Dr. Vehbetu Zuhejli
Shkëputur nga “Usuli fikhu islam”
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Definicioni i kijasit
Kijas dhe Mekjisë janë infinitivë që kanë kuptimin e masës. Thuhet “çështje krahasuese”, që nënkupton llogaritjen e çështjeve me anën e mendjes.
Gjuhësisht, esenca e kijasit është: përcaktim, që ka për qëllim përcaktimin e vlerës së një çështjeje. Thuhet: E kam matur tokën (gjatësinë) me metër, që do të thotë e kam mësuar masën e tyre.
Përcaktimi, matja: kur të bëhet në mes të dy çështjeve, atëherë është bërë barazimi në mes tyre. Në përcaktim (matje) barazimi është i patjetërsueshëm.
Ndonjëherë “kijasi”, si shprehje, përdoret për krahasimin në mes të një sendi me një send tjetër. Thuhet: krahasova dy shtyllat, që do të thotë: i mata që të dyja, që ta kuptojë gjatësinë e njërës në krahasim me tjetrën.
Në fund, kijasi më së shumti përdoret për barazinë në mes të dy çështjeve, pa marrë parasysh a është konkrete, si p.sh. E mata këtë shkop me këtë shkop; ose këtë libër me atë libër; ose abstrakte, si p.sh. filani nuk krahasohet me filanin, që ka për qëllim: nuk matet me tjetrin; ose p.sh. Zejdi krahasohet me Bekrin dhe, po ashtu, Omeri krahasohet me Bekrin. Njohja e rezultatit në këtë rast nuk ka të bëjë me aspektin fizik, por krahasimi ka të bëjë me një aspekt tjetër, sepse barazia e barazisë së një sendi është i barabartë me barazinë e asaj çështjeje.
Në shkencën e logjikës kijasi është dy llojesh:
- Kijasi i krahasimit: Është kijasi, i cili tregon për rezultatin pa mjete përjashtuese, siç është “mirëpo”, si p.sh.: Çdo njeri është gjallesë dhe çdo gjallesë është trup. Rezultati i kësaj del se çdo njeri është trup; Shembull tjetër: Çdo gjë dehëse është e ndaluar dhe çdo pije alkoolike është dehëse. Nga kjo rezulton domosdoshmërisht se çdo pije alkoolike është e ndaluar. Quhet kijas krahasues, sepse krahason çdo pjesë participuese.
- Kijasi përjashtues ose kushtëzues: Është kijasi, i cili tregon për rezultatin përfundimtar ndërmjet mjeteve përjashtuese, siç është “mirëpo”, e cila njihet si mjet i identifikimit. Shembull: Deri sa të ketë diell, dita është prezente; por dielli lindi, për këtë arsye dita është prezente. Quhet përjashtuese, sepse përmban pjesëzën përjashtuese “por”.
Kijasi, të cilën e determinojnë usulistët, nuk është kijasi, të cilën e determinon shkenca e logjikës, por e marrin vetëm si shembull për të treguar se është i domosdoshëm ekzistimi i dy çështjeve, për shkak se njëra është e barabartë me tjetrën.
Usulistët kanë paraqitur shumë definicione të kijasit, e prej tyre do t’i përmendi vetëm dy:
Definicioni i parë: Definicioni i Kadiut Bakilani, të cilin e përkrahin shumica dërmuese e Shafiijve: Është bartja e të njohurës në të njohur për të vendosur ligjin për ta, ose për të eliminuar ligjin prej tyre në bazë të një pike të përbashkët të tyre në ligj apo në lloj të ligjit.
Ky definicion është kritikuar për shkak të përsëritjes në të, sepse tregon për bartjen e të njohurës: Vendosjen e një ligji në ligj tjetër. Po ashtu, është e pa pranueshme “vendosjen e ligjit në ta” sepse njëra prej tyre është identike me tjetrën.
Definicioni i dytë: Definicioni i Sadr Sheriat bin Mes’udit: Bartja e dispozitës prej bazës tek dega, për arsye të shkakut të njëjtë, e cila nuk mund të perceptohet vetëm prej shkakut. Definicionit i ka bashkëngjitur “prej shkakut” për të përjashtuar nga definicioni ixhmain dhe tregueshmërinë e tekstit, sepse këta janë ligj në vete, pa ndërmjetësim të kijasit.
