Dr. Musli Vërbani
Haraçi, taksë apo…
Haraxhi (në shqip: haraçi) në kuptim të ngushtë është taksë e tokës së punuar bujqësore, ndërsa në kuptim të gjerë është çdo lloj takse.
Në islam kemi dy lloje të fondeve:
- Fondi i zekatit; dhe
- Fondi i tatimit.
Edhe fondi i zekatit edhe fondi i tatimeve janë burim i buxhetit.
Nuk lejohet që fondi i tatimeve të paralelizohet me fondin e zekatit nga shkaku se:
Fondi i zekatit është i destinuar për kategoritë e caktuara, si, të varfrit, të uriturit dhe nevojtarët.
Fondi i tatimeve është i përcaktuar si kundërvlerë e shërbimeve ndaj qytetarëve në përgjithësi, pra, edhe për të pasurit edhe për të varfrit, sepse, shembull, rrugët të cilat i shfrytëzojnë automjetet, ndërtohen nga tatimet për rrugë, mirëpo rrugët mund t’i shfrytëzojnë edhe të pasurit edhe të varfrit. Pra, shërbimet publike që përfitohen nga tatimet e shërbimeve publike janë në shërbim edhe të të pasurve e edhe të të varfërve. Tatimet kanë si synim investimet në projektet e nevojshme dhe të domosdoshme për interes të përgjithshëm.
Kemi dy lloje të tatimeve:
- Tatime të muslimanëve dhe dhënie të zekatit;
- Tatime të jomuslimanëve dhe mosdhënie të zekatit.
Muslimanët e kanë për obligim zekatin, ndërsa jomuslimanët nuk e kanë për obligim zekatin.
Përderisa muslimani e jep zekatin për kultivimin e tokës, atëherë jomuslimani e paguan tatimin e “haraxhit” për kultivimin e tokës. Nëse pabesimtari e blen tokën e dhjetëpërqindëshit të zekatit prej muslimanit, ajo tokë automatikisht shndërrohet në tokë të haraxhit, sepse jomuslimani prej asaj toke nuk e paguan dhjetë përqindëshin e zekatit. Kjo nga shkaku se toka është e përdorur për kultivimin e agrikulturës, e cila ka prodhuar, i është nënshtruar rregullit të tokës e cila ka paguar zekatin e një të dhjetës nëse ka arritur të prodhojë një sasi të caktuar të produkteve.
Tatimi i haraxhit është model për sistemin tatimor sepse prej haraxhit dhe tatimeve tjera investohen projekte të zhvillimit për: ndërtimin e urave, tendave të ujit për sistemimin e ujitjes, etj. Kjo bën që fermerët të kuptojnë se çdo pagesë që ata e bëjnë në formë taksash u kthehet prapë në një formë tjetër dhe është si një stimulim për të sjellë më shumë tokë për kultivim dhe rritje të prodhimit.
Për institucionin e tatimeve kanë shkruar dijetarët që nga fillimi i islamit e prej tyre nxënësi i Ebu Hanifes, Ebu Jusufi, i cili ka shkruar librin “Libri i tatimeve” (Kitabul harxh). Në këtë libër Ebu Jusufi ka sqaruar:
- Mënyrën e grumbullimit të tatimeve;
- Implementimin e tatimeve;
- Idetë rreth taksave dhe investimin e projekteve prej tyre;
- Shndërrimi i taksave fikse në ato jo fikse, etj.
Zekati është institucion qeveritarë ku qeveria organizon mbledhjen dhe shpërndarjen e saj, po ashtu edhe haraxhi është institucion qeveritarë ku qeveria bën organizimin e mbledhjes dhe të investimit të fondit të haraxhit për nevojat e agrikulturës dhe nevojave tjera të domosdoshme.
Dallimi i zekatit dhe haraxhit qëndron në atë se zekati është edhe donacion edhe ibadet (adhurim ndaj Zotit) ndërsa tatimi është detyrë në mes të palëve ashtu që njëra palë paguan palën tjetër të shërbejë për çështje të caktuara.
Kur’ani në mënyrë shumë precize e sqaron se ku duhet të shpenzohet zekati:
“Zekati është i destinuar vetëm për:
- të varfrit (fukaratë) nga mesi i muslimanëve,
- të varfrit nga të huajt që banojnë aty (mesakin),
- për punonjësit të cilët i mbledhin taksat,
- për t’i përfituar zemrat e tyre (jomuslimanëve),
- për lirimin e robërve dhe të burgosurit e luftës,
- për t’u ndihmuar të zhyturve në borxhe,
- për në rrugë të Allahut, dhe
- atij që ka mbetur në rrugë,
ky është një obligim nga Zoti dhe Zoti është i Gjithëdijshëm, i Urtë.”
Në rrugë të Allahut – është fjali shumëdimensionale, në të cilën përfshihen prej dhënies për ushtrinë e vendit deri te dhënia e granteve në ndihmë të studentëve.
Zekati dhe taksat tjera të muslimanëve ashtu sikurse edhe haraxhi janë burime të buxhetit të qeverisë.
Haraxhi si taksë ka të bëjë me shtimin e prodhimit sikurse është zekati për shtimin e pasurisë.
Haraxhi, e cila llogaritet taksë e tokës, e cila është e ngjashme me zekatin, me përjashtim se nuk llogaritet ibadet sikurse zekati dhe caktohet që toka të mbetet në pronësi të pronarit të saj dhe të jetë e siguruar prej shtetit. Me një fjalë, haraxhi si taksë jepet për shkak se pronari i asaj toke merr pjesë në mbrojtje të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit, e që gjatë asaj kohe pronari angazhohet me punimin e tokës.
Haraxhi është taksë për interesin e përgjithshëm dhe është vetëm donacion (tatim), e nuk ka kuptim adhurimi. Dihet se me mbledhjen e tatimeve dhe të zekatit rritet buxheti i shtetit nga ku investohen projektet e domosdoshme dhe të nevojshme të interesit të përgjithshëm, si: investimi në ushtri, në forcim të kufijve, ndërtim të infrastrukturës së qyteteve, si, rrugët, urat dhe objektet shtetërore.
Duhet ditur se projektet që janë shërbim të të gjithëve nuk jepet zekati asnjëherë, por zekati është institucion social për të varfrit, mirëpo kur plotësohen të gjitha nevojat e të varfërve, atëherë nga ai fond lejohet të investohet për nevoja të tjera shoqërore. P.sh. kur shteti nuk ia del ta realizojë buxhetin dhe nuk mund të ndërtojë shkolla nga fondi i tatimeve, në këtë rast zekati mund të destinohet për ndërtimin e shkollave. Për realizimin e projekteve shteti parasheh tatime në bazë të mundësive materiale të shtetasve. Kjo na bën të kuptojmë se ligji islam mbi financat ka një elasticitet të madh, dhe ky ligj i përgjigjet nevojave të çdo kohe, çdo vendi dhe çdo shoqërie.
Në fund, duhet ditur se haraxhi nuk rrjedh nga Kur’ani e as nga suneti, por është i aprovuar nga institucioni i ixhmait, nga dijetarët dhe nga tradita islame.