Dr. Musli Vërbani
IDDETI
IDET do të thotë numërim, pritje.
Ndërsa në terminologji IDET quhet: Koha e kufizuar me ligj për t’i definuar dhe për t’i përfunduar çështjet të cilat rezultojnë prej shkakut dhe gjurmëve të martesës nëse ndodh shkurorëzimi.
IDETI në shkurorëzim është VAXHIB, që do të thotë detyrë e obliguar.
Iddet është kur bashkëshortja duhet të qëndrojë në shtëpinë e burrit gjatë periudhës së pritjes dhe burrit i ndalohet ta përzër nga shtëpia. Kjo është një mënyrë që burri të kthehet te gruaja e tij, ta mbledhë veten dhe të mos vazhdojë divorcin. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “O pejgamber! Nëse (vendosni që t’i) shkurorëzoni gratë, shkurorëzoni ato para kohës së tyre të pritjes (në fillimin e kohës së pritjes, pra në pastrimin nga menstruacionet në të cilin gruaja nuk është prekur me kontakt seksual). Llogaritni kohën e tyre të pritjes dhe frikësojuni Allahut, Zotit tuaj. Mos i dëboni ato prej shtëpive të tyre, por edhe ato të mos largohen, me përjashtim të rastit kur e shkelin martesën haptazi. Këto janë urdhërimet e Allahut, kushdo që i kapërcen kufijtë e Allahut, i ka bërë dëm vetes. Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.” (Et-Talak : 1)
Shpjegim tipik i këtij rregulli është se kërkohet të vërtetohet se a ka mbetur gruaja me barrë.
Po që se paraqitet barra, ajo duhet të presë deri në lindjen e fëmijës, në mënyrë që të sigurohen legjitimiteti dhe identiteti i fëmijës. Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë: “Ndërkaq, (nëse paraqitet shtatzënia) për shtatzënat afati i pritjes së tyre është deri sa të lindin.” (Et-Talak : 4)
Kjo pritje e gruas në shtëpinë e burrit edhe pas shkurorëzimit, në sheriatin islam quhet IDDET.
Ndryshe, edhe iddetin mund ta përkufizojmë si periudha e pritjes, një kohë e provës, e rishqyrtimit, me fjalë tjera mund të konsiderohet si një masë preventive dhe si pikëkontrolli i fundit.
Gruaja, shkurorëzimi i së cilës është inicuar dhe shpallur nga burri, ka të drejtë të plotë për mirëmbajtje të tërësishme përderisa është në periudhën e pritjes – IDDETIT. Burri është plotësisht përgjegjës për ushqimin e saj, veshmbathjen dhe, po qe se është e nevojshme, për shërbimin, njësoj sikur martesa të ishte plotësisht e paprekur, gjatë së cilës kohë ajo me siguri do të ishte përshtatur ndaj ndërrimeve të reja në jetën e saj.
Ajo ka të drejtë të vazhdojë të banojë në të njëjtin vend si edhe para shkurorëzimit, ose të furnizohet me pajisje relativisht komfore për vendbanim.
Ajo nuk duhet të përjashtohet nga shtëpia e vet, e as që duhet të dalë nga aty, pos nëse nuk ka kryer ndonjë kundërvajtje të qartë turpëruese.
Allahu i Lartësuar thotë: “…Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët. (El-Bekare : 229) Pastaj thotë: “…Dispozitat e Allahut mos i merrni për shaka. Përkujtoni të mirat e Allahut, ndaj jush edhe atë që ju shpalli Kur’anin dhe dispozitat e sheriatit me të cilat ju udhëzon, dhe keni frikë Allahun e dijeni se Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (El-Bekare : 231)
Burri duhet të shpenzojë për gruan e ndarë e që mund të kthehet, sepse gjatë IDDETIT ajo është ende bashkëshorte e tij.
Gruaja qëndron në shtëpinë e burrit në një gjendje e pamje sa më të mirë e më të bukur dhe nuk mbulohet para burrit; përkundrazi, është mirë të zbukurohet dhe stoliset për të.
