Dr. Musli Vërbani
“trashëgimi” apo “ndarje”
Në popull janë të njohura termi “ndarje” dhe termi “trashëgimi”. Në esencë këto dy terme nuk e zëvendësojnë njëri-tjetrin edhe pse disa kur flasin për të parën aludojnë në të dytën dhe anasjelltas. Nëse mendohet se ndarja është trashëgimi është gabim, por edhe nëse mendohet se trashëgimia është ndarje prapë se prapë është gabim.
Termi trashëgimi vjen në kuptim konkret dhe në kuptim abstrakt.
Termi trashëgimi në kuptim abstrakt: “Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve.”
Termi trashëgimi në kuptim konkret: Trashëgimia e pasurisë.
Termi ndarje vjen në kuptim konkret dhe në kuptim abstrakt:
Termi ndarje në kuptim abstrakt: f.v. ndarja në kuptim të ideologjive, etj.
Termi ndarje në kuptim konkret: si f.v. ndarja e pjesëve të drurit, po ashtu ndarja e dy vëllezërve ku secili jeton ndaras njëri-tjetrit.
Në kuptim abstrakt mund të jetë ndarje edhe kur dy vëllezërit jetojnë në një shtëpi por që secili prej tyre jetën e vet në përfitim.
Kur fëmija i parë arrin moshën e pjekurisë fillon të punoj dhe fillon të pavarësohet, ai prej këtij momenti është i ndarë në kuptim abstrakt dhe ai duhet të punojë për veten e tij. Prej këtij momenti ai është i ndarë (dhe ende nuk është trashëgimtar) edhe pse jeton në një shtëpi me prindërit dhe vëllezërit. Ne e kemi shembullin e jetimëve të cilëve kur të arrijnë moshën e pjekurisë u jepet pasuria dhe prej asaj moshe ata mund të jetojnë me kujdestarin e tyre, por në kuptim abstrakt ata janë të ndarë. Në lidhje me jetimët, për kujdestarët e tyre Zoti i Lartmadhëruar thotë: “dhe jepuani pasurinë jetimëve kur të arrijnë moshën e pjekurisë.” (En-Nisa). Pra, jetimëve kur të arrijnë moshën e pjekurisë u jepet pasuria dhe ata vazhdojnë ta menaxhojnë atë pasuri, fillojnë të punojnë dhe janë të ndarë nga kujdestari i cili është kujdesur për ta deri në atë moshë. Ndonëse ky ajet ka të bëjë me jetimët, po ashtu njëjtë ka të bëjë edhe me fëmijët të cilët rriten me prindër, pra për ata të cilët arrijnë moshën e pjekurisë. Në këtë rast fëmijët nuk kanë pasuri të trashëguar nga prindërit (se prindërit i kanë gjallë) dhe prindi e posedon atë pasuri, ndërsa fëmija duhet të filloj të punojë dhe të përkushtohet për të fituar pasuri dhe të siguroj jetën e tij, ndërsa prindi i dhuron pasuri, e përkrah materialisht, moralisht dhe fizikisht. Ata mund të jetojnë së bashku por në kuptim abstrakt ata janë të ndarë ndërsa në kuptim konkret ata vazhdojnë të jetojnë së bashku.
Kur djali i madh është i ndarë, atë që e fiton e fiton për vete. Ndihma reciproke nuk duhet të mungoj edhe në të ardhmen, ndërsa ndihmesa morale, materiale dhe fizike është një çështje tjetër, e cila ka të bëjë me aspektin e lidhjes farefisnore të ngushtë dhe ndihmë familjare dhe nuk ka të bëjë me fitim të pasurisë e cila duhet të ndahet një ditë në të ardhmen (pas 10, 20 apo 30 viteve).
Nëse pas ndarjes së fëmijës së madh ndodhë që prindi nuk ka pasuri të mjaftueshme dhe ka nevojë për ushqim, veshmbathje dhe vendstrehim, atëherë prindi ka të drejtë të merr nga fitimi i pasurisë së fëmijës së tij. Kjo argumentohet me thënien e Muhamedit a.s.: “Ti dhe pasuria jote jeni të prindit tënd.”
Mirëpo ne kemi raste kur fëmija i parë shkon në kurbet dhe atje punon tërë jetën dhe pasurinë të cilën e fiton e investon në ndërtim shtëpie, në blerje të pasurisë së patundshme, parcela të tokave dhe pas një kohe të gjatë kur të vjen deri te ndarja vjen deri te mosmarrëveshja, sepse ndarjen e quajnë trashëgimi por e vërteta është se në këtë rast nuk kemi as ndarje dhe as trashëgimi por përzierje të çështjes së fitimit të pasurisë, me fjalë tjera përzierje në mes ndarjes dhe trashëgimisë, me fjalë tjera ndarje të fitimit të përbashkët të pasurisë e jo trashëgimi të pasurisë.
Deri sa të jetë gjallë pronari (në këtë rast prindi), nuk ka trashëgimi. Ndërsa pas vdekjes së tij është trashëgimia të cilën e ka fituar ai vet, të cilën e ka trashëguar prej babës (gjyshit) ose që i është dhuruar ose çka u është lënë testament prej ndokujt. Pasurinë të cilën e fiton djali dhe e shton, qoftë nga kurbeti qoftë jo nga kurbeti, qoftë prej ndonjë dhurate ose prej ndonjë testamenti nuk bën pjesë në trashëgiminë e babait të tij kur ai vdes.
