë kuptohet se shkurorëzimi është pasojë e antipatisë së thellë dhe në këtë rast i lejohet ta lëshojë.
Shkurorëzimi i rregullt (sunet) është kështu:
Shkurorëzohet në muajin e parë pas menstruacionit ne kohën e pastërtisë pa kontaktuar intimisht (NJË SHKURORËZIM).
Shkurorëzohet në muajin e dytë pas menstruacionit, në kohën e pastërtisë pa kontaktuar intimisht (DY SHKURORËZIME).
Shkurorëzohet në muajin e tretë pas menstruacionit, në kohën e pastërtisë pa kontaktuar intimisht (TRE SHKURORËZIME).
Gjithsej TRE MUAJ NË TRE SHKURORËZIME.
Shkurorëzimi më i rregullt (suneti ehsen). Kjo është mënyra më e mirë e shkurorëzimit, mund të bëhet përgjatë rreth nëntë muajve.
Shkurorëzohet në muajin e parë pas menstruacionit ne kohën e pastërtisë pa kontaktuar intimisht (NJË SHKURORËZIM)
Shkurorëzohet në muajin e katërt pas menstruacionit, në kohën e pastërtisë pa kontaktuar intimisht (DY SHKURORËZIME)
Shkurorëzohwt në muajin e shtatë pas menstruacionit, në kohën e pastërtisë pa kontaktuar intimisht (TRE SHKURORËZIME).
Gjithsej në çdo tre muaj nga një shkurorëzim (jo në çdo muaj) dhe zgjat nëntë muaj.
Ekziston edhe një formë që quhet “sunni ahsen” shkurorëzimi më i mirë sunet. Kjo është mënyra më e mirë e shkurorëzimit, mund të bëhet gjatë rreth nëntë muajve.
Pas shkurorëzimit të parë duhet pritur që gruaja të pastrohet me tri menstruacione (IDDETI i parë. Pra tre muaj e më pastaj te shkurorëzimi i dytë. Përsëri priten tre menstruacione (IDDETI i dytë), pra tre muaj dhe shkurorëzimi i tretë. Normalisht, nuk hyhet në marrëdhënie seksuale derisa zgjat ky proces. Mënyra e këtillë e shkurorëzimit zgjat rreth nëntë muaj, pra tri herë nga tre menstruacione.
Ky proces lidhet me faktin se ndalohen marrëdhëniet seksuale midis bashkëshortëve derisa femra është në ciklin menstrual, dhe kjo shkakton nervozizëm tek mashkulli, kështu që ai duhet ta pres mbarimin e ciklit menstrual të gruas e pastaj ta shkurorëzoj dhe atë pa ju afruar fare (pa bërë marrëdhënie seksuale).
- Shkurorëzimi bidat (shkurorëzimi i çrregullt)
Shkurorëzimi bidat është në kundërshtim me shkurorëzimin sunet. Quhet shkurorëzim bidat sepse bëhet në kohën kur gruaja është në periudhë të menstruacionit ose atë të pastrimit pasi të ketë kontaktuar intimisht.
Në qoftë se ndërmerret hapi i shkurorëzimit, duhet ta zgjedhë mënyrën dhe kohën e përshtatshme, ngase nuk i lejohet që të veprojë sipas dëshirës. Ekzistojnë edhe kufizime sa i përket kohës se kur duhet të bëhet shkurorëzimi.
Gruaja në jetën e vet kalon në dy faza:
E para: Faza kur i ka menstruacionet; dhe
E dyta: Faza kur është në kohën e pastërtisë së saj (jo në fazën e menstruacionit).
Shkurorëzimi nuk lejohet kur femra është në fazën e menstruacionit, me fjalë tjera nuk lejohet të bëhet shkurorëzimi derisa femra të kaloj në tërësi këtë kohë edhe pse në këtë kohë është e ndaluar të kontaktoj intimisht. Po që se kontaktojnë intimisht pas menstruacionit ekziston mundësia e shtatzënisë, dhe kur të kuptojë burri se gruaja e tij është shtatzënë mund të ndryshoj mendimin për hir të fëmijës së nisur në barkun e saj.
Nuk lejohet në kohën e IDDETIT pasi të kontaktohet intimisht. Shkurorëzimi bëhet në fillim të pastërtisë së grave. Zoti i Madhëruar thotë: “O ti Pejgamber, kur të lëshoni gratë, lëshoni ato në vigjilje të fillimit të pritjes së tyre (në kohën e pastërtisë)!” (Talak, 1)
Koha e përshtatshme nënkupton gruan e pastër pa menstruacion dhe jo në fazën e lehonisë, dhe kohën kur nuk ka pasur marrëdhënie seksuale para ciklit të fundit. Në qoftë se gruaja është shtatzënë, atëherë burri duhet të jetë i njoftuar. Në kohën e menstruacioneve e obligon burrin të largohet nga marrëdhënia intime me gruan.
Argumenti i shkurorëzimit bidat
Transmetohet se Abdull-llah ibn Umeri e ka lëshuar gruan e tij kur ajo ka pasur menstruacione. Kur e ka pyetur Umer ibn Hattabi pejgamberin a.s. për këtë çështje, pejgamberi a.s. i ka thënë: “Thuaji le ta kthejë, e pastaj kur të jetë e pastër dhe e pa kontaktuar intimisht, si të dojë le ta shkurorëzojë.”
Dijetarët janë pajtuar se shkurorëzimi bidat është haram. Ndaj, kthimi i burrit tek gruaja që e shkurorëzoi me llojin e shkurorëzimit bidat është farz. Dijetarët janë të pajtimit se, edhe pse është haram shkurorëzimi bidat prapëseprapë ai pranohet si i tillë. Kjo i ngjanë faljes së namazit në një copë toke që është grabitur në mënyrë të padrejtë nga të tjerët, pra edhe uzurpimi i tokës së huaj është haram, namazi pranohet, por personi ende është në tokën e uzurpuar e cila është haram.