Burri ka të drejtë ta rikthejë gruan si bashkëshorte të veten dhe të mos e vazhdojë shkurorëzimin për sa kohë që periudha e pritjes nuk ka mbaruar.
Llojet e IDDETIT
Iddeti ndryshon varësisht prej formës së ndarjes bashkëshortore dhe varësisht prej gjendjes së gruas.
- IDDET inekzistent;
- IDDETI me tri menstruacione;
- IDDETI me tre muaj të kalendarit hënor;
- IDDETI me katër muaj e dhjetë ditë;
- IDDETI deri sa të lind fëmija.
- IDDETI INEKZISTENT
Nëse burri është martuar me gruan me akt martesor dhe nuk ka hyrë tek ajo (pra, vetëm sa ka lidhur aktin e martesës dhe nuk ka pasur marrëdhënie intime ose nuk është veçuar me të atëherë) ajo nuk ka IDDET.
Kështu pra, nëse pas aktit të kurorëzimit ndodh deri te ndonjë mospajtim, apo burri e shkurorëzon pa u vetmuar, dhe pa kryer marrëdhënie intime, atëherë gruas nuk i takon mehri i plotë por i takon gjysma e mehrit.
Këtë e tregon Zoti i Madhëruar në ajetin kur’anor:
“E nëse i lëshoni (shkurorëzoni) ato para se të kontaktoni, por u keni caktuar atyre një caktim (mehrin e kurorës), atëherë t’u jepni gjysmën e asaj që e keni caktuar…” (El-Bekare : 237)
Ndodh që akti i kurorëzimit është bërë, mirëpo gjatë aktit të kurorëzimit nuk është caktuar shuma e mehrit, atëherë gruas i takojnë rrobat dhe përgatitjet tjera që quhen METAË. Këtë e potencon Zoti i Madhëruar në ajetin kur’anor:
“Nuk është mëkat për ju nëse i lëshoni (shkurorëzoni) gratë pa pasur kontakt martesor me to dhe para se t’u caktoni atyre ndonjë caktim (Mehrin), po pajisni ato (me pajisje METAË)…” (El-Bekare : 236)
Pasojat juridike të mosekzistimit të IDDETIT
Nëse burri e shkurorëzon gruan pa kontaktuar intimisht, rrjedhin këto pasoja:
- – Nuk ka nevojë për iddet;
- – Bashkëshortja, që në momentin e thënies “Je e shkurorëzuar” ajo mund të shkojë në shtëpinë e saj dhe nuk pret ndonjë afat të caktuar (iddet);
- – Ajo ka të drejtë për martesë me dikë tjetër; dhe
- – E merr gjysmën e mehrit.
Argument i këtij iddeti është Kur’ani
Argument se gruaja nuk ka iddet nëse shkurorëzohet pa u veçuar me burrin dhe pa pasur marrëdhënie intime është ajeti kur’anor ku Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“O ju që besuat, kur të keni lidhur kurorë me besimtaret e pastaj i lëshoni ato para se të keni kontaktuar me to, ju nuk keni të drejtë të kërkoni që ato të presin afatin e caktuar (iddetin), po jepuni diçka atyre dhe lironi në mënyrë të njerëzishme.” (Ahzab : 49)
- Iddeti me tri menstruacione
Nëse femra shkurorëzohet dhe ajo ka menstruacione, ajo duhet të pret tri menstruacione, e kjo nëse burri ka pasur marrëdhënie intime.
Për gruan që i vijnë të përmuajshmet, periudha e pritjes është tre cikle të plota menstruacionesh pas shkurorëzimit. Pra, t’i vijnë menstruacionet e të pastrohet, pastaj t’i vijnë sërish manstruacionet e të pastrohet dhe t’i vijnë së treti menstruacionet e të pastrohet; këto janë tre cikle të plota, sado që të zgjasë periudha midis tyre. Pasi të marrë gusël (të bëjë larjen e të gjithë trupit) pas pastrimit të tretë, periudha e saj e pritjes përfundon.
