Çka duhet të dimë rreth largimit të dëmit?

Dr. Musli Vërbani

Çka duhet të dimë rreth largimit të dëmit

 

Njeriu, i krijuar si qenie e lirë në natyrë, ballafaqohet në jetën e tij me shumë vështirësi. Vështirësitë e tij janë të natyrave të ndryshme. Për largimin e atyre vështirësive nevojitet urtësi. Ka dallim në mes të urtësisë dhe diturisë. Përderisa dituria të mëson të mirën dhe të keqën, atëherë urtësia të mëson ta dallosh një të mirë më të mirë prej dy të mirave apo një të keqe më të vogël prej dy të këqijave.

Është e domosdoshme që dëmi të largohet, mirëpo në rend të parë duhet të dimë se çka është domosdoshmëri. Domosdoshmëria është çështja apo veprim prej të cilës varet jeta e njeriut si për këtë botë ashtu edhe për botën tjetër, ashtu që nëse mungon kjo domosdoshmëri, vihet në rrezik jeta në këtë botë, zhduken të mirat dhe fitohet ndëshkimi në botën tjetër.

Sheriati parasheh lehtësim dhe përkujdeset për parimin largimi i dëmit dhe i vështirësive sepse rregulli i fikhut është dëmi duhet të mënjanohet. Dhe largimi i dëmit është obligim.

Ky rregull tregon se, nëse dëmi veçse ka ndodhur, ai duhet të mënjanohet, mirëpo nga ky rregull rezultojnë edhe rregullat e tjera e prej atyre është edhe ky: Dëmi nuk mënjanohet me të njëjtin dëm, e mos të flasim që të mënjanohet me dëm edhe më të madh.

Po ashtu, duhet ditur se dëmi individual duhet të përballohet për t’u mënjanuar dëmi i përgjithshëm apo kolektiv.

Po ashtu edhe dëmi më i madh mënjanohet duke shkaktuar dëm më të vogël. Kur dy të këqija ndodhen në të njëjtën kohë lejohet që të veprohet e keqja më e vogël për të larguar të keqen më të madhe, si p.sh.:

  • Lejohet të pranohet shpërblimi për thirrje të ezanit sepse po të mos thirret ezani, atëherë dëmi do të ishte edhe më i madh.
  • Lejohet të pranohet shpërblimi për imam (edhe pse është i ndaluar pranimi i pagës për imam) sepse po të mos kishte imam, atëherë e keqja do të ishte edhe më e madhe.
  • Lejohet të jepet mësim të fikhut me pagesë edhe pse në përgjithësi është i ndaluar pranimi i pagesës për mësim të fikhut, por lejimi bëhet sepse po të mos kishte mësues të fikhut atëherë e keqja do të ishte edhe më e madhe.

Sa i përket largimit të dëmit, ai duhet të ketë prioritet nga sjellja e dobisë. Andaj rregulli i fikhut është: Ka prioritet largimi i dëmit kundrejt sjelljes së dobisë. Kjo nënkupton se, nëse në të njëjtën kohë paraqitet edhe dëmi edhe dobia, atëherë i jepet përparësi largimit të dëmit e jo sjelljes së dobisë së atij momenti.

Njeriu mund të ballafaqohet me vështirësi ku i kanoset rreziku i ekzistencës së tij, atëherë të lejuarit e të ndaluarës në rast nevoje është domosdoshmëri sepse nuk ka obligim në rast pamundësie, ashtu siç nuk ka ndalesë (haram) në rast domosdoshmërie. Ky rregull ndërtohet mbi bazat e përgjithshme të Kur’anit nga ajeti kur’anor: “Allahu nuk e ngarkon (obligon) njeriun më shumë se sa ka aftësi ai.”

Ndërsa pjesa tjetër e rregullit: Nuk ka ndalesë në rast domosdoshmërie. Rezulton nga pjesa e ajetit kur’anor: “Dhe kush është i detyruar (dhe hanë mishin e derrit, cofëtinën, mishrat e ndaluar ) pa dëshirën e tij dhe nuk tejkalon, nuk ka mëkat për të.” Për këtë arsye dijetarët kanë thënë: Absurde është të obligohet njeriu të bëjë të pamundurën. Nëse njeriu ka uri vdekjeje dhe gjen dy dele dhe prej atyre deleve njëra është e prerë dhe tjetra e ngordhur, në atë rast ai i jep përparësi njërës prej tyre edhe pse njëra dele është e lejuar, ndërsa tjetra është e ndaluar sepse të larguarit nga e ndaluara (harami) ka përparësi nga të afruarit e së lejuarës (hallallit).

Në fund e kemi rregullin: domosdoshmëria i lejon të ndaluarat deri sa të zgjat ajo domosdoshmëri, kjo do të thotë se kur të tejkalohet ajo domosdoshmëri kthehet rregulli në bazën e saj, shembull, nëse një mësuese në kohën e menstruacionit e ka ndaluar ta prek mus’hafin, mirëpo në orën kur ajo i mëson fëmijët ajo gjatë asaj ore e ka të lejuar prekjen e mus’hafit deri sa të përfundoj ora e mësimit dhe që nga momenti kur të përfundon ora e mësimit ajo prapë e ka të ndaluar prekjen e mus’hafit sepse ajo domosdoshmëri e mësimit të Kur’anit vetëm se ka kaluar. Kësisoj krahaso edhe çështjet tjera sepse feja islame është për lehtësim dhe jo për vështirësim. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “… dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi.” (El Haxh : 78)

 

 

Lini një koment