Muhamed Muteveli Esh-Shaëraviu
Shkëputur nga “Fundi i botës”
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Sekretet dhe vetmashtrimi i njeriut
Në Kur’anin fisnik, Zoti i Lartmadhëruar na tregon se, sa i përket shiut, ligji i tij është i pandryshueshëm. Por, pasi që shkenca ka zbuluar se nëse i hedhë lëndë kimike në re, atëherë retë lëshojnë shi, mund të ndodhë që ndonjë i mashtruar të vjen në një moment dhe të thotë se, ai (njeriu) e zbret shiun dhe një prej pesë sekreteve të cilat i ka veçua Allahu të jenë sekrete, ai i ka zbuluar. Këto sekrete përmenden në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“Padyshim se tek Allahu është
- dija e ditës së gjykimit, dhe
- ai e zbret shiun, dhe
- ai e di se çka ka në mitra, dhe
- asnjë njeri nuk e di se çka do të bëjë të nesërmen, dhe
- asnjë njeri nuk e di se në cilën tokë (vend) do të vdes.
Vërtetë Allahu është i ditur, i informuar.” (Llukman : 34)
Ne atij njeriu do t’i themi: Ku je ti në zbritjen e shiut? Ajo zbritje e shiut, është një proces i gjerë dhe i gjatë. Fillon nga oqeanet dhe deri te zbritja e shiut. Edhe nëse i ndihmojnë e tërë bota njëri-tjetrit, nuk mund ta zbresin as edhe një pikë të shiut. Po të kishte pasur mundësi bota të zbresë shiun, do ta bënte që shiu të shkonte vetëm në vendet shkretinore, që ato vende t’i bënte të pëlleshme, ose kur të binte shi i furishëm dhe i fuqishëm do t’i merrte ato re dhe do t’i bartte dhe t’i dërgonte në ndonjë vend tjetër, e të shpëtonin banorët e atij vendi nga vërshimet dhe përmbytjet. Zoti i Lartmadhëruar është Ai i cili e zbret shiun nga qielli dhe atë ujë e pi i tërë njerëzimi, bagëtitë e tyre dhe çdo gjallesë në fytyrën e tokës. Zoti i Lartmadhëruar ka krijuar lumenj të cilët gjatësinë e tyre e kanë me mijëra kilometra. A mundet njeriu që të na e bëj neve një përroskë të vogël në mes të shkretëtirës?!
Është për t’u pikëlluar kur sheh se si njerëzit në vend se ta shfrytëzojnë shkencën në mënyrë të arsyeshme, që t’i shërbej besimit (imanit), kanë shkuar në drejtim krejtësisht të kundërt, e ata e shfrytëzojnë në shërbim të pabesimit dhe ateizmit dhe në vend se të thonë gjithçka ka në gjithësi është nën fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar, ata ia atribuojnë vetes dhe thonë është fuqia jonë.
Përfundimi i temës është se, e tërë gjithësia është krijesë e Allahut, e cila është në shërbim të njeriut dhe gjithësia është statike, nuk ndryshon. Përderisa, sa i përket njeriut, ai ndryshon prej një gjendje në një gjendje tjetër, me ligje të fshehta dhe të panjohura për ne dhe se Zoti i Lartmadhëruar shenjat në gjithësi i ka bërë që të jenë në shërbim të çështjes së besimit (imanit), ndërsa njeriu e ka lakuar drejtimin dhe e ka bërë që të jetë në shërbim të çështjes së pabesimit dhe ateizmit.