Dinamika dhe Statika

Muhamed Muteveli Shaëraviu

Shkëputur nga “Fundi i botës”

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

 

Dinamika dhe Statika

 

Çështjes së përfundimit të botës i është dhënë rëndësi e veçantë nga shkencëtarët, bile për të kanë folur edhe magjistarët e injorantët. Secili prej tyre është munduar që të jep analiza për kohën e sodit apo për kohën në të cilën po kalon bota në të cilën jetojmë.

Të gjitha teoritë shkencore të cilat janë thënë apo thuhen, baza e tyre është vetëm hipotetike, imagjinare dhe nuk jopraktike. Kjo nga shkaku se kapaciteti i diturisë njerëzore në këtë çështje është i kufizuar dhe nuk mund të arrij në dituri të sigurt.

Astronomia është ende një fëmijë i cili sapo ka filluar të rritet. Edhe pse zbulimet më të reja shkencore të njeriut kanë arritur pikën kulmore, ne prapë u themi: Ekzistojnë yje dhe planetë, të cilët janë larg tokës, në largësi të miliona viteve të dritës, por edhe më larg. Sa i përket qiellit, atë çka ne e njohim për të, është shumë e vogël në krahasim me atë çka nuk e dimë. Zoti i Lartmadhëruar në Kur’anin fisnik na ka lajmëruar se qiell është çdo gjë që është mbi ne. Qiell nënkupton çdo gjë që të mbulon dhe që është mbi ty. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë.” (Edh-Dharijat : 47) Në këtë rast, zgjerimi nuk ka të bëjë me atë çka e parasheh njeriu, por atë çka e ka në fuqi Zoti i Lartmadhëruar, për këtë arsye, çdo herë kur shkencëtarët mendojnë se kanë arritur në fund të një teorie, e bëjnë një zbulim të ri i cili është në kundërshtim me atë çka kanë deklaruar më parë, sepse para tyre paraqiten dimensione (kosmose) të reja. Teoritë e tyre ndryshojnë për çdo vit. Prej tyre vërtetohet vetëm ajo se, kanë menduar se kanë arritur tek e vërteta, mirëpo në realitet ata nuk kanë arritur askund.

Nëse i vështrojmë magjistaret dhe parashikuesit, do të shohim se ata, për çdo vit apo për çdo dekadë lajmërojnë se fundi i botës do të ndodh në këtë apo në atë ditë. Është interesant se shumica e njerëzve u besojnë atyre edhe pse ata nuk kanë njohuri shkencore.

Ka ndodhur në Amerikë, që një parashikues ka lajmëruar (ka parashikuar) se fundi i botës do të jetë në filan ditën dhe njerëzit i kanë besuar dhe i kanë lënë shtëpitë e tyre dhe janë ngjitur në lartësitë më të larta të kodrave, duke menduar se atje do të jenë të sigurt dhe do të shpëtojnë. Natyrisht, ajo ditë ka kaluar dhe nuk ka ndodhur asgjë. Dhe tek atëherë, njerëzit e kanë kuptuar se janë mashtruar.

Ekzistojnë me dhjetëra e dhjetëra parashikues hindusë dhe të tjerë të cilët për fundin e botës kanë dhënë parashikime interesante dhe që të gjitha me vonë kanë dalë të jenë gabim. Këto parashikime nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me logjikën dhe shkencën, por kanë qenë (dhe do të jenë) vetëm parashikime false me të cilat synohet fitimi i pasurisë. Kjo për shkakun se fundin e botës nuk e di askush tjetër pos Allahut të Lartmadhëruar dhe këtë lajm Ai nuk ia ka treguar askujt, bile as melaqeve më të afërta të Tij.

Para se të fillojmë bisedën për temën, patjetër duhet të flasim për statikën dhe dinamikën (të ndryshueshmen).

Statika është bota të cilën Zoti i Lartmadhëruar e ka krijuar për njeriun. Këtë hapësirë kozmike, prej tokës deri në qiell, Zoti i Lartmadhëruar e ka bërë që të jetë e nënshtruar (në shërbim) për njeriun, që të veprojë sipas ligjeve (të fizikës) të cilat nuk ndryshojnë, përderisa njeriun, për të cilin është krijua gjithësia, e ka bërë që të jetë i ndryshueshëm.

Njeriu ndryshon, prej fortësisë së tij në dobësi, prej shëndetit në sëmundje, prej aftësisë në paaftësi, prej jetës në vdekje, prej gjendjes së shëndoshë psikike në sëmundje psikike.

