Mendja dhe zbulimet shkencore

Muhamed Muteveli Esh-Shaëraviu

Shkëputur nga “Fundi i botës”

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Mendja dhe zbulimet shkencore

 

Prej momentit kur Zoti i Lartmadhëruar e ka krijuar gjithësinë, gravitacioni e ka kryer funksionin e vet. Edhe pse njeriu deri vonë nuk e ka kuptuar këtë çështje, ai prapë e ka luajtur rolin e vet. Po ashtu aparatet e zërimit, etj.. Të gjitha këto kanë qenë dhe janë në shërbim të njeriut, pa marrë parasysh a i di a nuk i di njeriu ligjet e tyre (ligjet natyrore).

Që ta kemi më afër këtë ilustrim në mendjet tona, themi se, ti nëse shkon te një njeri analfabet dhe i thua: Nëse dëshiron që të kesh dritën e ndezur në këtë vend, preke këtë sustë. Kjo mosdije e këtij analfabeti a mos ndikoi që të mos e shfrytëzon dritën e rrymës elektrike, apo të mos i përcjell programet televizive!? Jo! Sepse çdo herë kur të ketë nevojë për dritë, vetëm e prek dhe ajo ndezet. Çdo herë kur të dëshiron të shikoj programet televizive e prek sustën dhe e përcjell TV.

Kështu pra, mosdija në çështjet e rrymës elektrike dhe rregullat e saj, ose mosdija e transmetimit televiziv dhe programeve të saj, nuk është pengesë për përfitim të saj apo shfrytëzimin e saj. Kështu është gjithësia dhe kështu do të mbetet. Sa herë që hulumton mendja e njeriut dhe Allahu ia mundëson t’i zbuloj argumentet e tij në gjithësi, zhvillohet civilizimi njerëzor për përfitim dhe shfrytëzim.

Gjerat, të cilat kanë mundur të realizohen me angazhim dhe mund të madh dhe për një kohë të gjatë, sot mund të realizohen me angazhim të lehtë dhe në periodë të shkurtë. Ai i cili e ka bartë në shpinë thesin me grurë dhe gjatë bartjes së tij prej një vendi në një vend tjetër eshte lodhur shumë, sot ai e bartë me lehtësi me mjete transportuese. Pastaj, njeriu ka perparuar, pasi që ka filluar ti kryej punet me mjete teknologjike dhe jo me mjete mekanike. Zhvillimi  teknologjik me pastaj ia ka lehtesur veshteresite njeriut.

Mirëpo, këto zbulime dhe ky përparim shkencor, a mos shpiki ndonjë materie e cila nuk gjendet në tokë?. Natyrisht se jo!

Zoti i Lartmadhëruar është Ai që vendos për çdo çështje në gjithësi, që prej fillimit të ekzistimit të krijesave dhe deri në ditën e Kijametit. Sa herë që njeriu zhvillohet dhe i kupton argumentet e Allahut në gjithësi, siguron jetë edhe më komode. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Ai është Allahu i cili ka krijuar për ju në përgjithësi gjithë çka ka në tokë.” (El-Bekare : 29)

Fuqinë e Krijuesit dhe pafuqinë e krijesës e shohim për çdo ditë. Për aq sa angazhohet njeriu në shkencë dhe zhvillohet shkencërisht, Allahu i jep atij dhe ia zbulon sekretet të cilat kanë qenë të panjohura më parë për të.

Njeriu nuk krijon diçka të re dhe nuk prodhon gjë tjetër pos asaj e cila veç ka qenë që më parë. Edhe pse ka disa gjëra për të cilat disa njerëz thonë se njeriu është autor i atyre zbulimeve, si f.v.: në bujqësi: drithërat hibride dhe zbulimet e reja të cilat janë në shërbim dhe dobi të njerëzve, si f.v.: prodhimi i aeroplanëve, lëshimi i satelitëve në hapësirë, ose shkuarja në hënë; që të gjitha këto, nuk e kanë fillimin me kohën e zbulimit, këto kanë qenë të realizueshme edhe më parë, por kanë qenë të fshehura për ne, deri në momentin e zbulimit.