Që nga ai moment, minimumi i qëndrimit të gruas në shtëpinë e burrit është tri kohëra të menstruacionit.
Argument i këtij iddeti është Kur’ani
Argument se gruaja e shkurorëzuar duhet të pres tri menstruacione është ajeti kur’anor ku Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“Të shkurorëzuarat le të presin afatin prej tri kohërave të menstruacionit.” (El Bekare : 228)
- Iddeti tre muaj të kalendarit hënor.
Nëse femra shkurorëzohet dhe ajo nuk ka menstruacione, atëherë IDDETI është i përcaktuar tre muaj të plotë të kalendarit hënorë.
Argument i këtij IDDETI është Kur’ani.
Zoti i Madhëruar në Kur’anin fisnik thotë:
“E ato gratë tuaja, të cilave u është ndërprerë cikli mujor (menstruacioni), nëse nuk e keni ditur, koha e pritjes së tyre është tre muaj të plotë, e ashtu edhe ato që ende nuk kanë pasur menstruacion…”. (Et-Talak : 4).
- Iddeti katër muaj e dhjetë ditë
Martesa është bashkësi jetese e vazhdueshme e një burri dhe e një gruaje e ajo duhet të jetë e përhershme dhe e përjetshme. Edhe këto martesat marrin fund, përkatësisht shuhen në mënyrë natyrore, me vdekje. Kështu, shkak për zgjidhjen apo shkëputjen e kësaj martese është vdekja e bashkëshortit. Prandaj, mund themi se vdekja është mënyrë e zakonshme e zgjidhjes së martesës së plotfuqishme.
Nëse burri vdes, pas vetmimit me nusen ose pas marrëdhënieve intime, atëherë IDDETI është katër muaj e dhjetë ditë.
Argument i këtij iddeti është Kur’ani
Zoti i Madhëruar në Kur’anin fisnik thotë:
“E ata që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë”. (El-Bekare : 234),
Nëse femra shkurorëzohet, mirëpo gjatë pritjes së IDETIT vdes burri, atëherë prej momentit të vdekjes ndërpritet IDDETI i shkurorëzimit dhe fillon numërimi apo fillon IDDETI tjetër, pra IDETI për shkak të vdekjes së burrit. E dihet se IDETI i gruas për burrin e vdekur është 4 muaj e dhjetë ditë.
Zoti i Madhëruar thotë: “E ata që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë.” (El Bekare : 234)
Detyrimet që ka vejusha në periudhën e pritjes (zisë/pikëllimit):
Gruaja, së cilës i ka vdekur burri, duhet të mbajë zi gjatë IDDETIT, pra të lërë çdo gjë që zakonet e konsiderojnë zbukurim, qoftë në trup apo në veshje. Kështu ajo: Nuk duhet të vendosë asnjë lloj ere të mirë. Nuk duhet të veshë rroba zbukurimi. Kjo nuk do të thotë që të veshë rroba të zeza, por vetëm të lërë ato rroba që sipas zakonit janë për zbukurim. Prandaj lejohet të vishen rrobat e zakonshme, të cilat nuk konsiderohen rroba zbukurimi, ndonëse mund të jenë me ngjyra.
Nuk konsiderohet zbukurim pastrimi i trupit dhe rrobave, krehja e flokëve, prerja e thonjve dhe banja. Të gjitha këto lejohen, ashtu siç lejohet që gruaja të dalë nga shtëpia gjatë periudhës së pritjes për nevojat e saj, me kusht që natën ta kalojë në shtëpinë bashkëshortore.
- Iddeti deri sa të lindë fëmija
Nëse gjatë IDETIT paraqitet shtatzënia e gruas apo fillimi i krijimit të embrionit, atëherë IDDETI vazhdon deri sa të lindë fëmija. Periudha e pritjes për gruan shtatzënë: mbaron me lindjen e fëmijës, sado e gjatë a e shkurtër të jetë kjo kohë.