Ndryshimet e njeriut në jetën e tij, kalojnë prej një faze në fazën tjetër, kurse gjithësianga natyrshmëria e tij është statike dhe nuk ndryshon.

Nëse i bëjmë një vështrim ndryshimit i cili i ndodh njeriut, shohim se ky ndryshim ndodh në bazë të një ligji të cilin nuk e dimë (nuk e njohim). Kalimi i njeriut prej gjendjes së shëndoshë në sëmundje, ose prej aftësisë në paaftësi, ose prej gjallërisë në të vdekur, të gjitha këto çështje në përgjithësi nuk dihen se kur ndodhin. Kjo nënkupton se ne nuk mund ta përcaktojmë se kur njeriu do të kalon prej gjendjes së shëndoshë në gjendje të sëmundjes, sepse po të dinim t’i përcaktojmë ligjet e saj (ndryshimit), ndoshta do të kishim mundur ta pengojmë dhe ta ndalim.

Ai është ligj sekret për ne dhe për këtë dijetarët thonë:
Medicina nuk mund të arrij deri aty, por vetëm deri te ligji i supozuar, i cili ndërtohet në bazë të statistikave të cilat japin disa mendime, por ato janë vetëm mendime dhe nuk janë të vërteta shkencore.

Mirëpo, parashtrohet pyetja: Pse njeriu është dinamik (i ndryshueshëm), përderisa gjithçka tjetër që është krijuar për të i nënshtrohen ligjeve të fizikës (ekzakte) dhe janë të pandryshueshme?.

Përgjigjja është se: kjo gjithësi është krijuar për të (si lloj), për t’ia plotësuar mjetet dhe nevojat e ekzistencës dhe nuk është krijuar vetëm për një gjeneratë dhe që ajo gjithësi të përfundoj me përfundimin e asaj gjenerate. Por (gjithësia) është krijuar për të gjitha gjeneratat deri në ditën e Kijametit. Kështu që gjithësia pranon gjeneratë pas gjenerate dhe për të gjitha gjeneratat vlejnë të njëjtat ligje.

Prej Ademit a.s. e deri më sot, nëse në tokë e mbjell farën, e ujit dhe kujdesesh për të, në bazë të sezoneve të saj jep fryte dhe ia plotëson (njeriut) nevojat ushqimore.

Prej kohës së Ademit a.s. e deri më sot, asnjëherë nuk ka refuzuar toka që të jep të vjela, të korrura dhe fryte. Asnjëherë nuk ka thënë se do të jap fryte për këtë gjeneratë dhe nuk do te jap fryte për gjeneratën tjetër e cila vjen pas saj, por e njëjtë ka qenë për secilën gjeneratë.

Dielli, prej kohës së Ademit a.s. e deri më sot lind me llogaritje precize dhe perëndon me llogaritje precize dhe ne nuk dimë se ndonjëherë ka ndodhur që ai (dielli) të ketë rrezatuar për një gjeneratë dhe të mos ketë rrezatuar për një gjeneratë tjetër.

Po ashtu, shiu dhe qielli, dhe mjetet e tjetra të jetës, që të gjitha funksionojnë (shërbejnë) për secilën gjeneratë dhe kurrë nuk kanë ndryshuar. Këtë e tregon edhe thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “Dielli dhe Hëna, lëvizin në bazë të llogaritjeve precize.” (Err-Rrahman) Kjo do të thotë se (dielli dhe hëna) lëvizin në mënyrë precize, duke mos ndryshuar as për një sekondë.

Kjo pra, tregon se kemi:

  • të krijuar; dhe
  • të krijuar për të krijuarën.

E krijuara për të cilën janë krijuar sendet është njeriu. E shohim se ndryshon dhe transformohet prej një gjendje në një gjendje tjetër. Ai ndryshon, por qenia (të qenurit) e tij vazhdon të mbetet. Që nënkupton se, ai është i gjallë në gjendje të ndryshme. Pastaj pas kësaj ndryshon me zhdukjen e tij pas vdekjes së tij. Këto ndryshime nëpër të cilat kalon njeriu, pa marrë parasysh gjatë jetës së tij apo pas vdekjes së tij, nuk kanë kufij apo llogari fikse, as gjendje dhe as shkaqe fikse. Ato janë ligje dhe rregulla të panjohura për ne.

Lini një koment