Njeriu, për të zbuluar raketë, më parë i është dashur t’i mësoj rregullat e ajrit, e pastaj rregullat e fuqisë e cila i nevojitet raketës, e pastaj… Parashtrohet pyetja: A mos këto rregulla (ligje) nuk kanë qenë në gjithësi dhe hapësirë prej se e ka krijuar Allahu gjithësinë?. Natyrisht se kanë qenë! Ato janë prej krijesave të Allahut prej momentit të parë kur Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë gjithësisë “Bëhu”.

Pa marrë parasysh arritjen e nivelit shkencor, askush nuk mund të thotë se ka krijuar atmosferë të re për tokën ose e ka zëvendësuar me atmosferë tjetër, ose e ka ndryshuar atmosferën e cila e bartë satelitin për ta dërguar mbi tokë, ose që e ka hapur një derë të atmosferës rreth tokës, ashtu që njeriu të kalon nëpër atë derë dhe të shkon në hënë. Askush nuk mund të thotë se vet e ka bërë atë. Allahu është Ai i cili e ka krijuar dhe e ka paraparë të jetë në atë mënyrë, pastaj ia ka bërë të mundur njeriut ta zbulojë dhe ia ka mësuar mënyrën e shfrytëzimit.

Kështu pra, çdo herë kur zhvillohet në jetën e tij njeriu, shtohet dituria e tij për argumentet dhe shenjat e Allahut në gjithësi. Për këtë arsye, Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Prej robërve të Allahut, ata të cilët më së shumti i frikohen Atij, padyshim se  janë dijetarët (shkencëtarët)”. (El Fatir : 28)

Pse duhet që shkencëtarët të jenë ata që më së shumti i frikohen Allahut?

Sepse ata janë të cilët i kanë mësuar dhe i kanë zbuluar disa shenja dhe argumente të Tij në gjithësi. Ato shenja dëshmojnë për Madhështinë e Krijuesit dhe precizitetin e krijimtarisë së Tij. Por për çudi, disa dietere në vend se të bien në sexhde dhe t’i përulen Madhështisë së Allahut, kanë filluar te mburren dhe të tregojnë se si dhe çka kanë zbuluar prej fshehtësive të gjithësisë, thuaja se ata i kanë krijuar vetë. Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:

“Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në veten e tyre, deri sa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kur’an) është e vërteta. Po a nuk po të mjafton ty që Zoti yt është dëshmues për çdo gjë?.” (Fusilet : 53)

Në çdo kohë, në çdo dekadë, dhe në çdo shekull, po e lexojmë ajetin fisnik “Ne do t’ua tregojmë…”, dhe e shohim se ajetet e Allahut të Lartmadhëruar në janë në gjithësinë e Tij dhe në krijesat e Tij deri në ditën e Kijametit.

Patjetër se duhet të ndalemi pak që të shohim se si është vendosur me përpikëri planprogrami i Allahut dhe t’i besojmë ato sepse ato e orientojnë njeriun drejtë besimit. Gjithçka ka në këtë gjithësi është vendosur me urtësi në shërbim të besimit dhe ne drejtim të realizimit të programit të Allahut.

Zoti i Lartmadhëruar e ka zgjedhur planprogramin e jetës për krijesat e tij dhe paralelisht me të ka vendosur “Udhëzuesin” e besimit.

Ne nuk e shohim Zotin e Lartmadhëruar sepse për ne është i padukshëm. Mund të vij ndonjë njeri dhe të thotë: Unë besoj vetëm atë që e shoh.

Ne i themi: Ekzistenca e diçkaje është çështje më vete, ndërsa perceptimi i saj (ekzistencës) është krejtësisht çështje tjetër. T’i marrim si shembull mikrobet, të cilat depërtojnë në trupin e njeriut dhe i shkaktojnë sëmundjen. Këto mikrobe a nuk kanë qenë që nga fillimi i krijimit të krijesave?. Po! Kanë ekzistuar. Mirëpo, për shkak të trupit tepër të vogël të tyre ne nuk kemi mundur t’i shohim. Me kalimin e kohes, shkenca ka përparuar dhe ka zbuluar mikroskope të cilat i zmadhojnë gjërat me qindra e mijëra herë dhe i kane zbuluar.  Por edhe më e rëndësishme se kjo është ajo se, këto mikrobe e kanë luajtur rolin e tyre shumë të rëndësishëm në gjithësi edhe pse ne për to nuk kemi ditur asgjë.