Argument i këtij iddeti është Kur’ani
Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“Ndërkaq, (nëse paraqitet shtatzënia) për shtatzënat afati i pritjes së tyre është deri sa të lindin.” (Et-Talak : 4)
Gruaja e ndarë përfundimisht bëhet e ndaluar për burrin sapo të ndodhë shkurorëzimi. Ajo nuk qëndron me burrin në shtëpi dhe nuk përfiton shpenzime prej tij, përveçse kur është shtatzënë. Në këtë rast burri shpenzon për të derisa ajo të lindë. Më pas burri shpenzon për fëmijën.
Shihet se gruaja nuk mund të shkurorëzohet para se të dalë nga perioda e ‘menstruacionit’ dhe ‘lehonisë’ apo gjersa të kryhet lindja.
Nevoja e pritjes së një kohe shpesh është hapësirë për pushim në të cilin ndjenja e butësisë dhe emocionit te mashkulli qetësojnë zemërimin dhe ndikojnë që të largohet shkurorëzimi.
ÇKA REZULTON NË KOHË TË IDDETIT?
Në kohën e iddetit rezultojnë çështje të caktuara e ato janë:
E para: Nuk ka të drejtë të fejohet;
E dyta: Nuk ka të drejtë të bëj akt të kurorëzimit;
E treta: Nuk ka të drejtë të dalë nga shtëpia e burrit;
E katërta: E drejta e trashëgimisë;
E pesta: Numërimi (llogaritja) i shkurorëzimit.
E para: Gruaja nuk ka të drejtë të fejohet.
E shkurorëzuara apo gruas së cilës i vdes burri dhe ajo është në kohën e IDDETIT, duke pasur parasysh se ende ka gjurmë të martesës, me fjalë të tjera ka disa detyra, të drejta dhe obligime martesore deri sa të përfundojë ai afat.
Pa marrë parasysh IDDETI a është për shkak të shkurorëzimit apo të vdekjes ajo nuk lejohet të fejohet gjatë kësaj periudhe kohore.
Është e ndaluar fejesa, edhe haptazi, edhe fshehtazi, sepse Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“Nuk është mëkat për ju (atëherë kur gratë e shkurorëzuara e kanë kryer afatin e pritjes-IDETIN) t’iu paraqiteni për martesë grave në mënyrë të tërthortë, ose duke e mbajtur fshehtë në veten tuaj.” (El Bekare : 235)
E deri te pjesa e ajetit Kur’anor:
“Por kurrsesi mos u premtoni atyre fshehtazi (diç tjetër për fejesë apo martesë) përpos t’u thoni fjalë të lejuara.” (El-Bekare : 235)
E dyta: Femra në IDET nuk ka të drejtë të bëjë aktin e kurorëzimit.
Zoti i Madhëruar thotë:
“Dhe mos bëni akt kurorëzimi (me ndonjë burrë tjetër) deri sa të përfundojë afati i caktuar i (IDETIT).” (El Bekare : 235)
Nëse bën akt kurorëzimi me ndonjë burrë tjetër gjatë IDETIT, akti i kurorëzimit është i pavlefshëm sikurse të kishte qenë e martuar, ndërsa me bashkëshortin e saj mund të bëjë akt të kurorëzimit edhe gjatë IDETIT, sepse koha e pritjes së femrës (IDETI) është i paraparë për ruajtjen e spermatozoidit, pra të pasardhësve të burrit. E kur të kalojë IDETI ka të drejtë të martohet me kë të dojë.
Gjatë kësaj kohe (IDETIT) nëse burri dhe gruaja dëshirojnë të martohen ato mund të martohen pa dëshmitarë dhe pa akt të ri të kurorëzimit dhe pa mehr. Ndërsa prej momentit kur të kalojë IDETI, nëse burri dhe gruaja dëshirojnë të martohen, ato patjetër duhet të kenë dëshmitarë, të bëjnë akt të ri të kurorëzimit dhe të caktojnë shumë të re të mehrit, e ajo të konsiderohet shumë e mehrit të caktuar.
