Çka është shpirti?

Muhamed Muteveli Esh-Shaëraviu

Shkëputur nga “Fundi i botës”

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

 

Çka është shpirti?

 

Nëse na kërkohet ta definojmë shpirtin, ne themi: “Është ai sekreti i Zotit, i cili i jep jetë materies.” ose ajo është dëshirë e Allahut të Lartmadhëruar për të na dhënë jetë (ngjallë), dhe nëse Allahu e largon këtë dëshirë, merr fund jeta e kësaj bote. Vdekja nuk është fundi i udhëtimit, por është fundi i një faze të atij udhëtimi dhe fillimi i një faze të re. Ajo ka rregullat dhe ligjet e saj të jetës, të cilat i di vetëm Allahu.

Ne edhe më herët e kemi sqaruar se Brenda një çasti të vetëm, njeriu kalon prej një ligji në një ligj tjetër.

Kur njeriu e vendos trupin në dysheme dhe kokën e tij në jastëk, që nga momenti kur e zë gjumi, kalon prej një ligji në një ligj tjetër, këtë veç e kemi sqaruar.

Kur zgjohet nga gjumi, menjëherë kalon prej ligjit të gjumit në ligjin e zgjimit. Që të dyja ndryshojnë nga njëra-tjetra.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka sqarua se kohëzgjatja e jetës së kësaj bote në krahasim me botën tjetër është afatshkurte. Kohëzgjatjen e kësaj jete e ka krahasuar me udhëtarin i cili qëndron një kohë të shkurtë nën hijen e një peme dhe pastaj vazhdon rrugën. Me këtë na ka pasqyrua në mënyrë precize për kohëzgjatjen e shkurtë të kësaj bote, në krahasim të rrugëtimit të gjatë. Muhamedi s.a.v.s. ka thënë:

“Çka kam unë në këtë botë dhe çka jam unë në këtë botë?. Kjo botë është sikur një kalorës i cili pushon nën hije të një lisi dhe vazhdon rrugëtimin dhe e lë pas vete atë hije.”

Njeriu gjithmonë ka qenë kureshtar për të ditur çështjen e shpirtit, bile jehudët e kanë pyetur edhe të dërguarin e Allahut s.a.v.s. për shpirtin dhe si i jep shpirti jetë trupit? Ata kanë menduar se Muhamedi s.a.v.s. do të jep mendim të tij personal, e kanë dashur që pastaj ta akuzojnë Pejgamberin s.a.v.s. me mossinqeritet.

Për këtë arsye ka zbritur ajeti prej Zotit të Lartmadhëruar:

“Dhe të pyesin ty për shpirtin? Thuaj: Shpirti është prej çështjeve të Zotit tim, ndërsa prej diturisë juve u është dhënë vetëm pak.” (El Isra : 85)

Kjo nënkupton se edhe në të ardhmen shpirti do të mbetet sekret prej sekreteve të Allahut dhe ne nuk do të dimë për të deri në ditën e gjykimit. Mirëpo, duhet ditur se shpirti i cili është i padukshëm për ne, është çështje që Zoti i Lartmadhëruar e ka bërë argument për besimin (imanin), është forcë e cila na tregon për Fuqinë e Allahut të Lartmadhëruar e cila na mëson si të shkojmë drejt besimit (imanit), që ne të bindemi në Ekzistencën e Zotit, Krijuesit të gjithësisë. Të bindemi thellësisht në krijimin tonë dhe të gjithësisë.

Shpirti, edhe pse jeton në trupin tonë, trupi ynë nuk di asgjë për të. Nuk e di se si ka hyrë, nuk e di se si del, ku e ka vendin (ku qëndron) dhe në cilën pjesë të trupit gjendet:

  • A është në mendjen e cila i jep udhëzime çdo pjese të trupit që të lëvizë?
  • Apo mos është në zemrën e cila formësohet deri sa embrioni është në barkun e nënës dhe vazhdon të qëndron pa dëshirën tonë deri sa të përfundon jeta?
  • Apo mos është në dorën me të cilën punojmë?
  • Apo në këmbët me të cilat ecim?
  • Apo në sytë me të cilat shohim?
  • Apo në veshët me të cilat dëgjojmë?
  • Apo në gjuhën me të cilën flasim?

Pra, ku është shpirti?!

Lini një koment