Dr. Musli Vërbani
Mirazi, haram apo farz
Fjala miraz në gjuhën e popullit kuptohet si diçka e zymtë, e keqe dhe diçka për të cilën mallkohesh. Thuhet: “E ka ngrënë mirazin, për këtë arsye nuk ja ka pa hajrin.”
E, në të vërtetë, duhet të ishte e kundërta sepse kush nuk ja jep mirazin tjetrit nuk ja sheh hajrin, e jo ai (ajo) i cili e ka marrë mirazin sepse ata (ato) të cilët nuk e kanë dhënë mirazin e kanë ngrënë haram sepse mosdhënia e së drejtës së mirazit është haram. Zoti i Lartmadhëruar e ka quajtur mirathin farz, kurse dijetarët e quajnë ilmul feraid, me fjalë tjera, shkenca strikte dhe e obligueshmërisë.
Sa e sa motra nuk e kanë marrë dhe nuk e marrin mirazin!?
Sa e sa vajza nuk e kanë marrë dhe nuk e marrin mirazin!?
Sa e sa nëna nuk e kanë marrë dhe nuk e marrin mirazin!?
Kjo është rezultat i së drejtës zakonore shqiptare, ku gruaja nuk mund të jetë trashëgimtare as në shtëpinë e babait, as në shtëpinë e burrit.
Janë të panumërta vajzat dhe motrat të cilat nuk e kanë marrë mirazin (trashëgiminë) dhe nuk e marrin ende, sepse u thuhet se “nëse e merrni mirazin nuk e keni të drejtën e së pames në shtëpi të babës apo të vëllezërve”. Duhet të dimë se mirazi i tillë i cili njihet në popull buron nga jomuslimanët, qoftë prej ligjeve zakonore apo kanuneve joislame dhe termi “miraz” është përdorur si term përbuzës për shkak se vajzat konsiderohen të një rangu më të ulët se sa meshkujt, si shembull sjellim Kanunin e Lumës në të cilin thuhet: “Trashëgimtarë të radhës së parë janë djemtë, e jo vajzat.” Mirëpo, sipas këtij kanuni nëse i vdekuri nuk kishte djem, por vajza të martuara, vajzat thirreshin si trashëgimtare të radhës së dytë dhe konkurronin së bashku me kushërinjtë e tyre. Sipas këtij kanuni, pjesa e vajzave në pasurinë e të atit quhet miraz dhe përbëhej nga një e dyta, një e treta dhe një e pesta e tokës.
Kështu, te shqiptarët termi “miraz” përdoret vetëm në formë nënçmuese, pasi supozohet se vajza e martuar kërkon pjesë për t’ia bashkëngjitur burrit të saj.
Mosdhënia e mirazit vajzave është bërë zakon, dhe në rast se ajo e kërkon atë, vëllezërit i thonë atyre: “Nëse kërkoni hise, nuk keni të pame në shtëpitë tona.” E veprimi i tillë u është ngulitur në kokë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, në të cilin thuhet: “Djemtë kanë hise, kurse vajzat nuk marrin hise për shkak se ato martohen dhe krijojnë familje diku tjetër. Vëllezërit i marrin në pushime. Ato kanë të drejtë dy herë në vit (për pushime) nga dy javë apo nga një muaj.”
Mirazi i prindit për vajzë nuk i takon burrit të gruas por ajo e mban në pronësi të vet sikurse e mban mehrin. Gruaja disponon me pasurinë e saj te burri i saj në mënyrë të pavarur dhe sikurse i kryen në mënyrë të pavarur namazet dhe agjërimin ashtu në mënyrë të pavarur i kryen edhe obligimet materiale siç janë, zekati, haxhi, etj. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë dashamirë të njëri-tjetrit, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe e japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i Urtë.” (Et Tevbe : 71).
Ajo çka ka ndikuar më së shumti që vajzat të mos e marrin mirazin ka qenë dëshira që dhëndëri të mos bëhet banorë në mes të miqve, mirëpo e kundërta ka qenë me Muhamedin a.s., sepse Muhamedi a.s. ka dashur që të blej një pronë afër shtëpisë së tij, me qëllim që vajza e tij Fatimja r.a. të afrohej më afër shtëpisë së tij me qëllim që ta vizitonte më shpesh dhe të vizitohej nga ajo.
Feja islame i ka dhënë të drejtë trashëgimie gruas, vajzës, nënës, gjyshes, vajzës së djalit, motrës, motrës nga nëna, motrës nga babai, etj., dhe i ka radhitur në radhët e trashëgimtarëve të domosdoshëm andaj shkenca e trashëgimisë quhet “shkenca e përcaktuesit dhe e farzit”.
Në islam, në shkencën e “përcaktuesit dhe farzit” (trashëgimisë) janë të paraparë tri peshoja.
Peshoja e parë është shkalla e afërsisë.
Dihet se çdo person, në këtë rast edhe nga femrat, ka shkallë të largësisë dhe të afërsisë.
- Sa më i afërt të jetë trashëgimtari, pjesa e trashëgimisë është më e madhe, pa marrë parasysh a është mashkull apo femër.
- Sa më i largët të jetë trashëgimtari, pjesa e trashëgimisë është më e vogël pa marrë parasysh a është mashkull apo femër.
Peshorja e dytë është gjenerata e paraardhësve dhe pasardhësve.
Njeriu është në mes të dy gjeneratave.
- Gjenerata e paraardhësve: baballarët/nënat dhe gjyshërit/gjyshet; dhe
- Gjenerata e pasardhësve: djemtë/vajzat dhe nipat/mbesat.
Gjenerata pas jetës së tij, djemtë dhe vajzat, nipat dhe mbesat, marrin pjesë më të madhe (sepse ata kanë nevojë më shumë për mjete materiale).
Gjenerata para jetës së tij, baballarët dhe nënat, gjyshërit dhe gjyshet, marrin pjesë më të vogël (sepse kanë nevojë më pak për mjete materiale kundrejt pasardhësve).
- Vajza si pasardhëse, trashëgon më shumë se nëna që është paraardhëse, ndërsa që të dyja janë femra dhe që të dyja janë të lidhura drejtpërsëdrejti me trashëgimlënësin;
- Vajza, si femër, trashëgon edhe më shumë se baba dhe gjyshi, të cilët janë pasardhës edhe pse të dy janë meshkuj.
Peshorja e tretë ka të bëjë me përkujdesjen obligative të paraparë nga sheriati islam.
Islami e obligon mashkullin (burrin) që të përkujdeset për ushqimin, veshmbathjen dhe vendstrehimin e femrës (gruas). Për këtë arsye, për të mos u dëmtuar mashkulli, është paraparë që të marrë pjesë të dyfishtë kundrejt femrave. Ka raste kur femra trashëgon barazi me mashkullin, sikurse e kemi rastin kur baba dhe nëna trashëgojnë hise të barabarta kur i vdekuri lë pas vete fëmijë, qoftë mashkull, qoftë femër. Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë: “Kurse prindërve, çdonjërit prej tyre i takon një e gjashta që ka lënë (i vdekuri), nëse ka fëmijë.” (Nisa : 12). Pra, edhe baba edhe nëna marrin pjesë të barabarta nëse i vdekuri lë fëmijë. Pra në këtë rast gjinia femërore trashëgon barazi me gjininë mashkullore.
Krejt në fund, le të dihet se fjala miraz e cila përdoret në popull është fjalë e cila e ka burimin prej fjalës arabe mirath që do të thotë trashëgimi, por në praktikë edhe sot e kësaj dite kjo trashëgimi (miraz) po gjen vështirësi në zbatimin e tij.
.