E treta: Të ndaluarit e daljes nga shtëpia e burrit gjatë kohës së IDETIT.
Gruaja nuk ka të drejtë të dalë nga shtëpia e burrit, sepse ende është nën përkujdesjen e burrit, e kjo deri sa të kalojë IDETI. Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“O ti pejgamber (thuaju besimtarëve) kur t’i lëshoni gratë, lëshoni ato në IDETIN e tyre (afatin e pritjes së tyre) dhe numëroni mirë ditët e afatit të pritjes së tyre, e kijini frikë Allahut, Zotit tuaj, dhe mos i nxirrni ato prej shtëpisë (suaj) e cila tani është edhe e tyre, e edhe ato mos të dalin ndryshe, vetëm nëse bëjnë ndonjë imoralitet të qartë (dhe sillen në vendin për t’u ekzekutuar).” (ET-Talak : 1)
Ebu Hanife thotë se vet dalja është imoralitet.
E katërta: E drejta për t’u furnizuar në shtëpinë e burrit dhe prej shtëpisë së burrit, pra burri financon për shpenzimet e saj.
Deri sa të skadojë afati i IDETIT, edhe pse gruaja është e shkurorëzuar, obligimin për ushqim dhe veshmbathje e ka burri dhe askush tjetër
Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“…dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre.” (ET Talak : 1)
Gjatë kësaj kohe, deri sa qëndron gruaja në shtëpinë e burrit, ajo nuk ka të drejtë të dalë nga shtëpia, andaj kujdesin për të e ka burri i cili e ka shkurorëzuar, sepse ajo e pret afatin për të shikuar formimin e embrionit, pra ende një pjesë e kujdesit ndaj saj është e burrit, por edhe t’i lihet një afat që t’i rikthehen jetës bashkëshortore.
E pesta: E drejta e pasardhësit.
Nëse gjatë kohës së IDETIT mbetet gruaja shtatzënë, atëherë ai fëmijë është fëmijë i burrit me të cilin është në IDET.
E gjashta: E drejta e trashëgimisë.
Nëse ndonjëri prej bashkëshortëve vdes gjatë kohës së IDETIT, atëherë ka të drejtë të trashëgojë ai i cili është gjallë, pra nëse gruaja vdes, burri e trashëgon atë (nëse pronëson pasuri), por edhe nëse burri vdes gruaja e trashëgon atë.
Po e përsërisim edhe një herë se gruaja gjatë IDETIT konsiderohet grua në kuptimin e fjalës me të drejta të sheriatit, andaj edhe ka të drejtë trashëgimie, ku Zoti i Madhëruar thotë:
“Juve ju takon patjetër (si trashëgimi) gjysma e asaj (pasurie) që e lënë gratë tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë, por nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon patjetër (trashëgimi) një e katërta nga ajo që e lënë ato.” (En-Nisa : 12)
Kjo është pjesa e ajetit ku Zoti i Madhëruar e ka caktuar obligim për të trashëguar burri nga gruaja, ndërsa gruaja në IDET ende është grua për burrin e saj.
Po ashtu Zoti i Madhëruar ka caktuar edhe pjesën e trashëgimisë së gruas ku thotë:
“Atyre (grave) ju takon patjetër (trashëgimi) një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, por nëse keni fëmijë, atyre ju takon patjetër (trashëgimi) një e teta nga ajo që e lini.” (En-Nisa : 12)
E shtata: Numërimi (llogaritja) i shkurorëzimit
Shkurorëzimi ka kufi të caktuar, ashtu që nuk lejohet të bëhet shkurorëzimi në mes të bashkëshorte në numër të pacaktuar, për shkak se burri nuk ka të drejtë ta shkurorëzojë gruan më shumë se tri herë.