Pasi i zbuluam këto mikrobe, pamë se: ato janë në kulminacion të imtësisë dhe se kanë ligje të veçanta të cilat janë të posaçme për ta. ato kanë role në gjenerimin e tyre, në shumëzim dhe kalimin e tyre prej një gjenerate në gjeneratë tjetër.

Ne mund të djegim lëkurën tonë, por nuk mundemi të ndjejmë prezencën e tyre. Ne mund të shikojmë në enët e gjakut, por nuk mund të ndjejmë prezencën e tyre, sepse nëpërmjet qumështit të nënës, nëpërmjet gjidhënies hyn në gjak (të fëmijës), pastaj shtohen aty dhe aty zhvillohet betejë ndërmjet tyre dhe rruazave të bardha të gjakut, etj., deri te gjërat tjera të cilat i kemi zbuluar dhe i dimë.

Parashtrohet tani një pyetje: A mos janë krijuar këto mikrobe në momentin kur i kemi zbuluar?!

Përgjigja është: Jo! Ato kanë ekzistuar prej se janë krijuar, mirëpo ne nuk e kemi ditur, me fjalë tjera nuk e kemi perceptuar (kuptuar) ekzistencën e tyre. Kështu është me çdo gjë tjetër në gjithësi, me atmosferën, apo me ajrin i cili e transmeton tani zërin dhe fotografitë dhe e bën shpërndarjen e tyre në tokë për pak sekonda, saqë edhe ti në shtëpinë tënde mund ta shohësh drejtpërdrejtë se si ngritet njeriu në hënë dhe zbret  në të, dhe gjithë këtë ngjarje të rëndësishme e sheh në shtëpinë tënde e cila është larg kësaj ngjarje me mijëra kilometra.

Pyetja është: A mos njeriu e ka shtuar një atmosferë tjetër të veçantë për transmetimin e zërit dhe fotografive rreth tokës për disa sekonda?

Natyrisht se, përgjigja është negative (Jo!). Atmosfera është po ajo atmosferë e cila ka qenë dhe po me ato specifika të cilat i ka pasur edhe më parë.  Por, per ne kane qene ter panjohura deri ne momentin e e koheve te fundit kur i kemi zbuluar ato specifika sikurse bie fjala me zbulimin e fluturimit te aeroplanëve ne hapsiren qiellore , me gjithë njerëzit dhe mallrat me barrë të rënd ne hapsire.

Kështu pra, që kur i ka krijuar Allahu i Lartmadhëruar, të gjitha keto specifika kanë ekzistuar në gjithësi por ne nuk i kemi zbuluar vetëm se në momentin kur Allahu ka dhënë leje për zbulimin e tyre, dhe që nga ai moment na është shfaqur, dhe ne pasi qe  kemi mësuar i kemi shfrytëzuar. E gjithë kjo është bërë që të jetë në shërbim të çdo gjallese në gjithësi për çështje të besimit.

Nëse një njeri vjen dhe thotë: Ne nuk po e shohim Zotin, e si ta besojmë?

Ne i përgjigjemi: Zoti i Lartmadhëruar na ka dhënë argumente të mjaftueshme në gjithësi të cilat na bindin thellësisht se mund të ekzistojnë gjëra edhe pse për ne janë të padukshme. Patjetër se kjo situatë i ndihmon shkencës që më shumë të na e sjellë pranë çështjen e besimit (imanit). Sa herë që Allahu na zbulon diçka, ne themi: Allahu i Lartmadhëruar është Ai i cili e ka krijuar, e ka shpikur dhe e ka formësuar.

Mirëpo, në vend se shkencën ta marrim si çështje e cila na afron shumë e më shumë me besimin, përkundrazi ne kemi krijuar bindje se te këto gjëra ne vet kemi arritur dhe ne i kemi zhvilluar në gjithësi dhe janë prodhim i yni. Meritat ia kemi atribuuar vetes tonë, në vend se t’ia atribuojmë Krijuesit absolut të atyre zbulimeve dhe çuditërisht njerëzit kanë filluar ta shfrytëzojnë shkencën për ta luftuar besimin (imanin), por, e vërteta është se shkenca është vërtetues i besimit (imanit).

Lini një koment