Ky definicion është kritikuar, sepse nuk përfshin kijasin e të panjohurës në të panjohur. Dihet se kijasi derivon edhe në të njohurën edhe në të panjohurën. Shkaku se definicioni nuk i ka përfshirë është se dy fjalët “bazë” dhe “degë” janë dy çështje të njohura, sepse “baza” është term në të cilën ndërtohet diçka tjetër, ndërsa “dega” është term, i cili ndërtohet në diçka tjetër. “E pa ekzistuara” është term, i cili tregon për mosekzistencën e diçkaje. Kijasi në mes të dy paekzistuarave, si p.sh.: Kijasi i njeriut të rritur pa mend, për shkak të çmendurisë me fëmijën pa mend, për shkak se nuk ka mend, e te të dy rezulton mosobligueshmëria, sepse fëmija është i paaftë për të kuptuar obligimin. Duke pasur parasysh se që të dy definicionet janë kritikuar, unë kam zgjedhur definicionin tjetër, i cili është: Të transmetuarit e një çështjeje të pa tekstualizuar, e cila është ligji i sheriatit në çështje të tekstualizuar, si ligji i sheriatit, për shkak të pikbashkësisë në shkakun e ligjit. Me fjalën “transmetim”kemi për qëllim shpalosjen apo paraqitjen e ligjit dhe nuk është qëllimi vendim ligji apo themelim ligji, sepse ligji është vendosur në të analoguarën, para se të bëhej analogjizmi; pra, vetëm është vonuar paraqitja e saj deri te shpalosja e tij, deri te zbulimi i shkakut prej muxhtehidit, ashtu siç është te e analoguara. Për këtë arsye kanë thënë:
- Kijasi është zbulues i ligjit, jo vendosës i tij.
- Shkaku është baza e ligjit.
- Puna e muxhtehidit është zbulimi i ligjit te dega, për shkak të shkakut të përbashkët në mes të ligjit analogues dhe ligjit të analoguar.
“Rruga e shpalosjes apo e zbulimit” është rruga kur të vijë teksti në Kur’an apo sunet mbi ndodhjen e një ligji dhe muxhtehidi e kupton shkakun e ligjit. Pastaj, i njëjti shkak vërehet në një ndodhi tjetër dhe bindet se ligji është i njëjtë te të dy ndodhitë, i cili nuk është tekstualizuar; kjo atëherë quhet transmetim – Kijas. Shembuj:
- Zoti i Lartmadhëruar me ajet e ka ndaluar alkoolin: “Vërtet, alkooli dhe kumari…” Muxhtehidi e ka kuptuar se shkak i ndalesës është dehja, të cilën do ta sqarojmë te rruga e shkakut, sepse rezulton në dëmtimin në këtë botë dhe në fe, si fjala vjen: urrejtja dhe armiqësia në mes njerëzve dhe dëmtimi personal për shkak të dehjes. Gjatë elaborimit, muxhtehidi e vëren se dehja realizohet prej çfarëdo pijeje alkoolike. Andaj, çfarëdo pije alkoolike është e ndaluar që të konsumohet. Vera është bazë, pija alkoolike është degë, ligji është ndalesa, shkaku është i njëjtë, e ai shkak është dehja.
- Muhamedi a.s. ka ligjësuar se vrasja bëhet pengesë për trashëgimi, kur ka thënë: Vrasësi nuk trashëgon.
Shkaku: Përshpejtimi i çështjes para fuqizimit bëhet shkak i ndalimit për atë çështje. Ky shkak (arsyetim) është i ngjashëm tek testamentlënësi dhe i testamentuari. Kështu bëhet analogjia e trashëgimisë me testamentin në rast të vrasjes dhe i ndalohet të testamentuarit (vrasës) të marrë pasurinë e testamentlënësit, ashtu siç i ndalohet trashëgimtarit të marrë pasurinë e trashëgimlënësit.
- Muhamedi a.s. e ka ndaluar lejimin me të fejuarën, e tjetrit kur ka thënë: Askush të mos blejë sendin, të cilin veç e ka blerë (është në pazar) vëllai i tij, dhe as të mos fejojë të fejuarën e vëllait të tij.
Shkaku: Nënçmimi i blerësit dhe të fejuarit të parë dhe nxitja e urrejtjes dhe mbjellja e armiqësisë. Kjo realizohet te qiramarrja e vëllait me qiradhënien e vëllait tjetër. Kështu, ndalohet, në bazë të kijasit të ndalimit, të fejuarit me të fejuarën e tjetrit. Kjo është barazimi i dy ngjarjeve në një ligj, ose bartja e njërës te tjetra, ose ligjësim i ri (i ngjashëm), ose vendim i njëjtë, ose i përbashkët, ashtu siç është e përmendur në definicionin e dijetarëve. Në aspekt të përgjithshëm, të gjitha këto shprehje janë sinonime, ndërsa te ekspertët e shkencës së usulit quhet kijas.