E shkurorëzuara mund të rikthehet në tri lloje të rasteve:
– Shkurorëzimi me të drejtë kthimi: Përderisa e shkurorëzuara është në iddet, burri mund ta rikthejë në martesë normale pa pasur nevojë të paguajë mehr të ri, pa dëshmitarë dhe pa akt të ri, por ky shkurorëzim numërohet në statistikën e shkurorëzimeve. Ky lloj mund të aplikohet në shkurorëzimin e parë dhe të dytë, por jo edhe në të tretin.
– Nëse gruas së shkurorëzuar me të drejtë kthimi (talak rexh’ij) i kalon pritja (iddet), me fjalë tjera ajo më nuk jeton në shtëpinë e burrit, atëherë ky shkurorëzim shndërrohet në bain bejnune sugra, që do të thotë se burri nuk e posedon më të drejtën e rikthimit (sikurse në rastin e parë) pa mehr të ri, dëshmitarë dhe akt të ri.
– Nëse e shkurorëzon për së treti herë, atëherë ajo grua është ndaluar me ndalesë të përkohshme, që do të thotë se pas herës së tretë ajo vazhdon jetë të re, martesë të re dhe vetëm pas shkurorëzimit të kësaj martese, ndërpritet ndalesa e përkohshme dhe burri në fjalë ka të drejtë ta kërkojë, ta fejojë dhe ta martojë. Për këtë arsye më parë theksonim se shkurorëzimi numërohet në statistikën e shkurorëzimeve.
Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“Shkurorëzimi është dy herë, e pastaj burri ose ta vazhdojë (një herë e përgjithmonë) një jetë bashkëshortore të njerëzishme, ose një shkurorëzim me mirëkuptim.” (El-Bekare : 229)
“E në qoftë se ai (burri) e shkurorëzon atë (për të tretën herë), nuk i lejohet ta martojë (ndalesë e përkohshme) deri sa të martohet ajo me një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e shkurorëzon atë, atëherë (lejohet martesa) për ata të dy po që se mendojnë se kanë për t’i zbatuar dispozitat e Allahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi).” (El-Bekare : 230)
Kujdestaria ndaj fëmijëve
Fëmijët e vegjël mbeten nën kujdestarinë e nënës së tyre të shkurorëzuar, pos, nëse ajo nuk është e aftë.
Shkurorëzimi si i tillë nuk e diskualifikon apo prek të drejtën e saj të kujdestarisë. Derisa ajo i ushqen fëmijët e vegjël dhe kujdeset për të tjerët, përgjegjësia është e babait që të bartë të gjitha shpenzimet e këtij kujdesi dhe në mënyrë të drejtë ta shpërblejë nënën për këtë gjë.
Babai është përgjegjës për strehimin, veshmbathjen dhe ushqimin e tyre, madje edhe po qe se ata janë nën kujdestarinë e nënës apo në shtëpinë e saj. Derisa kjo gjë mund të jetë një burim i mundshëm i tensionit dhe i padisë, po ashtu mund të jetë një masë për pajtim dhe harmoni.
Islami mbron gjenezën familjare. Fëmija është fryt i babait të vet dhe bartës i karakteristikave të tij. Gjatë jetës së tij, fëmija është kënaqësi e syve të tij, si dhe pas vdekjes së tij, fëmija është vazhdim i ekzistimit dhe reprezentues i pavdekshmërisë së tij. Ai i trashëgon cilësitë dhe atributet e babait, ashtu siç i trashëgon karakteristikat dhe veçoritë pozitive e negative, të mira e të këqija. Fëmija është pjesë e zemrës së babait dhe e trupit të tij. Për këtë shkak, Zoti ndalon kurvërinë dhe obligon martesën për ta ruajtur rrjedhën e të mos përzihen spermat, ngase do të ishte e pamundshme njohja e babait të vërtetë të fëmijës, apo prindi t’i njohë vajzat dhe djemtë e vet!