Bashkëjetesa për çfarëdo lloj arsye me vëllezërit dhe me nënën e babën është në rregull. Njeriu bashkëjeton, nën kërcënimin e fatkeqësive dhe momenteve të papritura. Mirëpo, familja dhe farefisi e ndihmojnë dhe solidarizohen me të. Islami i ka dhënë rëndësi ndihmës ndaj të afërmit dhe se çdo ndihmë ndaj të afërmit e bartë me vete shpërblimin e dyfishtë për dhënësin e saj, Muhamedi a.s. ka thënë: “Lëmosha (ndihma) ndaj të varfrit është një sadaka, kurse ndaj farefisit është lëmoshë (sadaka) e dyfishtë, pra lëmoshë dhe ndihmë.”
Duhet të dimë se pas vdekjes së prindit, në pasurinë të cilën e ka fituar ai (e jo fëmijët e tjerë) bën pjesë edhe fëmija në barkun e nënës edhe fëmija i porsalindur dhe nuk ka të bëjë me atë se ai nuk ka fituar, me fjalë tjera nuk e ka shtuar pasurinë e prindit sepse pasuri e prindit është vetëm ajo pasuri të cilën e fiton vetëm prindi dhe jo të cilën e fiton njëri prej fëmijëve të tij dhe i bashkëngjitet atij. Në bashkëjetesë nëse veç ekziston duhet të funksionojë rregulli i sistemit të shoqërisë aksionare. Pra, në bazë të marrëveshjes të cilën duhet ta bëjnë vëllezërit e cila është e njohur si shoqëri aksionare apo që i ngjan shoqërisë aksionare që do të thotë që secili e merr pjesën e fitimit varësisht prej shumës së participimit, prej mënyrës së ndarjes së detyrave, obligimeve dhe në fund përfitimit, por duhet ditur se përfitimi duhet të jetë i njohur dhe i caktuar, siç është rasti me dhënie e paradhënie për prodhim industrial siç ka thënë Muhamedi a.s.: “Kush jep paradhënie për prodhim, le të jep në shumë të caktuar ose në sasi të caktuar për kohë të caktuar.”
Është e vërtetë se fëmijët të gjithë nuk lindin në të njëjtën kohë. Është e vërtetë se të gjithë fëmijët nuk e kanë të njëjtën aftësi. Është e vërtetë se fëmijët nuk e kanë të njëjtin fat e kështu me radhë. Kështu ndarja nuk është e domosdoshme të ndodh në të njëjtën kohë për të gjithë fëmijët por ato mund të ndahen varësisht prej nevojave dhe dëshirave të tyre dhe në mënyrë graduale e që trashëgimia nuk është kështu, sepse trashëgimia ndodh vetëm pas vdekjes së babait ku edhe nëna merr hisen e vet ndërsa ndarja mund të bëhet edhe kur prindi është gjallë.
Për këtë arsye sa janë fëmijët e vegjël, nuk ndodh ndonjë konflikt. Konflikti fillon me rritjen e fëmijëve dhe ndarjen e pasurisë. “Ndarja e pasurisë (jo trashëgimia)” jo rrallëherë kthehet në një mollë sherri për shkak të pozicionimit të fëmijëve në pasuri. Praktikisht çdo gjë fillon mbrapsht pasi që asgjë nuk ka qenë e definuar më parë:
- Njëri thotë: Kam punuar në kurbet dhe nga fitimi im është shtuar kjo pasuri.
- Tjetri thotë: Unë kam qëndruar këtu dhe e kam mbajtur familjen, jam përkujdesur për nënë e babë.
- Një tjetër thotë: Por pasi që shkove ti në kurbet mua mu mbyllën dyert e kurbetit.
- Motrat mbajnë qëndrim neutral, ata nuk konsiderohen persona në ndarje të pasurisë, ata nuk guxojnë të flasin, e mos të flasim që të kërkojnë diçka.
- Nëna nuk konsiderohet person i ndarjes por pasuri (leckë) trashëgimore, pra vetëm objekt e cila mund të i bashkëngjitet kujtdo. Në të shumtën e rasteve merr hise më shumë ai i cili do ta mban nënën në të ardhmen, thuaja se ajo nënë nuk është nënë për të tjerët në të ardhmen. Ndonjëherë ndodhë që ndonjë djalë e përzë nënën nga shtëpia, ndonjëherë asnjëri nuk e pranon me vete edhe nëse ajo me të cilin bie do të merrte më shumë pasuri se të tjerët, në të vërtetë ajo ka mbetur si mall, jo si person me të drejtë ndarje.
- Kësisoj në ndarje të pasurisë nis konflikti dhe cenohet marrëdhënia mes vëllezërve, nuk arrijnë mirëkuptimin me njëri-tjetrin dhe bëhet ndërprerja e lidhjeve farefisnore. Por duhet ditur se nëse ka qenë obligim në të kaluarën mbajtja e lidhjeve farefisnore, është haram në të ardhmen të bëhet ndërprerja e tyre. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “A pritet prej jush që nëse merrni sundimin të bëni trazira në tokë dhe të ndërpritni lidhjet farefisnore. Ata janë të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe i ka verbuar.” (Muhamed : 22-23)
Dhe në fund: T’i përmbahemi urdhrave të Allahut në tërësi, e jo të i përmbahemi në çështjet që na konvenojnë e t’i anashkalojmë në çështjet që nuk na konvenojnë.